E diela e kobshme, tre persona vdesin në komunikacion dhe një tjetër vritet

Lajme

E diela e kobshme, tre persona vdesin në komunikacion dhe një tjetër vritet

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 06:14
Ilustrim

Dita e djeshme lirshëm mund të quhet e kobshme.  Katër persona humbën jetën, të gjithë në mënyrë tragjike.

Dita nisi me një lajm tragjik ku  29 vjeçari, Agonis Tetaj u vra në komunën e Deçanit.

Tetaj u vra nga kolegu i tij 18 vjeçar, inicialet e të cilit janë SH.G. Me vendim të prokurorit të shtetit për dorasin është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.

Por jo vetëm kaq pasi pak orë më vonë një 65 vjeçar humbi jetën si pasojë e një goditje të marrë nga një veturë ‘Te Santea’ në Prishtinë.

Viktima në fjalë u godit nga një veturë e tipit BMW dhe si pasojë e kësaj viktima V.M nuk arriti t’u përballojë plagëve të marra.

Pas kësaj, policia ka arrestuar ngasësin e veturës E.B, 25 vjeçar dhe me rastin po merret Njësiti i Trafikut.

Dita e dielë vazhdoj tutje me një aksident të rëndë në magjistralen Gjakovë-Prishtinë, ku humbi jetën një 6 vjeçare.

Përpos kësaj në aksidentin në fjalë u lënduan edhe 9 persona të tjerë.

“Mund të ju konfirmoj se një aksident i rëndë ka ndodhur pak më parë në magjistralen Gjakovë-Prishtinë, saktësisht në fshatin Rakovinë. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një 6 vjeçare dhe janë 9 persona të lënduar”, ka thënë komandanti i Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Albin Sahataqija.

Duke uruar që të jetë aksidenti i fundit, pak orë më parë jetë ka ndërruar edhe një 28 vjeçar i cili u aksidentua në fshatin Burojë të komunës së Skenderajt.

Sipas policisë në rajonin e Mitrovicës, aksidenti është shkaktuar në mes një makine dhe një traktori ku si pasojë e gjithë kësaj kanë mbetur të lënduar edhe tre persona të tjerë.

Dy nga ta po kurohen në Spitalin Rajonal të Mitrovicës kurse njëri është dërguar në QKUK.

Duhet përkujtuar që viti 2018 ka qenë ndër vitet ku aksidentet në trafik kanë qenë në numër të shtuar përderisa nga Policia e Kosovës për disa herë radhazi është bërë apel për kujdes nga vozitësit por edhe këmbësorët.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat