Pas aksidentit me fatalitet, Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar në trafik

Lajme

Pas aksidentit me fatalitet, Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar në trafik

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 17:44
Aksidenti në Suharekë

Policia e Kosovës, më saktësisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, me anë të një videoje ka kërkuar dhe ka apeluar te të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes në trafik.

Në njoftim thuhet se referuar gjendjes aktuale në trafikun rrugor, e në veçanti dy aksidenteve të fundit të shkaktuara gjatë vikendit, ku për pasojë fatkeqësisht humbën jetën gjashtë persona, Policia e Kosovës në vazhdimësi po ndërmerr veprime policore, të cilat kontribuojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, edhe pse gjatë këtij gjashtëmujori është evidentuar rënie e aksidenteve fatale, shqetësuese ende mbetet humbja e vetëm edhe një jete në trafik.

“Policia e Kosovës, me qëllim të reduktimit të aksidenteve në tërësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, në vazhdimësi kërkon dhe njëherit apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, duke respektuar në tërësi të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore”, ka thënë Kelani në një video- incizim.

Sipas tij vëmendje kërkohet posaçërisht në këtë periudhë kohore, ku ka shtim të qarkullimit rrugor, e po ashtu të reshura më të mëdha të shiut, të cilat mund të ndikojnë në kufizim të dukshmërisë dhe qarkullimi nëpër rrugë mund të vështirësohet.

“Policia e Kosovës me njësitet e saj po vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, aplikon masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet, që po paraqesin shqetësim për të gjithë ne, për shkak të humbjes së jetëve njerëzore”, ka thënë Kelani më tutje.

Policia po ashtu ka kërkuar kontribut nga të gjithë për siguri më të madhe në trafik.

Gjatë ditës së djeshme pesë persona kanë vdekur në një aksident në magjistralen Prishtinë- Prizren më saktësisht në Suharekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat