Kriminelët serbë prorusë të frikësuar fshehin identitetin e tyre

Lajme

Kriminelët serbë prorusë të frikësuar fshehin identitetin e tyre

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 11:33
Goran Gerovac

Serbët mercenarë që luftojnë në krah të forcave ruse në Ukrainë për ndarje, duket se kanë filluar të frikësohen për të ardhmen e tyre.

Kjo për faktin se disa prej tyre janë maskuar në mënyrë që ta mbulojnë veprimtarinë e tyre, kurse një pjesë e madhe i kanë mbyllur tërësisht profilet në rrjete sociale.

Njëri nga ata që ka ndërruar pamjen për këtë qëllim është Goran Gerovac, ish-bashkëpunëtori i kriminelit serb Zheljko Razhnjatoviq- Arkan,  e i cili ka luftuar krah rebelëve rusë në Ukrainë.

Gerovac nuk është i panjohur në Kosovë. Ai ka marr pjesë në luftën e Kosovës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa pas luftës ka punuar në kuadër të UNMIK-ut.

Madje sipas ekspertit të sigurisë Agim Musliu, edhe vet Gerovac e ka pranuar faktin se ka luftuar krah ushtrisë dhe policisë serbe.

Musliu, ka deklaruar për Kp se jo vetëm Gerovac por ka edhe shumë të tjerë që janë kriminelë lufte të njohur në territoret e ish-Jugosllavisë, derisa shton se shumica e tyre kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës në vitet 1998 dhe 1999.

Musliu: Goran Gerovac është mbeturinë e gardës së Arkanit

“Goran Gerovac është mbeturinë e gardës së Arkanit dhe punëtor i sigurimit shtetëror të Shërbimit Sekret të Serbisë i cili ka kryer operacione të llojllojshme në tërë territorin e Jugosllavisë, por ka marrë pjesë edhe në luftën në Kosovë, kundër popullit kosovar gjatë viteve të 90-ta. Kjo vëllazëri serbo-ruse daton qysh nga vitet nëntëdhjeta, kur paramilitarët rusë kanë marrë pjesë aktive në luftën kundër popullit shqiptar dhe që atëherë kjo funksionon në mënyrë aktive... Gerovac pas luftës së fundit në Kosovë është infiltruar dhe ka qenë punëtor i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, por gjithashtu edhe e shoqja e tij ka punuar në Radio KFOR si gazetare. Ai ka qenë agjent i sigurimit shtetëror serb, i infiltruar në Kombe të Bashkuara dhe kështu ka marrë dhe ka përcjellë nga tereni informata të dorës së parë ”, thotë Musliu.  

Kurse sa i përket ndryshimit të pamjes së tyre, Musliu thotë se kjo bëhet për arsye frike.    

Musliu: Mercenarët serbë prorusë po frikësohen

“Bëhet fjalë për një grup prej 300 paramilitarësh të cilët janë të njohur për pjesëmarrjen e tyre për luftën në Jugosllavi por edhe në Kosovë. Pse ndryshojnë ata identitetin e tyre dhe pse zhduken nga publiku, edhe pse janë shfaqur të përqafuar me rusët në fillim dhe të armatosur në pjesën e Ukrainës ku zhvillohet lufta në mes të Ukrainës dhe forcave proruse është frika. Frika nga ndëshkimi nëse kthehen në Serbi. Serbia ka aprovuar një ligj i cili është kusht i BE-së për pjesëmarrje në luftërat e huaja, të cilin është e obliguar ta respektojë dhe e dyta mund të jetë edhe ndëshkimi nga vet rusët për arsye se këta janë mercenarë atje dhe paguhen. Dhe e treta është që pas çdo lufte jo të drejtë, shfaqet një gjyq ndërkombëtar i cili dënon krimet e luftës”, tha Musliu.

Studiuesi i mediave, Arben Fetoshi, ka identifikuar tre faktorë që kanë ndikuar në fshehjen e mercenarëve serbë prorusë.

Sipas tij, dobësimi i pozicionit të Rusisë, tensionet në marrëdhëniet Ukrainë-Serbi pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së këtyre mercenarëve në krah të forcave ruse në Ukrainë, si dhe konsolidimin e kundërveprimit të Perëndimit për detektimin dhe parandalimin e efekteve të propagandës ruse janë arsyet e ndërrimit të identitetit të tyre dhe braktisja e rrjeteve sociale nga ta.

Fetoshi: Mercenarët serbë prorusë në Ukrainë dhe Siri dëshmi e konzicionit ideologjik ndërmjet tyre

“Aktualisht ka një dobësim të pozicionit rus në botë, që besoj se reflektohet edhe tek aktet e drejtpërdrejta ushtarake që Rusia ndërmerr në vende të caktuara të botës dhe në këtë rast nuk është vetëm Ukraina, por është edhe Siria. Dhe fakti që kemi mercenar serbë që luftojnë përkrahë forcave ruse në Ukrainë dhe gjithashtu në Siri, dëshmon për konzicionin ideologjik ndërmjet tyre. Dhe besoj që reflektohet sa herë që fuqia ruse duket e madhe në botë. Natyrisht që kjo e impulson motivin e mercenarëve për të luftuar për forcat serbe dhe kur ndodh e kundërta motivi i tyre domosdo bie”, tha ai.

Rusët në Ukrainë filluan të paraqiten menjëherë pas aneksimit të Krimesë. Të parët ishin çetnikët e më pas një varg i tërë që llogaritet një shifër prej më shumë se 300 mercenarësh.

Deri tani nuk ka të dhëna që Serbia ka nisur hetime për ndonjërin prej tyre pavarësisht rregullativës ligjore që e ndalon pjesëmarrjen e shtetasve serbë në luftëra të huaja. Edhe ambasadori ukrainas në Beograd Oleksandr Aleksandroviq ka thënë se “rreth 300 serbë luftojnë në lindje të Ukrainës në anën e terroristëve rusë. Këtë informacion ua kemi dërguar shërbimeve sekrete në Serbi, por për fat të keq asnjëherë nuk e kemi marrë asnjë përgjigje”.

Pos Ukrainës, një numër i konsiderueshëm serbësh kanë marrë pjesë edhe në konfliktin e Sirisë, duke mbështetur diktatorin Bashar Al Asad.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat