Shqipëria është Kalifornia e Evropës

Libra

Shqipëria është Kalifornia e Evropës

Nga: Baki Ymeri Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 15:28
(Aleko Vançi dhe libri i tij “Pranë kllanikut”, Bukuresht 1940)

Po të mos ndryshonin fenë, shqiptarët do të ishin një mbretëri e fuqishme, e madhe dhe e përparuar. Zgjidhjen e çështjes kombëtare, nuk duhet kërkuar në përkatësinë fetare, por në forcën e organizimin tonë të brendshëm si vlerë e si komb.

Krahas Visar Dodanit, Gjergj Bubanit, Foqion Miçaços, Lazim Rexhepit të Moldovës dhe Dan Kalisit të Krajovës, Aleko Vançi është njëri nga shkrimtarët shqiptarë të harruar të Bukureshtit. Jetoi përgjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, kur metropola kishte një numër jashtëzakonisht të madh tregtarësh dhe mërgimtarësh shqiptarë. Edhe ai ishte tregtar, i ardhur nga Korça në Bukuresht, nga fundi i shek. XIX.

Kishte dy vajza dhe një djalë,  përkatësisht Gjergjin, profesor universitar i mirënjohur, i dërguar në mision në njërin nga shtetet afrikane, prej nga pat kaluar në Francë, ku edhe vdiq. Vajza e tij më e madhe, zonjusha Vasilikia, njësoj si të mbesat e Asdrenit, ishte mjeke dhe vdiq e  pamartuar. Si pasojë e neglizhencës së autoriteteve shqiptare, shqiptarë të panumërt të këtij vendi, rilindas, bijë dhe bija rilindasish, u shuan pa patur kurrfarë përkrahje, pa kurrfarë afirmimi nga ana e mass-medias, sidomos ata që kishin botëkuptime demokratike dhe antikomuniste. Ndër ta figuron shkrimtari Aleko Vançi dhe fëmijët e tij. Sipas dr. Florin Kolonashit, edhe ky me prejardhje korçare, vajza e dytë e Aleko Vançit, Marina Vançi, jetoka në Pariz dhe qenka gruaja e një artisti të madh me prejardhje hebraike, Jyl Perahim, profesor i Historisë së Arteve në Universitetin e Sorbonës, përfaqsues i avangardës françeze.

Duke hulumtuar skedarët e Bibliotekës së Akademisë Rumune, kuptojmë se Aleko Vançi është autor i një varg veprash letrare dhe shkrimesh tjera që ndërlidhjen me fatin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, të gjitha të botuara në Bukuresht e Konstancë: “Varr’ i mallëkuar” (1927);  “Ngjelka-Faqe-Simite” (1928); “Katua”  (1933), “ Si nderohen Herojtë në Shqipëri”(1937), “Cillin nuk’ e le të vdesë, nuk’ të le të rrosh”, si dhe vepra e tij kryesore që e inkuadron në rradhën e shkrimtarëve të mirëfilltë të periudhës së Mbretërisë:  “Pranë kllanikut” - një antologji e atdhedashurisë shqiptare, me rrëfime të shkurtëra, episode historike, novela dhe reportazhe, e botuar në Bukuresht, në vitin 1940. Edhepse përmendet Bukureshti në ballinë, libri është shtypur në ateljetë e shtypshkronjës “Albania” të Konstancës, gjë që e konfirmon edhe vetë autori,përmes falënderimeve që i drejton pronarit të kësaj shtypshkronje (Mihal Xoxe), “i cili kaherë ka inkurajuar veprat letrare, ashtu dhe mua, dyke më dhënë kredit për librin dhe çmimin e lehtë” (f.309).

Image
Aleko Vançi

Autori me këtë rast, falënderon nxehtësisht zonjat dhe zotërinjtë që patën mirësinë ta ndihmojnë “për shtypjen e kësaj libre, e cila përmban 316 faqe dhe 80 fytyra, me pamje të zgjedhura”. Ndër sponsorizuesit e kësaj vepre të vlefshme, dallohen Mark dhe Petre Qirjazi, Vëllazëria Boboshtare, zonjat Ollga Gajo, Vilma Dodani, Viktoria Zografi, Dhimitër Kristo Rëmbeci, korçarë të tjerë, si dhe një kërçovar: Rexhep Novosella, njëri nga shqiptarët më të pasur të asaj kohe, që pat sponsorizuar edhe banketin për nderë të Ismail Qemalit, me rastin e qëndrimit të tij në Bukuresht, para se të niset me delegacionin e tij për në Vlorë.

Edhe ky libër i rrallë, me vlera të jashtëzakonshme letrare e historike, na ra në dorë falë zemërgjerësisës së xhaxhit Thanas Rëmbeci (85 vjeçar), që vjen nga një familje fisnike e rilindasve të këtushëm, koleksionar vlerash kombëtare, mik i devotshëm i atdhetarëve kosovarë, i gatshëm kurdoherë, për ta përkrahur, inkurajuar dhe afirmuar Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në veri të Danubit. Libri mban përkushtimin e autorit në adresë “Të dashurve Dhorkës dhe Lipit Theoharit, me tërë dashurinë e Aleko Vançit” (31 Tetor 1940).

Për të ngritur moralin e shqiptarit, që të mos harrojë cili ka qenë

Thonë se bota pa libra është botë e egërsirave. Pse e shkroi këtë libër të çmuar, ky shkrimtar i harruar? Përgjigjen na e jep vetë autori, që në kuadrin e parathënies: Në këtë libër, përveç shkrimeve të mija,  po rradhis edhe disa episode historike, për të ngritur moralin e shqiptarit, që të mos harrojë cili ka qenë (7). Me këtë rast, duke dhënë fragmente nga jeta dhe preokupimet e veta prej tregtari, Aleko Vançi shpreh keqardhje për përngutshmërinë e tij për broshurat e  botuara, ngase ato kanë dalë me do gabime si pasojë e mosangazhimit të disa letarëve të këtushëm, nga të cilët ka kërkuar ndihmë “për t’i korektuar në gjuhën moderne”. Një ndihmë të këtillë,  për redaktimin e kësaj vepre, autori e ka kërkuar edhe nga Asdreni, të cilit nuk ia përmend emrin,  por të cilin e konsideron si një mik “që tërë jetën është marë me vjersha dhe letërsi”.

Deshi të huazojë prej tij një fjalor shqip apo ndonjë dispensë me leksione ortografike, por as kësaj rradhe nuk pati fat ngase miku i tij “u mvrenjt si hija e tëndës së dyqanit të Kolës së haneve, dyke lëshuar poshtë vetullat e trasha dhe të dendura si mustaqe, sa mezi i dukeshin bebet e syvet dhe plot inat më përgjigjet: “Ç’më çan kokën dhe më bezdis kaqë? S’ke përveç të lëçitësh dhe ti si mua, biblioteka me qindra vollume dhe pastaj të shkruash”. Aleko Vançi nuk dëshprohet nga mospërfillja e Asdrenit, ngase e dinte se xhelozia ndërmjet shkrimtarëve dhe shkencëtarëve është i një intenziteti të lartë. Dëshprimi i tij me këtë rast, drejtohet në adresë të babait, i cili e hoqi nga gjimnazi grek i Korçës, qysh në moshën 15 vjeçare, për ta dërguar në Vllahi, ngase kish dëgjuar se këtu mblidhen napolonat me lopatë, dhe atë, me një mjeshtëri prej tregtari, që ishte kundër dëshirës së tij, “dyke punuar nga 18 orë në ditë”. Megjithatë, nuk e humbi kurajon. Sa herë që i binte në dorë ndonjë libër apo ndonjë nga gazetat shqipe, fshihej nga familja për t’i lexuar, madje edhe për të krijuar diçka. Një ditë e pat zënë i jati duke shkruar dhe e qortoi: “Dit’ e shkurtër (është). Shëko dyqanë se nuku të japin bukë shkrimet!”.

Nipi i Ambasadorit Gjerman, i admiron shqiptarët

Veprën “Pranë Kllanikut”, autori e shkruan përgjatë një dimri të ashpër, kur si pasojë e një sëmurjeje, mjeku ia kish ndaluar të dalë nga shtëpia. “Dëbora si një shtrat i bardhë dhe i çkëlqyer prej ciknës së madhe, mbulonte gjithësinë. Veriu frynte e vërtitte me kaqe marëzi sa edhe i shëndoshë të ishe, nuk kuzonje të dilnje jashtë nga të ftohtit”(8). Duke bërë fjalë për ndjenjat kombëtare, autori potencon faktin se pas braktisjes së gjimnazit grek të Korçës, të cilin e mbante me shpenzimet e veta një shqiptar i pasur (Jovan Banka), vjen në Bukuresht në vitin 1893. E pranon faktin se si shumë shqiptarë tjerë, vjen i mashtruar nga propagandat greke, madje blen edhe libra greke, nëpër antikariatet e Bukureshtit. Megjithate, këtij korçari të ri i buzëqesh fati të njihet jo vetëm me shqiptarë të kulluar të këtushëm, por edhe me gjermanë e hebrenj, të cilët kishin një adhurim fantastik ndaj kombit shqiptar. Njëri ndër ta ishte edhe inzhenieri Franc Winkler, fqiu i tij që kish projektuar hekurudhat rumune në kohën e Mbretit Karol I. Ai i rëfen se si derisa studjonte në Berlin, babai i tij e dërgoi të kalojë pushimet te xhaxhai i tij, që ishte asokohe ambasador i Perandorisë Gjermane në Stamboll.

Gjermanët interesoheshin për së afërmi për shtetet ballkanike, duke organizuar madje edhe komisione diplomatike për të studjuar popujt e këtyre vendeve. Kur kishte arritur në Shqipëri, sëbashku me xhaxhain e vet, që ish kryetar i komisionit, këtu kish parë një ndryshim të veçantë, si përnga bukuritë natyrore ashtu edhe përnga banorët e saj, që i kishin lënë një përshtypje tepër interesante. “Këtu pamë njerëz pa djallëzi, kavalerë, kryelartë, të gjatë, të bukur dhe trima si disa viganë. Kudo që vamë, na pritnë me kënaqësi si asgjëkundi”. Pasi i rëfen për përshtypjet e paharrueshme nga Shqipëria, Franc Winkleri ia bën më dije Aleko Vançit se po atë kohë qenë takuar edhe me Princ Rudolfin, të birin e Perandorit Franc Jozef, trashëgimtar i fronit të Austro-Hungarisë. “Ekselenca kish dy javë me suitën e tij që gjesdiste nëpër pyjet shekullore të Shqipërisë për gjah, dhe ish kaq i kënaqur sa kur e pyeti xhaxhain tim se ç’përshtypje i bëri Shqipëria, Rudolfi iu përgjigj: I lutem Zotit të më falë ditë të gjata që t’i tregoj botës së qytetëruar, cila është Shqipëria dhe cilët janë bijt’ e saj” (f.12). Admirimi i hatashëm që kishte gjermani Winkler për shqiptarët dhe Shqipërinë, ndikon që Aleko Vançit t’i arratiset nga mendja propaganda greke, e cila ia kishte vrarë ndjenjat kombëtare, duke u mburrur me historinë e të huajve.

 Kushtrim admirimi ndaj Shqipërisë dhe Bashkimit Kombëtar
 
Rumania në kohën e mbretërisë, ishte vend i lirë dhe tejet mikpritës për shqiptarët. Shqiptarët këtu patën një mikpritje vëllazërore, si as në ndonjë shtet tjetër, prandaj, vazhdon autori “në gjirin e kësaj kollonie kish filluar të punohet me energji për të ringjallur ndjenjat kombëtare, ashtu që shqipëtarët që vinin nga Shqipëria, me gjihtë grekomaninë e tyre, ndryshonin menjëherë mëndjen, se ish dhe afër mëntsh: si munt të duash të huajnë më tepër se vehten t’ënde?”. Jemi në prag të shek. XX. Aleko Vançi nuk e harron kurrë entuziazmin që e kaploi kur filloi për herë të parë të lexojë, të shkruajë dhe të bëjë tregti në gjuhën shqipe. Dhe kush ia mundëson këtë? Rumania dhe një gjerman i këtushëm: Franc Winkler. “Enthusiasmi që ndjenja në shpirt, më shtohej dita-ditës dhe prisnja rastin që këtë enthusiasëm ta ç’faq, pa të mbanj llogari në e dinja mirë gjuhën shqipe”. Ai s’e harron as letrën e parë që e pat lexuar në gjuhën amtare (“Shum’ i dashur Vasil! Të lutem ashtu shëndet të kesh/ Bëji një të mirë këtij mustaqe-presh,/ Bli një okë qumësht edhe bëj përshesh/ Në do që t’a njohësh, me gisht t’a dëftesh!”),  as vjershën e parë që e pat komponuar: “Të dashur bashkëatdhetarë”, që ishte një kushtrim admirimi ndaj Shqipërisë, ndaj bashkimit kombëtar, që bota ta dijë “Të kujt bij jemi!”. Autori i fton shqiptarët për një bashkim të atillë, që do ta rilindte Shqipërinë, duke e shpëtuar atë përmes punës dhe dashurisë: “Të punojmë sa të mundim/ Për të shtrenjtin atdhe/ Që të mbeten emrat t’ona/ Të pavdekura mbi dhe”.

 Nuk e harron as datën e 10 Majit, kur shteti rumun kremtonte Ditën e Pavarësisë, kur pati rastin, në bazë të një ftese që ia kishte dhënë një kolonel, myshteri dyqani, të ngjitet në tribunë, prej nga kish parë ceremoninë dhe paradën madhështore të ushtrisë që parakalonte përpara Mbretit Karol I-rë, sëbashku me trashëgimtarin e Fronit, Ferdinandin dhe tërë Familjen Dinastike, e rrethuar prej klerit të lartë, gjeneralëve, ministrave, deputetëve, senatorëve, ambasadorëve, atashatëve ushtarakë dhe popullit. “Pashë me vërrejtje gjer sa mori fund parada, duke admiruar ushtërinë e cila meriton lavditë më të larta, se ky popull aq i zoti mundi të qëndrojë pas kaqe invazione(sh) barbare, të ruajë fenë, gjuhën dhe atdhetarismën të pa tundur me shumë sakrifica, duke përparuar si asnjë shtet tjatër në Ballkan”(f.16). Megjithatë, pas gjithë asaj që pa për herë të parë në Rumani, përshtypje më të madhe i pat bërë bataljoni i përbërë prej nxënësve 15-16 vjeçarë, duke kaluar me muzikë, flamur dhe komandantin e tyre, të cilët defiluan përpara Mbretit dhe popullit. Entuziasmi ishte i papërshkruar. Nga të gjitha anët dëgjoheshin brohoritjet: “Uraaaa! Uraaaa!

Po të mos ndryshonin fenë, shqiptarët do të ishin një mbretëri e fuqishme, e madhe dhe e përparuar

Atë ditë, si asnjë herë në jetën e tij, Aleko Vançi pat ndjerë helmin më të madh të shpirtit. Në vend që të kënaqet duke parë për së pari herë një festim kaq madhështor, përkundrazi, ai kthehet fort i trishtuar në dyqan, duke pyetur vetveten: “Vallë, pse neve, të cilët siç na thonë bota, diç kemi qenë, fati na ka dënuar kaqe reptësisht, më tepër se çdo tjatër popull, që pa liri, pa mbret, pa ushtri, pa kulturë? Vallë, ç’është ky mallkim që na mundon? Ndofta, siç kam lëçitur më pastaj, se po të ishin shqipëtarët të bashkuar, të kupëtoheshin midis tyre, të mos përndaheshin dhe të mos ndryshonin fenë, do të ishim një mbretëri e fuqishme, e madhe dhe e përparuar, po kjo i la prapa dhe sot as një popull në Evropë nuku është në një gjëndje kaq të vështirë si shqipëtari” (17). Idetë e autorit janë personale, por ato përputhen edhe me idetë fisnike të inteligjencisë shqiptare në Kosovë, Maqedoni e gjetiu.  Edh malësori më i thjeshtë i Sharrit, Xhevat Refiku i Shipkovicës, e din se “ne kemi qenë llatinë përnga feja”.

“Sulltani kishte urdhëruar që katolikët ose të turqizoheshin ose të transferoheshin”,  që do të thotë se ishte paralajmëruar një dëbim dhe gjenocid i paparë i shqiptarëve nga trojet e tyre, kurse më 25 prill 1702, thotë se “presioni ndaj katolikëve është shtuar, kështu që pikërisht atë ditë, kanë kaluar në fenë islame 1000 katolikë” (Engjëll Sedaj, “Papa Shqiptar Klemneti XI – Albani”, Prishtinë, 1998, f.52). Po këtë ide, e shpreh edhe një princeshë shqiptare, të cilën e citon vetë Aleko Vançi: “ Si kundër dhe Dora d’Istria, Elena Gjika, një nga më të famshmet shkrimtare të Evropës në shekullin e XIX-të, e cila mburëshe se në rrembat e saja rrjeth gjak shqipëtari, tha më vjen shumë keq, se ky popull kaq i vlefshëm, është në rezik të humbasë, nga shkaku se ndroj fenë” (f.17). Idetë, edhe të njërës, edhe të palës tjetër, janë të koklavitura. Kujt t’i besojmë më parë? Shkrimtarit vllah Dimitrie Bolinteanu, që i hymnizon shqiptarët që e përqafuan fenë e pushtuesi si pasojë e së cilës nuk u asimiluan, apo autorëve të sipërpërmendur? Sido që të jetë, ideja e Ali Podrimjes në këtë kontekst, na duket më produktive: “Zgjidhjen e çështjes kombëtare, nuk duhet kërkuar në përkatësinë fetare, por në forcën e organizimin tonë të brendshëm si vlerë e si komb”.

Nuk mund ta përshkruaj gëzimin që ndjeva, kur Shqipëria fitoi pavarësinë

Autori në vijim përshkruan gëzimin që ndjeu në shpirtine tij kur Shqipëria fitoi Independencën, më 1912. Më tej thekson se në vitin 1918, fill pas mbarimit të Luftës Ballkanike, kapiteni dr. Richard Kuehnel, kryetar i Sesionit Shqiptar në Shërbimin Oriental të Ministrisë austro-hungareze të Luftës, duke bërë fjalë për prodhimet e lëndëve të para, përkatësisht për begatitë e paeksploatuara shqiptare, e konsideron Shqipërinë si “Kalifornia e Ballkanit”. Autori i arsyeton konsideratat e Kuehnelit me një varg argumentesh, që kanë të bëjnë me begatitë mbitoksore dhe nëntoksore, duke numëruar vajgurin, bakrin, arsenikun, hekurin, kromin, platinin, bizmutin, gëlqeren, çimenton, plumbin, çelikun, arin, kripën, peshqit, ujrat minerale….Duke bërë fjalë për rivierën shqiptare, Aleko Vançi thekson se “në fushën e Durrësit ka predikuar edhe Apostull Pavli. Këtu i pëlqente të jetonjë Ciceroni, i cili e quante “Admirabilis Urbis”.

Në bazë të kërkimeve që kanë bërë asokohe (1917), disa gjeologë të famshëm në nëntokën e Shqipërisë, kapiteni dr. Kuehneli ka konstatuar se Shqipëria premton të jetë prodhuesi më i madh i vajgurit në Evropë. Sipas autorit, “rreh Beratit, Kuçovës, Pukës, e krahinat pranë Durrësit, Shkodrës, Selenicës, Korçës, etj. janë vënde vajguri nga të cilat aproksimativisht munt të them se dalin afër 20 milionë tone vajguri në vit. Dhe sot, sipas komentimeve që bënte gazeta e Tiranës “Fashizmi”, në muajin Qershor 1939, vetëm në Kuçovë, prej 500 puseve që ka, nxjerr 12 milionë tone në vit, nga të cilat 80% është bencinë nga ajo më e mira. A shëkon pra se sa e begatshme është toka jonë? Dhe me gjithë këtë, populli nuk ngopet me bukë” (22). Pyetje dhe përgjigje e dhembshme kjo, jo vetëm për sivëllezërit tanë në Kosovë, me pasuritë nëntoksore të së cilës u ngrit Beogradi, por edhe me vajgurin e Shqipërisë, i eksploatuar nga shoqëri të ndryshme franceze, italiane e anglo-persane, disa prej tyre “duke nxjerë nga shtatmijë ton vajguri në vit”. “Malet tona flori kanë, neve lypim an’ e mb’anë”. Me gjithë këto thesare që ka “një atdhe që sipas llogarive të ekonomollogëve, mund të ushqejë pesëmilion njerëz”,  “populli shqiptar vuan më tepër se çdo popull tjetër, (aq) sa është i shtrënguar të braktisë familjen dhe të marrë arratinë në botën e gjerë, për t’i siguruar bukën e gojës familjes së tij fatzeze” (24). Shpëtimin nga një gjendje kaq të tmershme, porsi Visar Dodani, Foqion Miçaço, korçarë, kërçovarë e tetovarë tjerë të Bukureshtit, autori e pret jo vetëm prej punës dhe shqiptarëve të ndershëm e me ndjenja njerëzore dhe patriotike, por edhe prej Italisë dhe Nalt Madhënisë Tij, Mbretit Perandor Viktor Emanuel të III-të dhe Duçes. Ka gjasa që mu për këtë simpati, jo vetëm ai, por edhe Dodani, Miçaço e Bubani, të mbeten në margjinat e harresës, duke qenë madje të injoruar, edhe nga cenzura e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Tiranë, 1985).

Asdrenin e ftoi në pallat, Mbretëresha e I-rë e Rumanisë

I prekur nga vlerat fizike dhe shpirtërore të atdheut, autori konstaton se fushat e luadhet e pamatura ku lodron shqiptari i vogël, bukuritë natyrore dhe pasuritë e Shqipërisë, e mahnisin çdokend. Prirjet e tij për ta përshkruar ambientin shqiptar, kaplojnë përmasat e vlerave letrare: “Në këtë brez të Ballkanit, ndodhet kjo Shqipëri, begatija e së cilës po çudit të tjerët. Në këtë vënt gjejmë atë aromë lulesh, që na bën të harrojmë për një copë herë, hallet e dertet e kësaj bote. Brigjet, kodrat e fushat kundërmojnë të shoqëruara me këngët e bukura të bilbilave. Shushurima e pronjëvet dhe ushëtima e ëmbël dhe prekse e lumenjve, formojnë lidhjen e pambaruar me ndjenjat t’ona të brëndëshme”. Përshkrimet e këtilla i dinamizojnë edhe një varg panoramash e fotografishë, në të cilat defilojnë “Kostumet e djalërisë toske”, “Sonde vajguri në Shqipëri”, “Kostume nga Tirana”, “Gratë e Dardhës”, “Peisazh me katarakt”, “Kostume nga Dibra”, “Heroinë malësore”, “Kështjella e Skënderbeut në Krujë”, “Luftëtarët malësorë shqiptarë”, të cilat i konsideron si “Shqiponjat e Shqipërisë”, Naim Frashëri, Dora d’Istria, Asdreni, etj.

Asdrenin e ftoi në Pallat, Mbretëresha e I-rë e Rumanisë, Elisabeta. Duke bërë fjalë për Asdrenin në kuadrin e kësaj vepre, Aleko Vançi çmon “vjershat e tij plot zjarr”, me të cilat “përvëlonte grekërit dhe grekomanët, si dhe të tjerët armiq të Shqipërisë”. “Kur ardhi Vidhi, i pari mbret në Shqipëri, Asdreni i përkëtheu në gjuhën shqip, jetën e Vidhit dhe shkrojti një marsh mbretënor. Për këto vepra u thirr prej profesorit Tigara Samurkash, drejtor i asaj kohe në Fondacionin (Mbretëror)  Karol i I-rë, që t’i paguajnë mundimin. Po Asdreni me modestinë e tij nuk pranoi të marë asnjë pagesë, se këtë e bëri për detyrën e ndjenjave të tij atdhetare. Atëherë e utrdhëruan të vejë në Pallatin Pelesh, në Sinajë, ku desh t’a njohë dhe ta falënderojë Madhërija e Saj, Mbretëresha e I-rë e Rumanisë, po Asdreni i turpëshmë dyke mos patur kuximin dhe kurajon e Naços, nuku vajti. Atëhere Mbretërresha i dërgoj një fotografi me nënëshkrimin e saj si kujtim” (93). Duke aluduar në proverbin “vdis pa të të dua”, autori shpreh keqardhje dhe mllef ndaj qeverisë shqiptare, që e pushoi Asdrenin nga puna që kish si sekretar i konzullatës shqiptare,  gabim të cilin më vonë u mundua ta rektifikojë përmes dekorimit të bylbilit të Drenovës, me urdhërin “Oficer i Skënderbeut”.

Kryeveterani Nikolla Naço, burrë i madh i kombit Shqiptar

Pasi bën fjalë për Gjergj Kastriotin, Ali Pashën, Anastas Kulluriotin, Dora d’Istrian, Naim Frashërin, Fan Nolin,  Boboshticën, Pogradecin, Qiriazët, Besa-Besën etj., Aleko Vançi ndalet te figura madhështore e Nikolla Naços, të cilin e konsideron si “burrë i math i kombit shqiptar”, “kryeveteran” që arriti të bëhet tregtar pambuku në Mansurë të Misirit, ku bëri një pasuri mjaft të mirë, por, për shkak të nderit, “u shtrëngua të braktisë tërë pasurinë që kish dhe ardhi këtu në Bukuresht, ku e dinte se është qëndra e lëvizjes për rilindjen shqipëtare dhe si një luftëtar i zjarrtë i idealit kombëtar, u pranua me krahë hapur në gjirin e kësaj kollonie, ku bashkëpunoi duke konsakruar tërë fuqitë e tija me një aktivitet dhe devotament të pa treguar gjer në orën e vdekjes” (68). Naçua me vullnetin e tij të çelniktë, arriti të bëhet faktori kryesor, duke përhapur ndjenjat kombëtare te krejt shqiptarët e Rumanisë, kudo që gjendeshin e të cilët, në shenjë mirënjohjeje, e zgjodhën më 1884, kryetar i Shoqërisë “Drita”, për të hapur tetë vjet më vonë shkollën e parrë shqipe të Bukureshtit, me profesorë të famshëm universitarë, ndër të cilët edhe dijetarin B.P.Hashdeu (me prejardhje hebreje), filoshqiptar i zjarrtë që la një varg shkrimesh jashtëzakonisht të vlefshme për gjuhën shqipe, për prejardhjen, lashtësinë dhe trimërinë e shqiptarëve, si dhe për lidhjet e lashta linguistike mes gjuhës shqipe dhe asaj rumune.

Naçua sipas Aleko Vançit, “dërgoi përmbi 100 studentë në shkollat e ndryshme që t’i pregaditë për të ndtritur popullin shqipëtar. Blevi një shtypshkronjë me 20.000 franga ari që (i) mblodhi kur themeloi shoqërinë “Drita”, dyke shtypur me mij(ë)ra libra, të cilat i (sh)përndau në tërë anët e Shqipërisë dhe këtu. Themeloi të parën shoqëri shqipëtaro-rumune dyke tërhequr miqësinë e shumë politikanëve të dëgjuar të Rumanisë, të cilët e admironin dhe e përkrahnin në çdo rast, për të plotësuar qëllimin e shenjtë të çështjes shqiptare, dyke bërë propagandë me gazetat dhe broshurat që nxirrte, dyke patur si bashkëpunëtorë njerëz të zotër të pendës. (…) Ç’do ditë, i pa lodhur, vizitonte dyqan më dyqan bashkatdhetarët, të cilët me fjalët e tij plot bindje i inkurajonte të mos humbasin shpresën, se si nesër do ta shëkojnë Shqipërinë të lirë dhe të lulëzuar, që të harrijmë dhe neve në rradhën e popujve të qytetëruar. Ç’bën tjerët me pushkë, Naçua bëri me fjalë, pa interes material, sa shpesh herë, për turpin e kollonisë, i mungoni edhe ato më të nevojëshmet. Me gjithë këto, asnjëherë nuku e humbi kurajon, po vazhdoj luftën përpara. Në çdo manifestim nuku liheshe pa dalë me flamurin në dorë, dyke prezentuar Kolloninë Shqipëtare, të cilën ay më tepër se çdo tjetër e bëri të njohur në botën e huaj dhe asnjëherë s’e humbi shpresën për shpëtimin e Shqipërisë, me të cilën në gojë gjer në buzën e varrit kur dha shpirtin në moshën 72 (vjeçare), më 4 Prill 1913, vdiq i zhuritur se nuk’ pat fatin të shëkojë Shqipërinë të lirë dhe independente”(68-69).

Shqiptarë të shenjtë janë ata që  inkurajojnë veprat kombëtare

Ka edhe shumë faqe dhe subjekte tjera interesante, të kësaj vepre të shkëlqyer që meritojnë të citohen e prezentohen. Dallohen ndër to poezitë si dhe artikujt lidhur me adhurimin e Napoleonit ndaj ushtarëve shqiptarë, që parakalonin para tij “si ca mbretër të maleve”. Vijnë pastaj rëfimet lidhur me Themistokli Gërmenjin, Loni Logorin, Kolegjin për Vajza, Parashqevi Qirjazin, Bajram Bozaxhiun, islamizimin e labërve etj. Qëllimi i autorit, për t’ia ngritur lexuesit shqiptar moralin dhe krenarinë e përkatësisë kombëtare, është një qëllim fisnik.”Nuk ka gjë më të shtrenjtë, më të shenjtë, më të dashur, dhe më të ndershëm se (sa) Atdheu, i cili është vëndi ku kemi lindur dhe gjuha e mëmës”(86). Autori falënderon tregtarët e ndërgjegjshëm që dinë ta pastrojnë pasurinë, njëri ndër ta duke qenë Naum Sotiri nga Poradeci “një nga më të vlefshmit patriotë veteranë dhe pionerë të idealit kombëtar, i cili është i vetëmi pa pretensione, që ka ndihmuar dhe ndihmon nga herë të vobegtit dhe inkurajon veprat kombëtare, letrare dhe kulturore, me një kalorësi kryenaltësie të rrallë” (307). E përkujton poashtu edhe Marko Qirjazin, veteran dhe patriot i vërtetë, i pajisur me karakter, kryelartë, bujar, inteligjent dhe zemërbardhë, që përherë me qesen hapur ndihmon të varfërit, pagëzon dhe kurorëzon fqinjët e tij pa kursim, dhe me kënaqësi shpirtërore të veçantë, inkurajon dhe përkrah literaturën kombëtare, duke patur një program të shenjtë: “që sa rron, t’a bëjë të mirën me duart e tij”.  I këtillë ishte edhe vetë autori, Aleko Vançi, tregtar dhe patriot, njëri nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë të Bukureshtit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat