Ish-zëvendësdrejtori i ASHNA-s akuzon drejtorin për kanosje

Lajme

Ish-zëvendësdrejtori i ASHNA-s akuzon drejtorin për kanosje

Më: 19 prill 2018 Në ora: 22:04
Bujar Ejupi

Bujar Ejupi, ish-zëvendësdrejtori teknik në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror thotë se u largua nga puna për shkak të raportimeve të shumta që i kishte bërë për shkeljet brenda ASHNA-s.

Kallxuesi Ejupi në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se pak kohë pas raportimeve të tij për disa parregullsi në disa projekte brenda agjencisë ai u largua me forcë nga vendi i tij i punës me urdhër të drejtorit Bahri Nuredini.

“Ai ka thënë ti nuk je inspektor me u marrë me këtë punë. Unë kam thanë derisa është përgjegjësi e jemja nuk mundem me lanë diçka mos me qenë në rregull e unë me i mëshel sytë. Ai më ka thënë pra mundesh të dalësh prej pune. Ka pasur sharje, fyerje që i kam raportuar në polici. Nuk më ka qitë si drejtor por si bandit që thotë dil prej pune se ti po më raporton mua”, tha Ejupi.

Në anën tjetër, Nuredini mohoi ta ketë larguar nga puna zv.drejtorin Ejupi duke thënë se ajo ka ndodhur pas disa ankesave në Këshillin Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.

“As nuk e kam sjellë në punë as nuk e kam larguar nga puna. Ne kemi kamera që shihet a e ka marrë dhe a e ka qitë prej punës. Kam qenë i qetë. Ai djali me buzë në vaj s’e pritke që do të largohej nga Agjencioni”, tha Nuredini.

Ai megjithatë pranoi se kishte kërkuar nga Ejupi të mos bëjë investigime individuale për shkeljet brenda ASHNA-s.

“Vetëm kam kërkuar nga Bujar Ejupi, ASHNA e ka një zyre që quhet drejtori i Auditimit të Brendshëm. Për çdo proces që vlerëson që ka parregullsi. I kam thënë nuk ke të drejtë të bësh investigime por ke të drejtë të tregosh sistemit”, tha Nuredini.

Rasti i raportuar nga Ejupi tashmë është në prokurori dhe po hetohet.

Në këtë emision u transmetua pjesa e dytë e hulumtimit për Aeroportin e Prishtinës, ndërsa emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat