Paditësi kërkon mbi 12 mijë euro kompensim nga Qeveria e Kosovës

Lajme

Paditësi kërkon mbi 12 mijë euro kompensim nga Qeveria e Kosovës

Më: 20 mars 2018 Në ora: 15:03
Ilustrim


Shefki Ismajli nga Komuna e Obiliqit, po kërkon nga Qeveria e Kosovës mbi 12 mijë euro për kompensim të dëmit, që pretendon se i është shkaktuar nga procesi i shpronësimit.

Sipas paditësit Ismajli, Qeveria me vendimin e 3 gushtit të vitit 2011, ka bërë shpronësimin e pronave përgjatë rrugës “M-2” dhe “M-9”, ku ndodhej edhe parcela që pretendon se është e tij, pasi që në librat kadastral nuk figuron një gjë e tillë.

Lidhur me këtë padi, të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është mbajtur seanca, në të cilën ka marr pjesë përfaqësuesi i autorizuar i paditësit, Fatbaradh Makolli, por që ka munguar përfaqësuesi i ekzekutivit kosovar.

Avokati Fatbardh Makolli ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë kërkesëpadisë dhe ka ritheksuar se paditësi është pronar faktik i paluajtshmërisë që nga 14 qershori i vitit 1999, të cilën sipas tij, ai e ka blerë me anë të kontratës mbi shitblerje nga ish-shitësi Stanko Prica dhe e ka tokën në posedim me mirëbesim.

Sa i përket arsyes për mos bartjen e të drejtës pronësore në libra kadastral, Makolli ka deklaruar se toka që ka qenë objekt i shitblerjes ka qenë e përfshirë në planin e komasacionit konform Ligjit mbi Komasacion dhe evidenca kadastrale në atë kohë është mbajtur nga Komuna e Prishtinës.

Ndërsa, me formimin e Komunës së Obiliqit, sipas tij, e njëjta nuk e ka bërë bartjen automatike sipas Ligjit mbi Komasacion.

Makolli ka shtuar se për shkak të joefikastitetit të organeve komunale të Obiliqit, paditësi ka pësuar dhe sot e asaj dite i njëjti nuk ka mundur ta bëj bartjen juridike edhe pse është posedues me mirëbesim i tokës që 20 vjet.

Ai ka deklaruar se meqenëse në seancë është informuar se lidhur me çështjen e pronësisë ekziston një kontest civil pronësor dhe duke marr për bazë se çështja e pronësisë është çështje paraprake, i ka propozuar gjykatës që të ndërpritet procesi gjyqësor në lidhje me realizimin e të drejtës së kompensimit për paluatjshmërinë, derisa të zgjidhet çështja e pronësisë.

Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marr aktvendim me anë të së cilit është ndërprerë gjykimi në këtë rast. Kurse, pas zgjidhjes së çështjes paraprake me propozimin e paditësit do të vazhdohet procedimi i kësaj çështje civile.

Ndryshe, seanca e paraparë të mbahej më 16 shkurt, në këtë rast ishte shtyrë pasi nuk kishte pasur përfaqësues të ekzekutivit kosovar prezent.

Edhe gjatë seancës të së martës nuk ka pasur përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Fillimisht e paditur në këtë çështje civile kishte qenë Komuna e Obiliqit, mirëpo, në bazë të procesverbalit të seancës së 5 dhjetorit të vitit 2016, pala paditëse kishte bërë zgjerimin e kërkesëpadisë në aspektin subjektiv duke paditur Qeverinë e Kosovës, dhe duke u tërhequr nga padia ndaj Komunës së Obiliqit.

Pala paditëse, gjatë seancës së 5 dhjetorit të vitit 2016, kishte deklaruar se e bën zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv, ashtu që tani e tutje si palë e paditur do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila me vendimin përfundimtar të datës 3 gusht 2011, ka bërë shpronësimin e pronave përgjatë rrugës “M-2” dhe “M-9”.

Ndërsa, përfaqësuesi i Komunës së Obiliqit, Nazim Mehmeti, gjatë seancës së mbajtur më 5 dhjetor 2016, kishte deklaruar se sa i përket shumës së kompensuar në vlerë prej 12 mijë euro, komuna nuk ka legjitimitet, sepse procedura e shpronësimit është udhëhequr nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si organ kompetent sipas Ligjit për Shpronësime, e jo nga komuna.

Kurse, në padinë ku e paditur ka qenë Komuna e Obiliqit, thuhet se paditësi është në shfrytëzim faktik të parcelës kadastrale nr.21/1 që nga viti 1986. Parcelën, sipas padisë, paditësi dhe vëllai i tij, Faik Ismajli, e kanë blerë nga pronari Stanko Prica në vitin 1990, por pasi aso kohe ligji ka qenë diskriminues mbi ndalesën e shitjes së pronave ndërmjet nacionalitetin serb e shqiptar, paditësi nuk ka mundur ta bëj bartjen në kadastër.

Më tutje, thuhet se më 6 shtator 1991, është marrë vendim mbi ndarjes e masës komasacione të Komisionit për Komasacion të Komunës së Prishtinës e që Stanko Prica ka dhënë pjesë të parcelave nr.21/1,21/2, të cilat gjenden në fletën poseduese nr.66 KK Llazarevë në sipërfaqe prej 4.80.26 ha, kurse prej komasacionit iu ka dhënë përmes të tjerash parcela me nr.331 në sipërfaqe prej 3.00.84 ha, të cilën paditësi me vëllain e tij e kanë blerë.

Padia thotë se meqenëse paditësi për shkaqe formale nuk e ka bartur pronën si të komasacionit, pasi kjo gjendje tani nuk figuron në librat kadastrale dhe nuk dihet shkaku, dhe i njëjti ka iniciuar procedurë gjyqësore për vërtetimin e pronësisë e që prona e blerë në kadastër është si parcele kadastrale 21/1 arë e klasit të 5 me sipërfaqe të përgjithshme prej 6.86.33 ha e që Stanko Princës i takonte 2/4 të cilat janë blerë.

Padia thotë se e paditura pa pasur fare ndonjë aktvendim të gjykatës ku shënohen përmasat gjeodezike ka bërë copëtimin e parcelës nr.21/1 dhe 21/2 , si dhe ka dhënë mundësi të bëhet ndryshimi i parcelës në dëm të paditësit duke lëshuar fletëposeduese në emër të pronarëve tjerë në kundërshtim me ligjin.

Sipas padisë, nga parcela 21/1 janë shpronësuar 383 m2 në vlerën totale prej 12.360.00 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat