Poeti i ëndrrave të zgjuara

Libra

Poeti i ëndrrave të zgjuara

Nga: Daniel Marian Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 11:40
Libri

Arti poetik është një koncept me një karakter normativ, specifik për estetikën që regjistron një ansambël rregullash e normash lidhur me “lindjen” e poezisë, duke respektuar teknikën e letërsisë. Dibran Demaku vjen para nesh me një gamë poemash të shkurta e të denja si frymëzim për piktorët: “buzëmbrëmje e purpurt shtatori/ e lerë me ngjyra në rreze dielli/ ëndërr e hershme flatra mori/ një ylber në një cep qielli” (Peisazh). Apo: “kur ndahen rrugët e jetës/ në ishullin e Itakës apo të Kretës/ ëndrra i shembet të vërtetës// kur ndahen rrugët e jetës/ të gjithë i kthehen vetevetes/ merimanga end penjt’e rrjetës” (Rrugët e jetës)

Përmes strukturës së saj, vepra në fjalë nuk u dedikohet vetëm artistëve, por edhe lexuesve të rëndomtë. Në një mënyrë autentike, duke u nisur nga mendimi e nga shpirti, poeti na e vërshon shpirtin me “Gjeografinë e shpirtit”, “duke mbyllur dyer dhe dritaret/ e ishullit tënd venitur nëpër stinë e vite/ anijes së shpresave iu dogjën faret/nisur drejt teje nëpër vite-dritë” (Nisur drejt teje).

Ndoshta mund të jetë një drithërimë drejt një rrëfimi për një vlerësim të veçantë të shpirtit njerëzor, në një vend të thellë e të plleshëm, siç është Kosova. Vepra respektive mund të kundrohet si një Luvër apo si një Versaj i tërë, me përfytyrime që shpërthejnë nga platforma e fjalëve, të radhitura me elegancë, që nga fillimi, madje që nga kundrimi i ndjenjave të trazuara. Pjesa dërmuese e poemave përfaqësojnë fakte nga historia e kohës, e mendimit, e gjumit dhe ëndrrës: „nuk e di si e ke bërë gjumin/ vetëm unë s`kam fjetur fare/ duke e soditur lumin/ kam bërë rojë në dritare// nata derdhte qetësi/ hënë e verdhë nga lartë vështronte/ në cep të rrugës një njeri/ yllin e vet polar peshonte... (Pagjumësi)

Gjeografisë së shpirtit nuk i mungon elementi erotik i ndjeshmërisë. Gjithmonë i trazuar, guxoj të them se poeti deshifrohet në intimitetin e pashmangshëm të relativitetit: “ora dy e gjysmë e natës/ ti fle gjumë s`të bëhet vonë/ pentagrameve të kantatës/ elegji e ëndrrës sonë// ora katër e mëngjesit/ ti fle gjumë s`të bëhet vonë/ labirintheve të vesit/ tretur është ëndrra jonë” (Zgjuar). Kjo duket më shumë se një deklaratë dashurie, e mbështjellë me një parfum emocionesh. Dhe mu kjo mund të jetë stadi deklarativ i vetëdijesimit të ndarjes së mbarë botës së kuptuar nga të gjitha anët kardinale, e të prura në regjistrin personal.

Do të tentoja të them se fjala është për një „përkohshmëri”, kur kemi parasysh përmbajtjen dhe formulën e kohës në termine të përcaktuara. E nisa një ide këtu dhe dua ta shpjegoj: askund nuk mbetet jashtë nesh rekëtima e probabilitetit tonë. Mundësia e   sekondave që na shpien më tej ndërlidhen me kohën që nuk mund të matet, dhe në asnjë rast të kohës së shtrenjtë të poetit, që ka fat të jetë i lumtur, shpesh herë herët, por edhe po aq herë vonë: “çfarë të të them në këtë mëngjes/ të flas një fjalë apo të hesht/ një bebzë të syrit një pikë vesë/ dhe vjeshta që ka hyrë në mes” (Vjeshtë në mes).

Mirësjellja e shpirtit konsiston në mënyrën për të menduar gjëra të ndershme dhe delikate. Dibran Demaku nuk është vetëm poeti i ëndrrave dhe i kohës, por edhe i mendimeve, i meditimit. Dhurata më e madhe e hyjnive është mënyra për të mos menduar gabimisht. Mendimi është prona më e lartë, ndërsa “përshkrimi” mbështetet në rrëfimin e së vërtetës në konformitet me natyrën, duke e dëgjuar: “e bardhë si reshje e dëborës/ e ëmbël si buzëqeshje e metaforës/ e ëndërruar në shuplakë të dorës/ e mbetur peng në unazë të kurorës” (Ëndërrim).

Shqiptari i Gjermanisë vjen në gjuhën rumune me një projekt të veçantë, me plot imagjinatë dhe ndjeshmëri. Ai din ta gjejë shtegun e fjalëve që vijnë me sinqeritet deri te ti. Ai din ta nxjerrë në breg ëndrrën e zhytur në lumë, me një shpresë të ndezur për një dashuri të zjarrtë. “Gjeografia e shpirtit” është një vepër e rrumbullakët, e pjekur dhe perfekte.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat