Qeveria i pranon dështimet në veri

Lajme

Qeveria i pranon dështimet në veri

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 12:52
Veriu

Qeveria e Kosovës i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës një raport mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

 Në njërën prej marrëveshjeve për të cilat Qeveria u tregon deputetëve, është edhe marrëveshja për mbrojtjen civile në veri. Institucionet e Kosovës kishin ndërmarrë masa për integrimin e pjesëtarëve të mbrojtjes civile serbe në institucionet e Kosovës.

Për këta pjesëtarë, Qeveria thotë se i ka siguruar të gjitha burimet dhe trajnimet e nevojshme.

“MAPL ka mbajtur 25 takime me ministri dhe agjenci të ndryshme qeveritare. Si rezultat i kësaj, grupi i parë prej 483 pjesëtarëve – prej të cilëve vetëm 25 janë femra – janë integruar në ministritë dhe agjencitë e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në raportin e Qeverisë.

Këta 483 pjesëtarë, sipas Qeverisë, janë integruar në bazë të shprehjes së interesit, arsimit dhe përvojës së tyre profesionale, thuhet tutje në këtë raport.

Mirëpo, po në këtë raport Qeveria e pranon para deputetëve se ky integrim i pjesëtarëve të mbrojtjes civile ka “dështuar”.

Qeveria thotë se edhe pse këta persona kanë kontrata me institucionet e Kosovës, në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre, janë të papërgjegjshëm dhe nuk i raportojnë fare institucioneve të Kosovës.

“Megjithëse këta 483 persona të integruar kanë kontrata me institucionet e Kosovës në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës. Personat e integruar nuk janë të përgjegjshëm dhe nuk i raportojnë institucioneve të Kosovës. Personat e integruar nuk janë objekte, materiale apo zyre për të kryer detyrat e tyre. Ka mungesë bashkëpunimi në nivel sektorial ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe personave të integruar”, thuhet tutje në raportin e Qeverisë për deputetët.

Në anët tjetër, kishte dështuar edhe integrimi i 39 ish-pjesëtarëve të MUP-it në stafin administrativ, pasi që komunat veriore kishin refuzuar integrimit e tyre.

“U hasën sfida në integrimin e 39 pjesëtarëve të stafit administrativ nga 71 sosh të policisë paralele serbe (ish “MUP”) në zyrat e gjendjes civile në katër komunat veriore. Megjithatë, komunat veriore kanë refuzuar integrimin e 39 pjesëtarëve të stafit administrativ në strukturat komunale”, thuhet tutje në raport.

Megjithatë, Qeveria thotë se do të angazhohet në forcimin e autoriteteve të sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës, në rritjen e koordinimit ndërmjet institucioneve në nivel qendror dhe stafit të integruar, trajnime të rregullta për të integruarit, ndërtimin e objekteve etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat