Mbi romanin " Çou Rexho-Çou Djalo", të autorit, Sokol Demaku!

Libra

Mbi romanin " Çou Rexho-Çou Djalo", të autorit, Sokol Demaku!

Nga: Gabrila Mujaj Më: 27 tetor 2022 Në ora: 20:21
" Çou Rexho-Çou Djalo"

"Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte axha i tij e jo kali, siç është folur, përfolur dhe kënduar kënga folklorike për plot një shekull e disa dekada".

Romani " Çou Rexho-Çou Djalo", bën fjalë për historinë e Rexhës, djalin e Shahes dhe Feratit, të cilin thuhet ndër gojëdhëna e këngë folklorike që e vrau kali ditën e dasmës.

"Kënga popullore u ruejt me besnikëri dhe pati jehonë në jetën e përditshme, në kujtesën e kohës, por dhe në botimet social-kulturore, ndonëse të pakta. Madje mund të themi se e tërë krijimtaria popullore, përfshi këngët, gojëdhanat, mitet, legjentat etj.,ka jetuar gjatë në popull sepse i është përcjellë brezave si një trashëgimi e vyer, duke ruajtur vazhdimisht të gjalla vlerat kulturore dhe ato të traditës sonë shekullore.

Ngjarja e treguar në këtë libër është reale, e ndodhur në Stubëll dhe Jabllanicë të Kosovës Lindore, këtu e mbi njëqind vjet më parë, por personazhet janë të krijuara nga autori.

Autori

Qaza dhe Ferati, ishin dy vëllezër që bënin një jetë normale dhe që kishin krijuar familjen e tyre. Qaza ishte i martuar me Mihanen, ndërsa Ferati me Shahen, me të cilën do të sillte në jetë Rexhen, personazhin kryesor të këtij romani. Jeta e dy vëllezërve edhe mund të kishte shkuar mirë dhe në paqe, me një mirëqënie, harmoni, ngrohtësi e dashuri familjare. Të bashkuar dhe të lumtur, po të mos ekzistonin ato ndjenja që kanë lindur bashkë me botën dhe që do mbarojnë po me botën: zilia, xhelozia, ambicja e pasurisë!

Mihanja është një grua smirëzezë dhe intrigante, e cila shfrytëzon terrenin e volitshëm të një zemre të dobët e të ligësht si ajo e Qazës, për të realizuar planet e saja kobëzeza. E ndërsa Ferati ndërron jetë papritmas, Shahja mbetet si një qingj mes ujqërve, viktime e ekspozuar krejtësisht përsekutuesve të saj, objekt ku vihen në jetë traditat e hershme, të cilat që në zanafillen e tyre duket se u krijuan vetëm për të shtypur e poshtëruar gruan. Por, përveç se një grua të fyer dhe të poshtëruar, të përdhosur në nder e moral, të shkelur në dinjitetin e saj, shohim dhe një nënë e cila për hir të dashurisë për të birin, arrin të sakrifikoje krejtësisht jetën e lumturinë e saj.

E zënë në kurth, nga rrjeta e "merimangës së zezë", Mihanës, ajo detyrohet që të bëhet gruaja e dytë e kunatit të saj.

Do mote më përpara, pata dëgjuar për herë të parë këngën e Rexhës! Në fillim nuk e kuptoja dhe mendoja se ishte ndonjë tekst i trilluar, por tepër i dhimbshëm. Aq më trishtonte, saqe nuk kisha as guximin për të pyetur në ishte histori e vërtëtë apo jo. Një ditë pata pyetur babain:

- Babo, si është puna e Rexhës?

"E ka vra kali ditën e dasmës, mor babë", - m'u përgjigj!

E pyeta ma gjatë, por nuk është se kishte shumë për të më treguar. Mesa duket ishte një histori e vjetër që ishte përcjellur gojarisht. Duke qenë natyrë kurioze, mbaj mend që fillova të mendoj mbi vërtetësinë e kësaj ngjarjeje. Pyetja e parë që më pati ardhur ndërmend ka qenë:

"Po ç'lypte dhëndrri ditën e dasmës tek kali?"

Kur dëgjonim këngën e Rexhës, nëna ime thoshte: "e shkreta nana e vet", ndërsa unë thoja përherë: "sa gjynah nusja e vet!"

Kur vjen puna tek historitë e vjetra, e sidomos ato që kanë ndodhur 100 vjet e andej, kam përherë dyshimet e mia. Vërtetë që fjala është guri themelor i komunikimit, pasi fjala ishte e para, fjala u bë njeri, prej fjalës u krijua bota e jeta, pasi Zoti tha "bëhu", dhe u bë çdo gjë, mirëpo, po prej fjalës linden dhe aq shumë të këqija, keqkuptime, shtrembërime...

Duke qenë se gjuha, aq sa është e të gjithëve, po aq është e të paktëve. Qysh në fëmijërinë time të hershme, kam parë sesi transmetoheshin fjalët, dhe se si deformoheshin ato. O Zot, sa me rëndësi është transmetimi dhe përdorimi i saktë i gjuhës! Vazhdimisht gjuhëtarët lëshojnë alarmin për keqpërdorime, zëvendësime të panevojshme të fjalëve shqip me ato të huaja etj.

Vitet kaluan dhe punën e Rexhës e pata qit në harresë. Ndonjëherë më kujtohej dhe më ngjallej ajo ndjesia e hidhërimit që pata përjetuar teksa dëgjoja atë këngë-tragjedi. Është një fjalë e urtë që thotë: "Jetimi nuk shpëton kurrë!"

Shpesh herë e kam gjetur të vërtetë! A thua vallë edhe Krishti qe jetim kur e kryqëzuan? S'e di! Di që ne njerzit, jemi të gjithë nga pak Krishta në vuajtje.

Tashmë kanë kaluar shumë vite dhe e gjej veten më të zhytur se kurrë në botën e letërsisë, e shoh si marrosem përditë e më shumë, se si kjo bote e jashtëzakonshme më merr e me mbështjellë në një vorbull të parriztë prej së cilës nuk dua të dal, më vjen nga Suedia romani i fundit i Sokol Demakut "Çou Rexho-Çou djalo!". E prita me gëzim dhe me shpresën se përveç vlerës letrare që mbart çdo roman i mirë, më në fund do të mësoja të vërtetën rreth historisë së Rexhës. E lexova brenda dy netëve!

" Xhelozia është e pashpirt, ajo ia nxin njeriut edhe jetën, edhe mendjen"

Xhelozia zë fill qysh prej krijimit, prej ëngjejve të humbur që deshën të bëheshin Zot, vazhdon me Kainin vëllavrasës e do mbarojë me brezin e fundit të kësaj bote. Pra, kështu paska qenë edhe puna e Rexhës! Ndjeva keqardhje për të po aq sa atëherë kur isha vogëlushe, por edhe për kalin, këtë kafshë që e çon gjithë jetën duke mbajtur barra, e që paska mbartur edhe barren e fajit gjithë këto vite. I përlyer padrejtësisht, qenka "dënuar" ashtu siç dënohen shumë të pafajshëm, ndërsa vrasësi i vërtetë, viktima e zilisë dhe etjes për pasuni e katandi, paska qenë dënuar veç n'at botë.

"Këtu shihet haptazi se sa i pashpirt është njeriu ndaj njeriut, kur ai është i pafuqishëm, i pakrahë, sikur Shaha me të birin".

Mendova me vete, "disa njerëz ndër shekuj mbahen mend e përmenden për të mirë a për të keq, por qe, për faj të gjuhës, të transformimit të fjalës, historia përmend kalin si fajtor, e jo vrasësin e vërtetë, xhaxhain e Rexhës". "Vetëm e vërteta do t'ju bëje të lirë!", citonte Jezu Krishti para ma se dymijë vjetësh. Të parët tanë thonin: " nuk rrin gja n'ter, e qet Zoti n'dritë", shprehje kjo që në fakt buron prej Ungjillit gjithashtu.

Edhe axha i Rexhës, që e vrau nipin dhe e hodhi në grazhd të kalit, ka dalë në dritë! Ma në fund kali fitoi pafajsinë para syve të mi dhe bota e kafshëve feston, sigurisht që edhe Rexha, nëna dhe babai i tij gëzojnë nga Parajsa.

Në fund, dua të citoj këta rreshta me të cilët fillon edhe romani i Demakut, të cilat janë shpjegimi më i mirë i çdo fenomeni negativ në botën e sotme ku jetojmë:

" Çdo pushtues, çdo sundues ka idetë dhe qëllimet e veta dhe çdo herë ka synim që të bëjë atë më të vështirën për njerëzit e atij trualli. Që jeta e tyre të jetë sa më e vështirë, arsimimi të mungojë, shëndetësia, puna por dhe gjërat e tjera elementare të jetës, në mënyrë që popullata t'i nënshtrohet më lehtë sunduesit".

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat