Libri që kontribuon në pasurimin e literaturës dhe të mendimit gjuhësor

Libra

Libri që kontribuon në pasurimin e literaturës dhe të mendimit gjuhësor

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 16:15
Ballina e librit të autores prof. dr Have Qyqalles- kushtua sistemit foljor të gjuhës shqipe në veprën e Bogdanit

Para të pranishmeve në sallën e Qendrës të studimeve Albanologjike në Tiranë  dr. prof. Sedat Ku?i  në fjalën e tij kushtua veprës me titullin  “Sistemi foljor i shqip në veprën Pjetër Bogdanit” dhe të autores prof. dr.  Have Qyqalles,  në mes tjerash tha: ” Duke e studiuar tri kohët themelore sintetike e tashmja, e pakryera dhe e kryera e thjeshtë e mënyrave të foljeve - dëftore, lidhore, dëshirore, habitore dhe urdhërore, të cilat  dalin të trashëguara nga periudha indoevropiane e shqipes, d.m.th. nga proto shqipja dhe shqipja e kohës së mesme.

Studimi i autores Qyqalla fillon me trajtimin e kohës së tashme dhe vazhdon me të pakryerën dhe të kryerën e thjeshtë të dëftores. Autorja, nga korpusi i grumbulluar i sistemit foljor, siç del në veprën e Bogdanit, shpjegon se cilat folje janë të këtyre kohëve, si dalin ato në secilën vetë të numrit njëjës dhe shumës, nga sa herë janë përdorur në tekstin e Bogdanit dhe në cilat faqe dalin. Ajo shënon në mënyrë shumë të qartë temat e foljeve dhe mbaresat vetore të tyre, madje edhe me variante të sakta sa herë që dalin të tilla. Të gjitha këto krahasohen me temat dhe mbaresat e sotme të foljeve dhe bëhen shpjegime për zhvillimin historik të tyre në mbështetje të studimeve të gramatikës historike të gjuhës shqipe, të bëra nga autorët shqiptarë dhe të huaj.

Autorja e monografisë shpeshherë bën krahasime me format foljore që dalin në “Mesharin” e Gjon Buzukut

Në analizat që bëhen midis trajtave të foljeve të shqipes së sotme normative dhe dialektore të krahasuara me format gjegjëse të foljeve që dalin në veprën e Bogdanit autorja e  sistemit foljor të shqipes  shpeshherë  bën krahasime me format e njëjta foljore që dalin në “Mesharin” i Gjon Buzukut, e më rrallë  të veprat e  Pjetër Budit e të Lekë Matrëngës. Kështu lexuesi mund të ketë para vetes një pasqyrë më të plotë të sistemit foljor të veprës së Pjetër Bogdanit dhe të gjuhës shqipes të shekujve 16-17.  Foljet e zgjedhimit të parë të diatezës jo veprore dalin me forma të gjetura në veprën e Bogdanit, por për vetën e dytë të njëjësit autorja nuk ka gjetur asnjë shembull të vetëm në këtë rast ajo i ristrukturon format e këtilla të foljeve në mbështetje të studimeve historike, të bëra për sistemin foljor të shqipes.  Edhe për vetën e parë dhe të dytë shumës të së pakryerës nuk dalin shembuj në veprën e Bogdanit, por këto hartuesja e  e librit i ka rindërtuar në bazë të analogjisë me format e këtilla që dalin tek autorët e tjerë të vjetër. Ndërkaq, veta e tretë e njëjësit del me tri forma të ndryshme te foljet e zgjedhimit. Mund të theksohet se format e së pakryerës me mbaresën vetore -ke, që janë karakteristike për të folmet e gegërishtes verilindore, dallohen shumë qartë dhe kanë një përdorim mjaft të shpeshtë, gati barabar me format foljore që dalin me mbaresën vetore.

Foljet e zgjedhimit IV, të tipit  eci, iki, hipi nuk dalin asnjëherë në vetën e parë dhe  të dytë  të njëjësit, ndërsa në vetën e tretë ato dalin të jenë  asigmatike. Te format foljore të së ardhmes, edhe pse dëshmohen të tri format e kësaj kohe, dominon, pothuaj plotësisht, e ardhmja me kam + paskajore e tipit me baam. Forma e dytë e së ardhmes së tashme formohet nga folja ndihmëse  kam dhe paskajorja e tipit për të ardhur, por ka përdorim mjaft të kufizuar. Ndërkaq, e ardhmja me do+lidhore e tashme është edhe më e rrallë dhe del, sidomos, me foljet që shprehin dëshirë. Në sistemin foljor të veprës së Bogdanit autorja në studimin e saj ka vërejtur se krahas formave të mirëfillta të vetës  tretë njëjës të lidhores së tashme të vinë, të lëshojnë, të bëjë etj. dalin edhe format korresponduese të dëftores të kallëzon, të kumbon, të zotëron, të cilat janë karakteristike për të folmet e gegërishtes.  Aty janë hetuar pjesoret me prapashtesën –“m” me të cilën dalin foljet e zgjedhimit të parë dhe të tretë p.sh. baam, leem, biim, punuem, kallëzuem, e cila sot më tepër del në forma tepër të kufizuara dialektore. Një vend i rëndësishëm në këtë kapitull i është lënë analizës së mënyrës habitore si një nga mënyrat më karakteristike të gjuhës shqipe, e cila shumicës së gjuhëve të Ballkanit dhe më gjerë u mungon.

Kapitulli i dytë fund e krye u kushtohet formave foljore perifrastike: kohës së kryer, më se të kryerës dhe të kryerës së tejshkuar, të cilat në veprën e Bogdanit nuk kanë ndonjë ndryshim për t’u dalluar nga standardi i shqipes.

Në Kapitullin e tretë të këtij studimi monografik janë përfshirë funksionet e formave foljore që dalin në veprën e Bogdanit. Aty përshkruhen të gjitha llojet e kallëzuesve foljorë të formuar nga foljet e kohëve dhe të mënyrave të ndryshme, në format e tyre primare dhe të mbartura, që shoqërohen me lidhëza të ndryshme dhe formojnë të gjitha llojet e fjalive të varura në frazë. Kapitulli i katërt trajton foljet gjysmëndihmëse modale të aspektit. Këto folje janë analizuar sipas funksioneve që kryejnë kur përdoren me format e pashtjelluara të foljeve: pjesoren, paskajoren dhe përcjelloren.                  

Librit “Sistemi foljor në veprën e Pjetër Bogdanit” është një ndihmesë për fushën e studimeve të historisë së gjuhës shqipe

Kapitulli i pestë i titulluar “Teksti i Bogdanit sipas funksionit të kohëve foljore” synon të japë një pasqyrë më të qartë të përdorimit të sistemit foljor në kontekste më të gjera se fjalia dhe periudha. Aty dalin edhe një varg statistikash për llojet konkrete të kohëve dhe të mënyrave të foljeve të studiuara në bazë të përmbajtjes fetare dhe filozofike të veprës së Pjetër Bogdanit ku stili narrativ dhe komentues janë më të shpeshtit, prandaj në mbështetje të këtyre përdoren edhe format e veçanta të kohëve të foljeve. Vetë natyra e veprës ka ndikuar që foljet e vetës së parë dhe të dytë njëjës dhe shumës të përdoren tepër rrallë, ndërkaq foljet e vetës së tretë në njëjës dhe në shumës kanë një përdorim shumë të gjerë. 

Pas të gjithë këtyre kapitujve vjen një përfundim që është mjaft i gjerë dhe rekapitullon thëniet, analizat, sintezat dhe komentet e kapitujve paraprakë. Krejt në fund është dhënë literatura, e cila është shfrytëzuar për hartimin e kësaj monografie. Stili i monografisë është stil i veprave shkencore me një gjuhë të mbështetur thellësisht në normën e shqipes standarde. Terminologjia shkencore e përdorur është e shqipes, por shpesh përdoren edhe termat ndërkombëtarë gjuhësorë. Prandaj, vendimi i Këshillit Shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë  shqipe që ta botojë këtë  libër kushtua sistemit foljor të shqipes kontribuon në pasurimin e literaturës dhe të mendimit gjuhësor të gjuhës shqipe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat