Ilir Ikonomi sjell në Tiranë biografinë "Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti"

Libra

Ilir Ikonomi sjell në Tiranë biografinë "Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti"

Beqir SINA Nga Beqir SINA Më 5 nëntor 2016 Në ora: 07:25
Ilustrim

Një libër biografik prej 570 faqesh për Esat pashë Toptanin, botim i UET Press, është punimi më i ri i gazetarit të “Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi, i njohur për suksesin me Faik Konicën (2011) dhe Ismail Qemalin (2012). Ky libër, fryt i një studimi katërvjeçar, për herë të parë i sjell lexuesit një trajtim të paanshëm dhe neutral të Esat Pashës (1864-1920), të cilin autori e karakterizon si njërin ndër personazhet më enigmatikë të botës shqiptare. Qysh në krye, Ikonomi shtron pa mëdyshje pyetjet që ka marrë përsipër t’u përgjigjet në libër: A ishte Esati mercenari që shiste atdheun për një grusht para? Apo ishte pragmatisti që refuzonte të bëhej shërbëtor i të huajit? Përse i zemëronte disa qeveri dhe ia dilte të miqësohej me të tjera? Si arrinte ky njeri pa ndonjë shkollë të fuste në dilema edhe diplomatët e përpunuar në universitetet europiane? Ku e mësoi artin e të folurit, që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse, sesa belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar?

Përgjigja e autorit është komplekse, ashtu si vetë jeta e Esat Pashës. Në thelb, Ikonomi përpiqet që, nëpërmjet personazhit të tij, të na zhysë në periudhën e formimit së shtetit të ri shqiptar dhe të rrëfejë shumë nga misteret e asaj kohe, kur Shqipëria përballej herë me shpresat e ngritjes, herë me kaosin e rebelimeve dhe herë me fatalitetin e pushtimeve të huaja. Ai nuk moralizon, por thjesht paraqet faktet, duke e lënë në dorën e lexuesit të gjykojë mbi Esat Pashën, i cili edhe sot është objekt debatesh të ndezura. “Personalisht, – shkruan Ikonomi, – nuk më lidh asgjë me Toptanët dhe nuk kam ndonjë interes për të qëndruar në këtë, ose në atë anë të debatit. Aty nuk ka tradhtarë dhe heronj. Aty ka fakte të ftohta që mund ta bëjnë lexuesin të argëtohet ose të trishtohet nga çmenduria njerëzore, por kurrsesi të kalojë në indinjatë apo ekzaltim, kur ndeshet me një poshtërsi a me një heroizëm”. Autori sqaron se libri i tij i drejtohet publikut të gjerë e jo thjesht studiuesve të historisë. Megjithatë, shpjegon Ikonomi, studimi i Esat Pashës nuk mund të mos mbështetej mbi një burim të shëndoshë arkivor, të pandotur nga rrëfimet gojore dhe nga interpretimet subjektive. Për këtë arsye ai ka kërkuar në shumë arkiva për të nxjerrë një arsenal të tërë dokumentesh pak ose aspak të njohura deri më sot.

Por Esat Pasha që na sjell Ikonomi nuk është personazhi statik, që jeton i kyçur në një botë të veçuar, siç e kemi përfytyruar deri më sot. Mjeshtërisht, autori e bën Esatin të flasë dhe të komunikojë me lexuesin në terrenin shqiptar të kohës. Me kujdesin e tij të njohur për detajin, Ilir Ikonomi na zhyt natyrshëm në jetën e Esat Pashës, na bën të shohim dhe të prekim mjedisin ku ai jetonte, të kuptojmë psikologjinë e tij, të thithim të njëjtin ajër.

Libri ka shtrirje të gjerë, por përqendrohet kryesisht në ngjarjet e viteve 1912-1920, periudha më delikate e krijimit të shtetit shqiptar, kur ekzistenca e Shqipërisë ishte vazhdimisht në pikëpyetje. Në biografinë e Ikonomit, Esati rezulton si njeriu ambicioz që nuk e duron tutelën e askujt dhe dëshiron të mbretërojë në një Shqipëri larg ndërhyrjes së Fuqive. Por, shpjegon autori, ky ishte thjesht një iluzion në klimën e rivalitetit mes Fuqive europiane për influencë në Shqipëri. Kjo klimë ndërlikohej edhe më shumë nga synimet e fqinjëve ballkanikë për t’i shkëputur ndonjë copë trupit të dobët të shtetit të ri.

Libri të befason me galerinë e personazheve që lëvizin dhe e ndikojnë botën shqiptare të fillimshekullit të njëzetë: Ismail Qemali, Syrja bej Vlora, Myfit Libohova, Faik Konica, Princ Vidi, Leopold Berchtold, Sidney Sonnino, Carlo Aliotti dhe Nikolla Pashiç janë vetëm disa prej tyre. Esati jep e merr me ta, diku përfiton me zgjuarsinë e tij proverbiale, diku lëshon për t’u rikthyer në skenën politike.

Esat Pasha ruajti një hije dominuese në dekadën e parë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Ndërsa të tjerët u bënë figura kalimtare, Esati arriti të qëndrojë dhe të qeverisë sa mundej në një Shqipëri pa institucione dhe pa miq të fuqishëm. Një ditë, tregon gazetari amerikan Gordon-Smith, duke pirë kafe me Esatin në Durrës, e pyeta për atë që thoshin njerëzit, se pashai sundonte me dorë të fortë. Esati u përgjigj: “Shqipërinë njeriu e qeveris siç mundet e jo siç duhet”.

Për disa, ai u bë një pasha i urryer, sepse bashkëpunoi me Serbinë dhe kërkoi ndihmën e saj për të shtypur rebelimin e Haxhi Qamilit. Për të tjerë, ai ishte prijësi që mbrojti Shkodrën, guxoi t’i kundërvihej rebelimit proturk dhe luftoi në anën e Antantës, bllokut fitues në Luftën e Parë Botërore, ndërkohë që rivalët e tij u rreshtuan me fuqinë humbëse, Austro-Hungarinë.

Ky punim, – sqaron Ikonomi, – nuk ka si qëllim “rehabilitimin” e Esat Pashës. Ai është shkruar për të dhënë rreth tij një vlerësim objektiv, të pandikuar nga ideologjia. Ikonomi ngrihet mbi meskinitetin e disa kritikëve të Esatit, të cilët nuk përfillin terrenin ekstremisht të mjerueshëm ku u ngrit dhe funksionoi shteti i ri shqiptar. Megjithatë, autori nuk mungon të nxjerrë në pah dobësitë në karakterin e Esatit, duke na dhënë përshkrime të balancuara, me teknikat e një studiuesi modern e të përmbajtur.

Parathënia e librit është shkruar nga studiuesi Bejtullah Destani, autor i dhjetëra punimeve historike. “Libri, – shkruan Destani, – është i derdhur në një stil transparent, inteligjent dhe të përmbajtur, ku asnjë fjalë nuk është e tepërt. Ai ndërthur parashtrimin e qartë të dokumentit historik me rrëfimin konciz dhe tërheqës.”

Biografia përmban rreth 60 fotografi të cilësisë së lartë, disa prej të cilave publikohen për herë të parë. Ajo është e pajisur me shënime në fund të faqeve, me një bibliografi të hollësishme dhe me treguesin e emrave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat