Si na erdhi ai, i ndaluari

Libra

Si na erdhi ai, i ndaluari

Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 09:16
Kopertina e librit

Shkrimtari Visar Zhiti në librin e tij më të fundit, "Si na erdhi ai, i ndaluari..." në fakt na tregon kthimin e tij dhe më shumë se sa aq, atë të të Birit, që tre vjet më pare iku në amëshim, yjeve duke hedhur dritën e tij mbi dhembjen e madhe.

Në ballinën e pasme të librit lexojmë: ‘…është një rrëfim ngulmues me befasira, ku lidhen si me një fjongo të errët dy kohë e dy breza me dëshmi poezinë dhe dhimbjen. Shkas dhe protagonistë janë poeti rus Evgeni Jevtushenko bashkë me një student shqiptar me emrin Atjon, biri i autorit…”

Dhimbja këtu është kujtesë dhe art, një përzierje e realiteve dhe moral, klithma e një njeriu për të vertetat dhe misterin

Në vijim kemi zgjedhur disa pjesë për lexuesin tone, si dashuri për një bir….

TE MBASH NGA KRAHU NJE POET…

Me të mbërritur në Zvicrën italiane, në Lugano, në pasditen me dritë e freski liqeni e malesh, poeti Sebastiano Grasso e ktheu veturën për nga hoteli, ku kishte bujtur Jevtushenkoja.

Po prisnim në holl, kur ai ia behu te shkallët, i gjatë, i veshur në mënyrë piktoreske si përherë, zotëronin ngjyrat e çelëta me pak nuanca këtë herë, i dobësuar, me patericë. Ecte ngadalë si i pamësuar ende, moskokëçarës ndërkohë, se i mjaftonte ajo ecja tjetër si poet, ndër më të shkëlqyerat e shekullit XX. Pranë kishte të shoqen.

Ja, thirri hareshëm duke ngritur lart patericën, eci apo s’eci? Dhe u përqafuan me Sebastianon duke shkëmbyer me zë të lartë fjalë mirësjelljeje. Jevtushenkoja e fliste italishten me theks të ndjeshëm rusi, të përzier me spanjishten e tij. Sebastianoja e shkërbente me humor, duke u dhënë fjalëve theks rus. U bë paraqitja, kjo është Eda dhe djali, Atjoni… familja e atij që të përktheu në shqip. Jevtushenkoja shfaqi vëmendje dhe dashamirësi.

Jo, jo, e kujtonte vërtet, - do t’i thoshte Atjoni mamit. - Madje pyeti për ty, - do të më thoshte Eda.

Jevtushenkoja u ul në kolltukun midis të gjithëve, më të rëndësishmin. Këmbën e djathtë nuk e kishte më. Ia kishin prerë në operacionin e fundit…

Porositën kafe. Por do të duhej libri për veprimtarinë e mëpastajme. Jevtushenkoja u ngrit që ta merrte vetë. Pas tij u ngrit menjëherë dhe Atjoni, e ndieu se duhej t’i gjendej, iu afrua. Ai pranoi. Ecën ca bashkë krah për krah. Heshtje kërkëllitëse. Kthimi edhe më i bukur. Poeti i moshuar, mbahej pas një të riu, që rrezëllinte.

Jevtushenkoja do të hapte librin e tij me poezi në italisht e rusisht dhe do të lexonte me zë, që Sebastianoja ta qortonte atje ku do të çalonte në shqiptim. Zëri i lartë i Jevtushenkos sikur i nxiste gjestet e tij që të ishin më të mëdha, hovëtare. Kur vështronte, në sytë e çelët sikur i yllëzohej një dritë… ylli i Kremlinit, jo, jo, një shandan i largët…

Takimi me lexuesit do të bëhej në rrugë, në një nga sheshet kryesore në “Lungolago”. Dyert e shitoreve qenë mbyllur, vitrinave shihej malli, thasët e kafeve a reklama e tyre. Kalonin njerëz. Qenë ndezur dritat, që liqeni mezi ç’priste t’i pasqyronte si buqeta fërgëlluese flakërimash.

Ahaa, do të ndodhte e kundërta, Narcisi i ringjallur do të dilte nga liqeni si nga një ëndërr, me leshrat e qullura… Policia kishte ndalur trafikun e makinave. Shkuan dalëngadalë për andej. Trokëllimë e hareshme paterice. Atjoni im i kishte futur krahun shpengueshëm Jevtushenkos, që të mos e ndiente se po e mbante, por si afrim, si nderim…  më ngjante me gjyshin, do të më thoshte dhe të njohurit që do të shihnin fotot e tij me atë në Lugano, do të pyesin: Atjon, me gjyshin ke dalë këtu? Po, po… - nuk do ta zgjaste ai.

Në fakt gjyshërit e Atjonit e donin letërsinë, edhe pse të përndjekur nga regjimi. Njëri prej tyre, atë që nuk e kishte parë kurrë, kishte bërë dhe vetë letërsi, kishte shkruar poema, drama, Atjoni u kishte bërë vizatimet e kopertinave dy librave të tij që kishin dale së fundmi, dhe kishte parë një pjesë të tij në teatrin “Metropol” në Tiranë, u shfaq posaçërisht për të, se kishte ardhur nga Milanoja. Kurse  gjyshi tjetër ishte lexues i mirë dhe blerës i rregullt i librave atëherë në varfërinë e madhe e në dhunën më të madhe. Tani gjyshi jeton në Çikago, larg në SHBA, ku është dhe Jevtushenkoja, por jo për të njëjtat arsye.

Qeshte im bir, teksa do të më tregonte më vonë me adhurim që Jevtushenkoja i shiste vetë librat e tij, aty në këmbësore, jo, jo, do ta ndërpriste Eda, po, po, do të këmbëngulte Atjoni, pasi mbaroi takimi i tij me lexuesin, në tryezën buzë liqenit ishin librat e tij dhe ai, shiteshin… pranë ujërave si në një ëndërr.

Jevtushenkoja kishte recituar me patos rusisht. Mbante me njërën dorë mikrofonin, që pastaj e fiksuan diku, dhe me dorën tjetër ndiqte ritmin e poezisë, shtrinte krahun, valëzonte ëmbël gishtërinjtë e gjatë, prekte gruan anash, e shtrinte krahun përsëri nga publiku përballë, ku mes të tjerëve në këmbë ishin dhe Eda e Atjoni, e Rayna. Sebastianoja rrinte në të djathtë të tij, me kostum të zi, pa kravatë, me syzet e ngritura mbi krye, ngecur mes flokëve të prera shkur. Jevtushenkoja e uli zërin, në qafën e ligur i shiheshin damarët, sytë i shkëlqenin në zgavrat që i dukeshin të mëdha. Duartrokitje. Ai buzëqeshte. Pas kurrizit të tyre, tej, kalonin vetura. Pastaj lexime në italisht nga aktorë.

Diskutuan kritikë të njohur, edhe Sebastianoja.

Jevtushenkoja po jepte autografë. Paterica s’ishte aty, diku e kishin lënë. Ia sollën kur u ngritën. Një patericë kishte apo dy? S’i përdorte njëherësh të dyja? Bastun, the? Apo, kur i futnin krahun, s’i duhej asnjëra?

Ja, Atjoni pranë tij. Po e kërkonte Jevtushenkoja.

Pastaj panë dhe ekspozitën e tij fotografike. Imazhe dhe vargje. Shina treni, një vogëlushe që vrapon, shishe, buzët e së dashurës së Jevtushenkos, më tej “vrasësi i plakur” etj. Dhe pastaj artikulli i Sebastianos në revistën e PEN-it Italian.

Si the, që Jevtushenkoja ishte veshur në mënyrë piktoreske? Zotëronte e verdha, edhe në kapelë, në kravatë, variante të saj, katrorë, lulurina edhe në xhaketë, dhe gishtat e tij të gjatë sikur kishin polen zambakësh.

Veshjet në shoqëritë e hershme tregonin se cili ishe, çfarë identiteti kishe, kujt i përkisje. Edhe në Shkrimet e Shenjta flitet për veshjen. Ngjyrat janë lavdia, llojshmëria e saj. Edhe Krishti kishte petka të veçanta, që ushtarët para kryqëzimit ia hoqën. Në kryq je lakuriq… si në dashuri…

*   *   *

Shëtitën dhe buzë liqenit. Atjoni pranë Jevtushenkos, e mbante nga krahu si përherë. I gjatë sa ai, edhe më shumë. Mbi 80 vjeç Jevtushenkoja, Atjoni s’i kishte mbushur ende të 19-at… trokëllima e ngadaltë e patericës…  pasqyrimet mbi ujë. Flisnin gazmendshëm. Narcisi që çalonte…

Faji ishte i liqenit, - do të më thoshte Atjoni duke buzëqeshur ngacmueshëm… pse, ngaqë e nxori Narcisin këtë radhë?... Ishte interesant... kur thua egocentrist, s’e di pse më vjen pamja e rrathëve të ujit, të njëpasnjëshëm, kur hedh një gur... po guri është egoja?...

Më vinte mirë që Atjoni e kishte mbajtur për krahu atë… njeriun, poetin, mitin...  

...përktheji ca poezi... dhe bëj një libër me Jevtushenkon... më tha.

Jo se ngulmoi, fare, por zëri i tij do të më vinte ngulmues më pas... Ta kam thënë, janë pak poezi, i thuaj Sebastianos, kur të shkosh në Milano, s’e di a bëjnë një libër…  Bëji!...

*   *   *

…nëntokë, diku, në një lokal kishin shkuar së bashku të darkonin. Jevtushenkoja çalonte pa u shqetësuar, kishte punëra të tjera që e prisnin, më të rëndësishme se të çaluarit. Atjoni i rrinte në krah si engjëll mbrojtës, si i zbritur nga qielli posaçërisht dhe duhej marrë sa më shumë prej dritës së tij.

U ulën ndanë një tryeze të madhe. Si të ishin një komision gazmor poezie. Porositën peshk të mbështjellë në letër alumini, do të më tregonte Eda më vonë, kamerieri i shpërndau me shkathtësi sikur të ishin libra, por nuk i kujtohej se cilit nuk i pëlqeu, Jevtushenkos apo Sebastianos, dhe e kishte kthyer pas. Atëherë libër tjetër.

Atjoni pothuajse vetëm dëgjonte. Kurse, kur biseda ndodhte të lokalizohej, ai ndiqte jo vetëm ç’thoshin përballë Rayna me mamin, por ç’bënte Jevtushenkoja në qendër, si hante, ç’thoshte, a do t’i duhej për ndonjë ndihmë të rastit. Eh, është i moshuar, invalid, por sa i gjallë, me humor, ekstravaganca e tij e tanishme bën më shumë përshtypje se ekstravaganca e tij e dikurshme, flokët i janë rralluar dhe i mban të shtrirë drejt, nuk e arrijnë ballin, si në ca statuja mermeri perandorësh romakë.

Se ç’po thuhej për gratë, për të tjerat, me nënkuptime, dashuritë e Jevtushenkos, unë fal, por nuk harroj, shtoi me të qeshur e shoqja e tij.

Atjoni e ndiente se ishte një rast disi i veçantë, për t’u adhuruar, gjendej në shoqërinë e poetëve të njohur, botërisht madje, dhe ku, në një vend-ëndërr, në Lugano, në Zvicër. Këtu kishte qenë dhe filozofi i tij i parapëlqyer, Friedrich Nietzche, kur punonte për librin “Lindja e tragjedisë”… lind vdekja, vdekja që mposht vdekjet… Dhe e mbante ndezur kërshërinë, por pa u kuptuar përreth. Jo se nuk e shqetësonte disi provimi më i afërt, por dhe ç’të veçantë do të duhej t’i tregonte të atit, kur të takoheshin. Është në Moskë, do të jetë lodhur nga ecjet më këmbë, siç i pëlqen, po a do ta ketë gjetur shtëpinë e Jevtushenkos, se i zoti është këtu. Por prandaj e do shtëpinë e tij, ngaqë ne jemi me të, për t’u ndier bashkë, seç ka ca mani kështu ai…

U nëpërmend nga pyetjet që po i bënte gruaja e Jevtushenkos a cila ishte, a po, një modeliste, që po e përpinte me sy e buzë Atjonin, së cilës i përgjigjej korrekt, me edukatë, po, po student jam… në filozofi… në…   

Ishte aq shumë mesnatë sa nuk duheshin thënë gjëra kaq të zakonshme!

ME JEVTUSHENKON NË PEN-IN ITALIAN

...në mbledhjen e PEN Club-it italian në Milano, na pranuan të dyve si anëtarë. Ishin mbledhur krijues nga e gjithë Italia. Nga dritaret e sallës së madhe të librarisë “Mondadori” shihja sheshin e bukur para Duomos së mrekullueshme, si e rënë nga qielli, prandaj dhe ngjan e gjitha e bërë me mermer qiellor. Sa shumë pëllumba nëpër këmbët e njerëzve në shesh!

- Si po e kalon, - më pyeti Eda në celular, - po kënaqesh?

- Mirë, mirë, - thashë. - Po Atjoni ç’po bën?

- I ra ca flautit dhe doli. Kur do të vijë babi? - pyeti.

- Sa të mbarojë takimi e do të nisem.

Miku ynë, Sebastiano Grasso, presidenti, jo rastësisht kishte caktuar një ditë të përbashkët për të na anëtarësuar Jevtushenkon dhe mua, të dy nga perandoria e rënë komuniste, i pari nga vendi më i saj i madh e jo vetëm, i dyti nga vendi më i vogël e më i varfër. I pari i lavdishëm, i njohur në botë,  i dyti i panjohur, i pari kishte arritur deri lart në kupolën e supershtetit, i dyti i rënë poshtë në burgjet infernale të diktaturës. I dënuar dhe për Jevtushenkon. Prapë bashkë tani, por ndryshe.

Paraqitjen e Jevtushenkos e bëri Vittorio Sgarbi, kritik arti, këshilltar në Bashkinë e Milanos, personalitet në kulturën italiane. Qetësi.

...kritikues i stalinizmit, Jevtushenko, i përkthyer në 72 gjuhë...... që nga 1994 jeton në SHBA, ku jep mësim për poezinë dhe kinematografinë në Universitetin e Oklahomës... poezia e tij sfidë...

Pastaj vetë Jevtushenkoja, aty, real, foli se... kam kërkuar përmirësimin e sistemit në realizimin e ëndrrave të papërmbushura... jam mbrojtës i nobelistit Sollzhenicin... kam ndihmuar të botohen autorë të persekutuar, kur në pushtet ishte Gorbaçovi etj., etj.

Në këtë takim thërrasim të na tregojë përvojën e vet dramatike, - po thoshte Sebastiano Grasso për mua, - ...i dënuar sepse poezitë e tij nuk ishin të realizmit sovjetik. - Nuk tha të realizmit socialist. Me qëllim?

Ç’të thosha unë? Që diktatura dënonte te ne poetë, lexues dhe libra bashkë? Edhe Jevtushenkoja ishte i ndaluar në vendin tim, shtova, tani unë jam pranë tij në Milano, është hakmarrja ime... dhe në emër të atyre që s’janë më... paqe...

Prapë duartrokitje. Pranë meje në panel profili si emblemë i Sebastianos heshtak, pas tij ai i Jevtushenkos superb që shkruante, kurse më tej Sgarbi, që kthente kryet dhe këqyrte. Mua? Me simpati? A do bëjë ndonjë skandal siç e ka zakon? Le që i kanë dhe lezet...

Filluan pyetjet nga salla. Jevtushenkoja ishte epi(k)qendra. Përgjigjej, shkruante, shtyu shapkën më tej dhe ngriti librin    e tij mbi tryezë. Tani dhe për mua ai ishte vetëm poeti i njohur rus, i dashur, por edhe unë pranë tij, e pabesueshme, s’isha më i dënuari i dikurshëm.

Ishim përballë poezisë, pa biografi. Po, po, poezia nuk ka biografi, poetët po, po. Edhe fat. Edhe poezia ka fat. Poezia ka biografi, e çfarë biografie ka: kur e ku u shkrua, si? Vlen vetëm leximi i saj, kurse poetët s’duhet të kenë biografi ashtu si krijuesi... i madh.

I vëmendshëm, i thashë vetes: kujdes, fol mirë për vendin tënd.

Donin të dinin për lidhjet e artit me socializmin. Unë thashë se socializmi, të paktën në Shqipëri, nuk i ka ndihmuar artet për art, por për vetveten, megjithëse socializmi s’ka vetvete, ka masën e i ka shfrytëzuar ato. Dhe letërsia e ka shfrytëzuar për të bërë vetveten, sadopak. Mjaft interes paraqet Letërsia e Dënuar, po del nga burgjet...

- Na fol pak, - i kërkoi një grua Jevtushenkos, - për Rusinë e Putinit.

Ai shungulloi:

- Zonjë, nuk ka Rusi të Putinit, por të Pushkinit... Rusia është e Gogolit, e Dostojevskit, e Pasternakut, e Eseninit, e Sollzhenicinit, e Mandelshtamit... e im... e shokëve të mi.

Poezi nga Evgeni Jevtusenko

MONOLOGU I NJERIUT  TË PASNESËRM

As Eva, as Adami nuk ishin anëtarë partie,

njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.

Pa parti Noja me atë arkën e tij,

globi shtyn errësirat pa parti.

 

Por Djalli, me pikëpamje djalliste,

shpiku partitë - ç’gusto neveritëse!

Në zemër të mollës futi krimbin - 

krim(b)* dhe gjarpër një ishin -  

politikën - profesion me prejardhje djallëzore,

që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.

 

Politika shpiku policinë,

politika shpiku kryetarët.

Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,

jo partitë dhe nënndarjet.

 

Po ku është partia e vejushave, invalidëve, pelegrinëve,

ku është partia e familjes, e fëmijëve?

Partia e syve të skuqur ku është, vallë,

në hirin e Aushvicit, Songmit, Gulakut** të gjallë?

 

Por një ditë, një ditë, një ditë,

për stërnipërit tanë të gjitha partitë

do të kujtohen si një gjë e tejshkuar,

si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.

 

Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,

pa çalamanë moralë në pushtet,

e gjitha një e asnjë parti,

veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.

Shkruar më 1972.

Botuar për herë parë më 1991

__________________

*) Lojë e përkthimit. Për këtë poezi janë marrë për bazë dy variante të botimit të saj në Itali.

**) Aushvic - kamp nazist internimesh në Poloni; Songmi - lokalitet në Vietnamin e Jugut, shkatërruar nga amerikanët; Gulagu: Magadan - lokalitet siberian i internimeve.

PIKTORËT

Është e pafuqishme e gjithëfuqishmja e jashtme,

le të bredhë i patalentuari ngado.

Arti në shpirt u është futur me afshe

dhe s’mund ta shkulin prej jush, jo!

 

Le të jenë ditët të vështira shpeshherë,

megjithatë mos i mallkoni ditët tuaja!

Oh, ç’aromë ka tushi dhe guashi në derë, 

oh, ç’ajër kanë studiot, rrëmuja...

 

Unë i thur lavdi etjes me glinën për të lozur

dhe punës me penela deri në mesnatë.

Në çdo epokë si raketat në kozmos

do të enden emrat tuaj të artë.

 

Dhe le të jetë brengë dhe hall

pagesa e dëshirës që të fluturoni.

Të vdisni s’ju lë arti i madh

dhe arti i madh s’ju lë të jetoni.

SHQIPTARKA

Shqiptarkë që të magjeps me bukurinë,

katërmbëdhjetë vjeçe, e zbathur.

The se të quajnë Aksinjë,

“Po Melehovi të është shfaqur?”

“Ende s’e kam, - psherëtive lehtë, -

 s’e dua shpellar, e dua poet”.

 

E rrallë për kohën, s’gjen ngaherë

një vajzkë kështu, e tëra perrí,

që burrin të mos e dojë bankier,

plot me para, por me poezi.

 

Jeta vetë ecën dhe vonë a herët

do vijnë vajza me intelekt të fortë.

Ato s’do martohen kurrë me skllevër,

ato s’do marrin tiranë bashkëshortë.

 

Etje e egër parash do jetë tretur

te ne, në Rusi, te ju, në Shqipëri

dhe do ngadhënjejë në shekuj e shekuj

i shenjti mall i madh për poezi.

 

Dhe poetët-gjeni do të shpërthejnë

mes bunkerësh pa shpirt, të ngrirë

si balle divash të rënë,

nën dhé rroposur, në errësirë,

për të mos u ngritur kurrë më.

Ja u ngritën! Skllevër s’na bën asgjë.

QENIT TIM

Në xham shtyn hundën e tij të zezë,

qeni im pret dhe ka vendosur të presë.

 

Dorën zhyt nëpër leshrat e tij

dhe unë pres, pres si ai.

 

Të kujtohet, qen, ka qenë një kohë,

kur këtu banonte një zonjë?

 

Ja, që ishte e shtrenjtë për mua.

Mbase motër do më bëhej a mbase grua.

 

E shpesh e më shpesh po i ngjante një bije,

nga unë kërkonte, s’e di çfarë ndihme.

 

Larg është tani... dhe ti pusho!

Këtu s’ka për të pasur grua si ajo.

 

Qeni im i mirë, meriton të përkëdhelesh,

ç’mëkat që s’pi, që s’mund të dehesh!

1958

PRAGËN ÇAJNË TANKET

Pragën çajnë tanket

nën gjak agimi të nxehtë.

Çajnë “Të vërtetën”* tanket,

që s’është gazetë.

 

Tanket çajnë përpjekjen

klikave për t’mos iu përulur,

të çarë e ndiejnë veten

ushtarët në tank ulur.

 

Zot, ç’turp po fusin,

Zot, ç’nuk po shembin!

Çajnë tanket Jan Husin,**

Pushkinin, Petëfin.***

 

Tanket çajnë varret

dhe të atyre pa lindur.

Kapse zyrash, rruzare

u shndërruan në zinxhirë.

 

A jam armik i Rusisë?

Unë jo! -  Të tjerë të nxitur

me tanket e ligësisë

ku s’ndërhyjnë të shpifur.

 

Mundet si më parë të jetoj,

tani që këto tanke - zdrukthe

shpresat me presë sheshojnë,

tanke të familjes ruse?!

 

Unë, para se të zhdukem,

- si do quhem, s’ka rëndësi, -

pasardhësve u lutem

të më zbatojnë një porosi.

 

Sipër meje, pa qarë,

të vërtetën të shkruajnë me gjak:

“Shkrimtar rus. I vrarë

nga tanket ruse në Pragë”.

Shkruar në 23 gusht 1968 - botuar më 1990
_____________

*) E vërteta - rusisht “Pravda”. Emri i një gazete të përditshme, më e shitura në Bashkim Sovjetik.

**) Jan Hus - hero kombëtar i popullit çek. Lindi në Husinec në 1371, kreu studimet e larta në Pragë dhe në 1401 u bë dekan i universitetit ku studioi. Në 1400 u emërua prift. Punoi për edukimin e kombit duke këmbëngulur në detyrën e mbrojtjes së vendit nga ndërhyrjet e huaja. Iu përkushtua veçanërisht dhe gjuhës çeke. Ai u bë simbol i krenarisë kombëtare dhe i shpresës për të ardhmen. Ndihmoi njerëzit e Bohemisë e të Moravës për pavarësinë shpirtërore nën zgjedhën e huaj. Vdiq në turrën e druve në 1415. (Shën. nga botimi italisht si dhe një pjesë e shën. të mëposhtme)

***) Aleksandër Sergejeviç Pushkin (1799-1837). Nismëtar i letërsisë së re ruse, themelues i gjuhës letrare ruse, poet i madh, shkëlqeu në të gjitha gjinitë letrare. Qe pranë dekabristëve, dy herë emigroi. Vdiq në duel për motive nderi.

Sandor Petëf (1832-1849). Poet revolucionar demokratik hungarez. Udhëhoqi kryengritjen e Pestit gjatë revolucionit të viteve 1848-49. Pati ndikim të madh në poezinë hungareze..

KËRKESA E FUNDIT

L. Evstratova

Shkëlqesive e atyre që s’janë shkëlqesë,

ç’gjëra t’u kërkoj? Ja, kështu pra,

s’kemi më nevojë për udhëheqës.

E kemi një, por në kryq, ah!

 

Dhe duke nxitur qeshjen e ndokujt,

ka plot që qeshjen e kanë harruar,

ende do t’i kërkoj gjithkujt:

që unë të mos jem i munguar.

 

Dhe lutem me zë të mekur,

i humbur mes gjithë të humburve,

trembem, nëse kam për t’u tretur

si një rreze e vogël aurore

në ditën dritëderdhur.

 

I kapluar barërave shkëlqimisht,

gjithandej mërmëris me mall:

“Nuk do të vuaj sigurisht,

kur nuk do të jem gjallë”.

 

Asgjë nuk kam që të bëj thirrje,

as piedestal, as i dekoruar,

por ja që ka dhe përjashtime:

që unë s’kam për të munguar.

 

Si aromë e fletores së vjetër të poezisë

me petlat e jaseminit të tharë.

Më e tmerrshmja e të gjithave-humbja e bukurisë,

edhe për botën - llahtar!

 

Ç’mëkat vdekës të vdekurit të harrosh.

Vdekje, nëse në paqe njerëzit janë lëshuar,

lëri të gjithë të jetojnë e të shpjegosh

që unë s’do të kem të munguar.

DASHTË QIELLI 

Dashtë Qielli u vjen pamja verbanëve

e gungaçët shpinat drejtojnë.

Dashtë Qielli bëhemi ca Zot, pak fare,

të jesh pak, pak, s’të kryqëzojnë.

 

Dashtë Qielli të mos i ngjitemi pushtetit,

heronjve të rremë jo dhe jo.

Të pasur të bëhemi, por jo të vjedhim,

natyrisht nëse mundet kjo.

 

Dashtë Qielli të bëhemi dhelpra plakë,

që s’bie në ato gracka me shkopinj,

mos qofshim viktima, as xhelatë,

lypsa kurrë, as zotërinj.

 

Dashtë Qielli sa më pak plagosje

në përleshjet që vetëm të çmendin,

sa më shumë vende dhe përsosje,

pa u dashur ta humbësh tëndin.

 

Dashtë Qielli që toka e pamatë

gjurmët t’mos na i hajë gjithkund.

Dashtë Qielli të na duan gratë

dhe kur të jemi në fund.

 

Dashtë Qielli të heshtin gënjeshtarët,

zë hyu të ndiejmë në thirrjet e pafajshme,

që Krishtin të dallojmë tek të gjallët

në fytyrat e burrave dhe të grave.

 

Të mos mbartim si kryqin pabesitë

dhe si mjeranë të biem përdhe,

të mos jemi dyshues çdo ditë,

dashtë Qielli qoftë Zoti në ne.

 

Dashtë Qielli të gjithën për të gjithë

ta kemi sa më shpejt, pa u fyer prej saj.

Po, po, të gjithën, por veç zgjidh

nga ato që s’të turpërojnë pastaj.

Perktheu Visar Zhiti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat