Përtej syve

Libra

Përtej syve

Nga: Namik Selmani Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 06:15
Mirënjohje

Asnjëherë, në asnjë vend të botës, në të gjithë moshat e gjinitë, tek të gjithë ata që të vënë përpara dekorata dhe të thonë pafajësisht, fytyrëskuqur se janë analfabetë, në të gjithë librat e filmat që merren me psikologjinë e terapinë e karakterit njerëzor, si një univers shumë më pak i zbuluar se vetë universi astronomik,  asnjë organ nuk i ka të gjitha labirintet e mistershme sa SYRI. Ooo, dikush do më vërë para zemrën! Po jo bre, se zemra nuk duket se si është brenda!!! Nuk shihet para dritës së tij shkëlqimtare, të trishtuar, të gëzuar, të lumturuar, të mallëngjyer të syve të njeriut, edhe pse ushqimi i gjakut dhe ai shpirtëror  është vetë motori i trupit. 

Brenda tyre kemi parë në të njëjtën kohë dashurinë e parë, dhimbjen që çan dhe gurin. Kemi parë në to urrejtjen, kemi parë dinakërinë sa në njëmijë fjalë të pathëna. Kemi parë inteligjencën, poezinë e pashkruar. Dhembshurinë e madhe. Kemi parë saktësinë- “e mati me sy”, Një mjek ta sheh që në sy sëmundjen. Një mësues sheh në të qindën e sekondës mençurinë e atij që ka para. Një rrobaqepës nuk ka nevojë shumë për kartona modeli para syve të tij të saktë. Kemi parë indiferentizmin “mbylli një sy”. Kemi parë miqësinë - “Më ka mbetur në sy”. Kemi parë drojen-“Nuk i del dot në sy”. Kemi parë punën e keqe-“Sa për sy e faqe”. Kemi parë lakminë. Kemi parë fatalizmin-“E ka ngrënë syri i lig”.  Kemi parë atë të pabesin “I hodhi hi në sy”. Kemi parë kulmin e bukurisë së një femre “ ishte sy e veshë”.  Kemi bërë vargun më të bukur të një kënge dasme, dashurie syfilxhan, sydritë”.

Mos i mbaj sitë përdhe/ Faqe portokalle je…Thotë kënga… Ashtu si dhe në këngët e vajit, prapë me sy e kemi nisur e me to e kemi mbyllur “Bir,o bir, kush t’i mbylli sytë?” Kemi parë ftohtësinë e gjykimit- “Me sytë e mendjes” neverinë- “Nuk i hedh as sytë”, tërbimin- “i ra gjaku në sy”, ëndërrimtarin rebel-“Sheh ëndrra me sytë e hapur”, gëzimin e madh -“sy e veshë ishte bërë”, forcën e madhe “të ha dhe syrin”, shpirtin e aventurës -“Mori detin në sy”,  udhëtarin e mençur të botës ”ka parë botë me sy”, një njeri pa ideale, pa shpirt. -“copë mishi me dy sy”, portretin e një thashethemexhiu ndaj kohës që jeton- “më mirë të dalë syri se sa nami”. Kemi parë hutaqin- “nuk sheh syri, por mendja”. Kemi parë një urim të bukur –“Ta hëngsha syrin!” Kemi parë forcën e  rrezatimit të tyre “e ka syrin si plumb”. Kemi parë nishantarin e pushkës dhe atë që di të bëjë gjëra të mira në jetë-  “e mban syrin në shqekëz”. Kemi ndjerë mëshirën kur kemi parë një të verbër duke thënë me zë të ulët e të lartë: “Oh,  mjerë ky i verbër!” Kemi psherëtirë nga larg kur na kanë treguar se një shkrimtar, një kompozitor ka qenë i verbër.

Me orë të tëra kanë qëndruar femrat e çdo moshe para pasqyrës për ta ujdisur edhe më shumë atë dhuratë që i ka dhënë zoti me të gjitha ato vegla bukurie.  

Kemi vrapuar të themi se forca e Homerit në poezinë e  tij të pavdekshme, nuk do të ishte i tillë pa verbërinë e tij. Kjo verbëri do ta bënte atë dhe më mitik se është në të vërtetë përtej 2500 viteve hiostri, prapaskena  luftrash të tjera që kanë përfshirë globin e madh shumëgjuhësh dhe me kaq shumë përplasje gladiatorësh të vjetër e modernë.  Me ta jemi betuar besueshëm: “Pasha sytë e ballit! Mos paça këto dy sy! U qorrofsha!” Kemi parë fundin e të dashurit të familjes me atë thënie kaq emocionuese “Perëndoi sytë”. E kam parë këtë forcë-mister përtej syve të një mësuesi dikur në shkollën

e mesme “Kristo Isak” kur në një “Ditë të Dyerve të Hapura” kishte ardhur një klasë e një shkolle 9-vjeçare e një fshati të largët për të parë shkollën e mesme.

Vendosa të bëja një autotest sysh. Një test që edhe mund të mos e kaloja. Edhe mund të mos e kaloja. Mes atyre 20 nxënësve të ardhur i thashë mësuesit të klasës që e kisha patur dikur shok në një shkolë të mesme ku shërbenim bashkë që të gjeja vetë se kush ishte nxënësi ose nxënësja më e  mirë e klasës. Një sfidë së pari me veten. Një qetësi gati dramatike u vendos në klasë. Një trill pedagogjik!?? Kalova dy herë sytë e nxënësve që rrinin gati si të hutuar edhe para nesh, edhe para vetes, edhe para nxënësve të një klase të nëntë që i kishim ftuar si shkollë.  Besova dhe .. e gjeta. Ajo nisi të qante. Ishte një vajzë që dukej se ishte inteligjente në sy. Edhe mund të gaboja . U ndamë miqësisht me ata miq të ftuar që ishin vetëm 14-vjeçarë.  Dikur para 14 viteve e hapa siparin e meditimit për sytë dhe portën e këtij libri me një simbolikë të veçantë me një poezi të titulluar “Ah, ju sy!”  Nga kjo poezi po rijap të paktën 6 vargje:

Ah, ju sy kaq lakmitarë

Det ku zemra ime tretet…

Ah, ju sy kaq lakmitarë

Derë ku zemra nxjerr të fshehtat

…Ah, ju sy, kaq durimtarë

Hapni dyer e shponi mure

Jepni zemrës ditë të bardha

Mbase endem për mes tyre.

Edhe kur njerëzit i kanë patur të dy sytë, prapë mençuria botërore ka parë njëlloj verbimi me paditurinë që kanë patur njerëzit. Shembulli më i mirë është fjala e mençur e Saadiut që ka thënë 800 vjet më parë se “I dituri mes të paditurve është si e bukura mes të verbërve.” Sytë hapen. Sytë shohin. Sytë njohin. Sytë qeshin..Sytë flasin. Sytë ëndërrojnë...Sytë kërkojnë. Sytë të magjepsin. Sytë të drithërojnë çdo qelizë të trupit. Sytë dashurojnë. Sytë gëzohen. Sytë dyshojnë. Sytë gënjejnë...Sytë fshehin. Sytë tremben. Sytë të trembin. Sytë lotojnë. Sytë thahen. Sytë mbyllen për të mos u hapur më. Përballë forcës së tyre magjike të mistershme shpeshherë kemi qenë të pafuqishëm dhe kemi kërkuar (oh, mos e dhëntë zoti!) mos me pasë syrin përballë së keqes që na shohin sytë . Dhe sheh edhe duart i kemi vënë para tyre me atë fjalë piskamë, vikamë: “Oh, ç’ka po shoh, më plaçin sytë.“

Brenda kësaj hapësire kaq të vogël  kur kemi dashur që të shohim sadopak sinqeritet te ai që flasim, me të cilin dialogojmë, ia kemi thënë, troç ose edhe na e kanë thënë po kaq troç: “Më shiko në sy!” Sytë shprehin gjithnjë atë që ne nuk mundemi ose nuk duam të shprehim me gojën tone, ndonjëherë nga turpi dhe ndonjëherë, sepse nuk arrijmë të gjejmë fjalët e duhura për të thënë! Aq e keqe është ajo që shohim sa ndonjëherë më mirë kur je qorr se nuk ke çfarë të shohësh nga mënxyra që shohin ata me sy dhe me një sy. Kujtoni një çast Rozafën në në errësirën e  përjetshme të gurtë të saj ku do ta dërgonte besa dhe antibesa të parën gjë veç gjirit mëmësor, kërkoi dhe të paktën një sy për ta parë foshnjën e saj.

E nuk ka nevojë që të jesh psikolog para syve. Ato të japin atë që ti nuk e lexon dot në dhjetra libra. Shikoni pikturat e kryemjeshtërve të botës se si kanë punuar me sytë e tyre magjikë!. Shikoni vjedhësit  apo edhe ata hajdutë modernë me celularë e makina luksoze se ç’bëjnë me skulpturat e botës kur duan që t’i rrëmbejnë. Kanë vrapuar që të shihnin vetëm ato, sytë. Në një vrapim vjedhësish kanë marrë një thikë, një daltë guri dhe kanë marrë në sup në karrocë në një karvan kuajsh vetëm kokën ku janë ato sytë që ka bërë skulptori.

Po poeti? Shihni së pari sytë e poetit?  Ai është tek të gjitha ato që thamë e që nuk I thamë dot. Aty janë gjithë qiejt e botës. Se aty retë mjegullore ikin larg pqër të parë kaltërsinë e shpirtit të madh që ka poeti. Aty ortekët bëhen kone të zbutura në këmbët e secilit. Aty ikin cunamet. Aty vijnë pranverat dhe në mes të dimrit si livadhe që livadhojnë edhe kur ka mes tyre dëborë të akulluar. Para disa javësh kam parë një film të mikut tim regjsor skenarist Fuat Memelli për një fizarmoniçist nga Devolli që gjithë jetën e kaloi i verbër. Dhe asnjë nuk e deshi për mëshirën që mund të kishin për të, por për mirësinë dhe magjinë që sillte arti i tij në mbrëmje, në dasma në aktivitetet masive. Përballë verbërisë së njerëzve në nevojë kemi thirrur shpeshherë edhe për indeferentizmin dhe paaftësinë e të pasurve, të shtetarëve dhe në atë çast kemi thirrur:  “O verbëri e të mëdhenjve!”

Mision të madh merr fjala që të shkojë përtej syve. Jo për t’u bërë enciklopedist apo shkencëtar me teleskopë modernë  i qiejve që kërkojnë të tjerë planete në kupën qiellore. Që kërkon të tjera anije të mbytura veç Titanikut apo anijeve të mbytura të luftës greko-persiane. Shikoni sytë dhe poezinë e tyre! Përtej syve!!!??? Mund të mos shkosh deri në fund të Kashtës së Kumtrit, po gjithsesi është udhëtimi më i bukur, më fisnik që mund të bëjë një lexues në kohët moderne, ku, edhe pse nganjëherë nuk është ajo duarzgjatje masive për një monedhë metalike (vetëm monedha metalike duan lypsat.  Nuk duan më bukë lypsat, po vetëm para!!!) në emër të zotit  është misioni i një lufte për të bukurën përtej moralit që shpesh edhe poezinë e ka kapur fort si një grip i gjatë në kohë që nuk ikën as me çaj as me antibiotikët më të fuqishëm që prodhojnë farmakologët e botës me motivin faustian në tavolinat e tyre të punës. (Korrik, 2017).

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat