Gjukanoviq zyrtarisht merr detyrën si president i Malit të Zi

Lajme

Gjukanoviq zyrtarisht merr detyrën si president i Malit të Zi

Më: 20 maj 2018 Në ora: 14:36
Milo Gjukanoviç

Presidenti i ri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç sot ka dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit me ç’rast mori detyrën në këtë post.

Gjukanoviç dha betimin në Cetinë, në ditën kur paraardhësit të tij Filip Vujanoviç i skadon mandati.

“Betohem me nderin tim në Kushtetutën e Malit të Zi se detyrën e Presidentit të Malit të Zi do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Si President i shtetit, unë do ti përkushtohem ruajtjes së pavarësinë dhe sovranitetit të Malit të Zi dhe afirmimin e tij si një shtet civil, demokratik, ekologjik dhe shtet i të drejtave sociale bazuar në sundimin e ligjit”, tha Gjukanoviç.

Përveç deputetëve, në seancën ceremoniale në Shtëpinë e Qeverisë në Cetinë morën pjesë ish-Presidentët e Malit të Zi, Parlamentit dhe Qeverisë, zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe krerët e institucioneve shtetërore.

Në seancë morën pjesë anëtarë të Qeverisë, personalitete fetare, rektorë universitarë, anëtarë të trupit diplomatik, ambasadorë jo-rezidentë, përfaqësues ushtarakë të mbrojtjes dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Pas betimit dhe fjalimit të mbajtur para zyrtarëve, Gjukanoviç përshëndeti edhe anëtarët e Rojes së nderit të Armatës së Malit të Zi.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 15 prill, Gjukanoviç fitoi 53.9 për qind të votave. Ai do ta ushtrojë këtë funksion për 5 vite.

Presidenti i Malit të Zi përfaqëson shtetin në vend dhe jashtë tij, nxjerr ligje, shpall zgjedhjet parlamentare, propozon kandidatët për kryeministër, president dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese në Parlamentin e Malit të Zi.

Presidenti i propozon parlamentit që të shpallë referendum, të miratojë amnisti për vepra penale, ndarjen e mirënjohjeve dhe çmimeve dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

Që nga sistemi shumëpartiak, presidentë të Malit të Zi kanë qenë Momir Bulatoviç, në dy mandate, Gjukanoviç një herë dhe Filip Vujanoviç tri herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat