Gjykata shpall dënimin për plagosjen pasi lopët i hynë në arë

Lajme

Gjykata shpall dënimin për plagosjen pasi lopët i hynë në arë

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 14:34
Shpallja e aktgjykimit ndaj Jetullah Hajdinit

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Jetullah Hajdinin për një incident të ndodhur vitin e kaluar në Komoran të Drenasit.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj Hyseni tha se trupi gjykues e ka bërë ricilësimin e veprës së parë penale për të cilën akuzohej Jetullah Hajdini, ashtu që nga vrasja e rëndë në tentative për të cilën akuzohej në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokuroria e shtetit të njëjtit gjykata ja ka ricilësuar veprën penale në lëndim të rëndë trupor.

Ai është shpallur fajtor për dy veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Për veprën penale lëndim i rëndë trupor u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burgim ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje atij gjykata i shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 500 euro.

Të akuzuarit në dënim do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim dhe arrest shtëpiak që nga data 28 korriku i vitit të kaluar e deri në ditën e shpalljes së këtij aktgjykimi.

I njëjti është i detyruar që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi ta paguajë edhe paushallin gjyqësor në shumë prej 100 eurove.

Atij do t’i konfiskohet edhe arma me anë të së cilës është kryer vepra penale.

Ngjarja pretendohet të ketë ndodhur më 28 korrik të vitit 2017, rreth orës 20:00 në fshatin Komoran.

Sipas aktakuzës, derisa i akuzuari Jetullah ishte duke qëndruar në arën e tij, afrohen të dëmtuarit Jeton e Valon Imeri dhe pas një mosmarrëveshjeje në mes tyre, të dëmtuarit fillojnë të largohen dhe Jetullahu, sipas Prokurorisë, me qëllim që t’i privojë nga jeta, nga para shtien me armë të tipit “Makarov” në drejtim të të dëmtuarit Valon Imeri, duke e plagosur në regjionin e sipërm të dorës së majtë. Nga plagosja, atij i është dëmtuar nervi vulnar. Më pas, sipas aktakuzës, i akuzuari kishte plagosur edhe  Jeton Imerin, i cili ia kishte shpinën të akuzuarit për t’u larguar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat