Gashi: LDK e gatshme ta bëjë ndryshimin e madh, ka kohezion gjeneratash

Lajme

Gashi: LDK e gatshme ta bëjë ndryshimin e madh, ka kohezion gjeneratash

Më: 19 prill 2018 Në ora: 22:17
Arben Gashi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se ky subjekt politik përbëhet nga katër gjenerata të cilat po bashkë-ekzistojnë dhe bashkëpunojnë normalisht mes vete, dhe se në këtë parti është krijuar një kohezion gjeneratash dhe idesh.

“Pika fillestare për të cilën duhet të flasim është pikërisht se a është e gatshme Lidhja Demokratike që ta bëjë ndryshimin e madh”, tha Gashi në Zonën e Debatit.

“Këtu fillon e gjithë analiza e situatës për LDK-në”.

“Në këto rrethana LDK është e gatshme dhe po e dëshmon që është e gatshme ta bëjë ndryshimin e madh të brendshëm dhe për Kosovën”.

“Ndryshim i madh, për mendimin tim, nënkupton konsistencë mes mendimeve në LDK. Nënkupton bashkë-ekzistencën  mes gjeneratave në LDK”.

“Mbi bazën e këtij starti që është jashtëzakonisht pozitiv, mendoj se kemi krijuar një kohezion gjeneratash, një kohezion idesh, dhe një kohezion të programit”.

Gashi tha se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përgjegjësinë madhore se si do të sillet në të ardhmen e afërt, dhe se kjo parti po shfaq një qëndrueshmëri jashtëzakonisht të madhe.

Pavarësisht mungesës së kryetarit aktual të kësaj partie për shkaqe shëndetësore, Isa Mustafës, ai tha se ka disa muaj që gjeneratat e ndryshme të LDK-së po bashkëpunojnë mbi idenë rreth së cilës ato duhet të bashkohen.

Sipas tij, LDK-ja ka qenë shembull i procesit demokratik, duke përmendur se si është vetmja parti që ka pasur një trancizion prej tre kryetarësh në krye të saj.

“Zgjedhjet në Lidhjen Demokratike janë një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

“Lidhja Demokratike është e vetmja parti që ka arritur ta ketë tranzicionin e tre kryetarëve në krye të partisë, dhe e cila normalisht i ka pasur sfidat e veta, dhe disa momente pak më të lehta apo më të rënda”.

“Por në përgjithësi, ka qenë shembull i procesit demokratik dhe mënyrës se si vullneti individual dhe qasja grupore mundet të trajtohet dhe të respektohet prej të tjerëve”.

Ai përmendi katër gjenerata që janë pjesë e kësaj partie, për të cilat ritheksoi se po bashkëpunojnë dhe po bashkë-ekzistojnë normalisht.

“Këto katër gjenerata i mban një vizion i përbashkët për mundësinë e ndryshimit”.

Gashi tha se e mira e këtij subjekti politik është se kjo parti ta jep mundësinë edhe kur mendon ndryshe, duke përmendur si shembull afërsinë e dikurshme të tij me Mustafën, dhe dallimin në koncepte midis tyre që kishte pasuar më vonë.

“Jemi pjekur bashkërisht”, tha ai duke iu referuar partisë së tij.

“Angazhimi ekipor është çelësi që do ta sjellë suksesin e LDK-së”.

“Tash jemi të gjithë më të pjekur. Mendoj se mundemi ta shohim realisht se çfarë mundemi ne t’i ofrojmë Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat