Delawie: Kosova t’i kontrollojë kufijtë energjetikë

Lajme

Delawie: Kosova t’i kontrollojë kufijtë energjetikë

Më: 20 mars 2018 Në ora: 12:28
Greg Delawie

Kosova duhet të kontrollojë kufijtë e saj të energjisë elektrike si hap kryesor drejt sigurimit të energjisë së lirë nga ndërhyrjet e jashtme.

Kështu ka thënë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në forumin e tretë të energjisë “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë”.

Diplomati amerikan po ashtu ka thënë se mungesa e furnizimit me energji elektrike ekonomisë së Kosovës po i kushton humbje 335 milionë euro në vit.

Delawie: Mungesa me furnizim të energjisë shkakton  humbje 335 milionë euro në vit

“Tash për tash pasiguria për furnizim me energji elektrike po i kushton ekonomisë së Kosovë rreth 335 milionë euro në vit. Kostoja është shumë më e madhe se sa kjo tregon kjo shifër marramendëse. Para disa jave e pamë se sa çfarë rreziqe mund të përballen kur kemi ndërprerje të pandalshme të energjisë elektrike dhe një shmangie nga rrjeti evropian thjesht ndali kohën. Para një viti në forumin e dytë për energji pata thënë se 2017-ta do të ishte vit vendimtar për sektorin energjetik në Kosovë dhe kanë qenë 12 muaj mjaft domethënës”, tha ai.

Delawie po ashtu ka thënë se këtë vit do të ndërtohet edhe termocentrali i ri  për të cilën ka thënë se është arritje historike e Kosovës.

Delawie: Kosova t’i kontrollojë kufijtë energjetikë

“Në dhjetor pamë mbylljen e suksesshme komerciale të projektit Kosova e re , investimi më i madh i juaji në historinë e Kosovës. Këtë vit do të ndërtohet një termocentral i ri efikas që shfrytëzon teknologjinë më të re dhe që punon në përputhje me standardet për emetim të gazrave të BE-së. Kjo ishte e arritur e madhe për trajtimin e nevojës së Kosovës për gjenerim të energjisë elektrike, por nuk paraqet përfundimin e rrugëtimit. Është thelbësore që Qeveria  e Kosovës të sigurojë që projekti Kosova e Re të shkojë drejt përmbylljes financiare dhe t’i mbajë zotimet e bëra në dhjetor. Natyrisht që ka ende shumë punë Kosova duhet të kontrolloj vet kufijtë e saj të energjisë elektrike si hap qendrorë drejt siguresë së energjisë së  lirë nga ndërhyrjet nga jashtë”, tha Delawie.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, tha se qeveria që ai e drejton është zotuar se një nga prioritetet e saja do të jetë sektori i energjisë.

Haradinaj: Sektori i energjisë prioritet i lartë i yni

“Është prioritet se i delegohet qytetarëve, furnizimi me energji ekonomisë, por jo vetëm kaq edhe stabilitetit të vendit. Duke qenë kështu, zotimet tona për adresimin e sfidave për sektorin e energjisë, mendoj se ju kemi dhënë vulë sot tre muaj më herët më 20 dhjetor të vitit të kaluar, kur e kemi nënshkruar marrëveshjen komerciale për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Teknologjia e re që do të përdoret që do të instalohet lehtëson gjendjen në ndotjen e ambientit”, tha Haradinaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin lluka, tha se është shumë e rëndësishme që Kosova të ndërtojë një protofolio të gjenerimit të energjisë nga burimet të ripërtërira.

Lluka: Kemi edhe sfida jo vetëm në sektorin energjetik

“Jam i bindur se periudha para nesh do të na sjellë një mori mundësish dhe sfidash jo vetëm atë në sektorin e energjisë por investimet ekonomike të vendit në tërësi. Duhet të vëmë në pah ato kyçe siç janë zëvendësimi dhe rehabilitimi i kapaciteteve gjeneruese, integrimi në tregun rajonal , nxitja e mëtejme e prodhimit të energjisë së pastër”,  tha Lluka.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka thëne se  furnizimi me energji i Kosovës nuk duhet të mbahet peng.

Heldt: Energjia mos të ndikojë te zhvillimi ekonomik

“Ne i dimë pikëpyetjet dërrmuese dhe mbizotëruese politike rreth integrimit dhe mendoj se është koha që kjo çështje e hapur të mbyllet. Furnizimi me energji i këtij vendi, i popullsisë, i ekonomisë nuk duhet të mbahet peng”, tha  Heldt.

Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, ka thënë se Banka Botërore është e përqendruar që asistencën dhe ndihmat t’i orientojë në projektet që shtetet të kenë furnizim energjetik të përballueshëm dhe stabil.

Mantovanelli: Kosova me ekonomi në rritje, por me nivel shumë të lartë të varfërisë 

“Banka jonë është e përqendruar, asistenca ndihma jonë është e projektuar që shtetet të kanë furnizim energjetik të përballueshëm dhe të qëndrueshëm. Të zvogëlojmë varfërinë dhe të ngrisim prosperitetin të punojmë me klientët në tërë botën në mënyrë që të jenë në gjendje që të tërheqin investimet e huaja, sepse kjo nuk është agjendën  që mund të adresohet vetëm nga investimet publike. Kosova, siç e dimë, ka pasur një përparim mjaft të madh në zhvillim ekonomik, por mbetet një shtet, i cili ka nivel të lartë të varfërisë dhe jemi plotësisht të bindur për të përmirësuar rritjen në të ardhmen dhe zvogëlimin e varfërisë energjia luan një rol kyç në këtë drejtim dhe është e rëndësisë absolute që të japim energji të përballueshëm dhe më të qëndrueshme për qytetarët e Kosovës”, tha Mantovelli.

Ndryshe, ky është forumi i tretë energjetik që mbahet në Kosovë e që është organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe mbështetur nga USAID-i amerikan. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat