Doli nga shtypi libri i titulluar “Pëshpëritje e jetës në mërgim”, roman, i autorit Xhavit Çitaku

Libra

Doli nga shtypi libri i titulluar “Pëshpëritje e jetës në mërgim”, roman, i autorit Xhavit Çitaku

Më: 9 janar 2018 Në ora: 12:22
Libri

Romani i titulluar ”Pëshpëritje e jetës në mërgim” i autorit z. Xhavit Çitaku, mund të themi se pasqyron në plotëni konceptin e krijuesit mbi aktualizimin e ngjarjeve të mëhershme, mbështetur në ngjarje reale që përkojnë me kohën, që kryesisht e kanë provokuar krijuesin Çitaku si ngjarje të dhimbshme për mërgatën shqiptare, mërgatë kjo që pothuajse e pati të pamundur - që për shkak të situatës okupuese nga Serbia, të mos marrin atë rrugë të pakthim. Madje, edhe vetë autori, në një farë forme, mund të jetë një personazh ekzistencial, edhe pse personazhi kryesor në këtë roman është Dritoni.

Në këtë libër, autori, pëmes personazhit, sidomos të Dritonit, pasqyron në mënyrë konkrete e të detajuar figurën e mërgimtarit: për bukën e hidhur në kurbet, për vuajtjet që ndien për vendlindjen, për mallin që ka për shokë, miq, të afërm e farefis, për dashurinë që ka për të parë gjithë ato bukuri përrallore të atdheut. Në disa raste, në mënyrë shumë emocionuese, përshkruan gjendjen e rëndë shpirtërore të jetës në mërgim, saqë lexuesi, e posaçërisht mërgimtari, do ta ketë të vështirë të përmbahet e të mos derdhë lot. Mërgatën shqiptare e ka munduar në shpirt e zemër edhe gjendja e rëndë nën okupim e sidomos kur filloi lufta, të cilën z. Çitaku e përshkruan  në mënyrë të atij niveli, ashtu siç e ndien vetë mërgimtari. Nganjëherë, lexuesi mund të fitojë përshtypjen se, autori, disa momente, situata, ngjarje e gjithë ato ballafaqime, sikur i ka ekzagjeruar, mirëpo, fatkeqësisht, gjithçka përputhet me realitetin dhe mjerimin shpirtëror që i pat rënë hise mërgimtarit shqiptar.

 Ndërkaq, sa i përket argumentit të dashurisë ndaj atdheut, më së miri qëndron konstatimi i analistëve e intelektualëve të tjerë që merren me këtë fushë - se vetëm ai që jeton në dhe të huaj e di se si e sa shumë duhet toka stërgjyshore.

 Lexuesi në këtë roman do të arrijë, pa dyshim, të kuptojë planin e shkëlqyer të realizimit të skenarit nga ana e autorit, duke përfshirë edhe disa ngjarje të tjera, por që në të vërtetë dominon ideja në favor të vetëm një ngjarjeje - jeta në dhe të huaj.

 Kështu, romani i titulluar ”Pëshpëritje e jetës në mërgim” i autorit z. Xhavit Çitaku, arrin të harmonizohet maksimalisht me imagjinatën se pjesa më e madhe e mërgitmtarëve do ta gjejnë veten në këtë roman. Madje, ky roman dallohet në shtrirje të gjerë, ku përmenden situata shumë origjinale, sidomos vendimi i Dritonit për shpërnguljen e tij e deri te sfidat e mëvonshme, ku autori Çitaku  ka shfaqur një aftësi të shkëlqyer në formën e paraqitjes në roman. Ky roman mund të provokojë bindshëm lexuesin që  ka përjetuar ngjarje të ngjashme.

 Autori romanin e fillon pikërisht aty ku duhet, kur fëmijët pyesin ”Çfarë po ngjan me ju babi?!”, kur Dritoni përpëlitej me një ndjenjë të çuditshme e që vërehej qartë nga gruaja dhe fëmijët. Edhe pse Dritoni ishte një njeri i qetë, i dashur për familje, për prindër, shokë, miq, kolegë; ai prapë detyrohet ta lëshojë vendlindjen, madje pa dëshirën e tij - sikurse shumë shqiptarë që e kanë përjetuar këtë.

 Pastaj i është kthyer ngjarjeve konkrete, situatave reale, të cilat gjatë rrethanave të jetës vështirësoheshin nga ballafaqime jetësore të pushtuesit serb - dhe pikërisht këto rrethana autorit Çitaku i shërbejnë për shkrimin e romanit në fjalë.

 Motivi qenësor i autorit në këtë roman është kur Dritoni merr vendim për të braktisur vendin, gjë që ishte shumë e rëndë, e kjo dëshmi qe për secilin mërgimtar - nuk ka qenë e lehtë marrja e këtij vendimi. Meqë autori kishte marrë detyrë për të shkruar këtë roman, i kishte vënë vetes obligim të mbronte integritetin e mërgimtarit shqiptar që nga vendimi për të mërguar, pastaj puna dhe veprimtaria e një mërgimtari intelektual e deri te arritjet e sukseseve në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.

 Ndonëse vetë i mërguar, autori para lexuesit del me një zë të fuqishëm, ku në të njëjtën kohë përjetojnë dhimbje e rënkime për vendlindjen, të realizuara mirë në vlerë dhe frymë artistike.

 Mendoj se ky libër është në nivelin e duhur të kritereve dhe vlerave artistike, pasi që përmbajtja e tij është parimore në pikëpamje të koncepteve të tërësishme të këtij motivi që reflektohet aq shumë nga ndjenja e tij e dhimbshme e vuajtjes dhe mungesës së pranisë së tij në vendin e lindjes.

 Ky roman mund të vlerësohet si njëri ndër romanet më të mira nga autorët shqiptarë në Suedi dhe më gjerë - për formën e perceptimit dhe idenë e vetë ngjarjes. Ky sukses, patjetër se i dedikohet autorit Çitaku, me shpresë se ai nuk do të ndalojë me këtë roman, kur  dihet se është romani i tij i parë.

 Po ashtu, duke dashur autori që idenë e përshkrimit të ngjarjes ta bëjë sa më reale, ai përfill fort detajizimin e vuajtjeve të mëdha të mërgimtarit, ngase në shumë raste arrin të dallojë narracionin me një mjeshtri artistike të shprehjeve, pothuajse tërësisht me shprehje letrare.

 Edhe pse është romani i parë i autorit Xhavit Çitaku, ai ka dhënë elemente të mjaftueshme për vlerë artistike e krijuese e që rrjedhimisht, nga lexuesit do të shfaqet një kërkesë e domosdoshme që autori të vazhdojë me krijimtarinë e tij.

Romani ”Pëshpëritje e jetës në mërgim” i autorit z. Xhavit Çitaku ka pasuruar sfondin e krijimtarisë shqiptare në Suedi dhe në vendlindje, si një roman i bazuar në fakte dhe vlera artistike e krijuese.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat