Poemë mbi kultin dhe emrin e Skënderbeut - Bota Sot
Poemë mbi kultin dhe emrin e Skënderbeut

Libra

E martë, 25 shtator 2018

Poemë mbi kultin dhe emrin e Skënderbeut

Nga: Dr. sc. Faik Shkodra Më: 9 janar 2018 Në ora: 18:59
Kopertina e librit

Në letërsinë shqipe, duke filluar nga humanistët e krijuesit e lëvizjeve të tjera letrare e deri në ditët e sotme, është vështirë të gjesh poet a shkrimtar, historian a artist, shkencëtar a dijetar, piktor a kompozitor që të mos jetë frymëzuar nga veprat dhe figura zulmëmadhe së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, nga idealet dhe luftërat e tij të vëna në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Ai, me luftërat dhe madhështinë e veprave të tij, me betejat e bëra më shumë se një çerek shekulli, u bë ndërgjegjja më e lartë e vetëdijes dhe e zgjimit të krenarisë kombëtare dhe epokës historike më të lavdishme të shqiptarëve, duke lënë pas vete një histori të madhe, brenda së cilës, nga studiuesit, poetët e artistët e fushave të ndryshme, ai do të cilësohet jo vetëm prijës i pashembullt shpirtëror e atdhetar i përmasave të pakrahasueshme me asnjë udhëheqës tjetër ushtarak të botës, por si një shëmbëlltyrë e jashtëzakonshme historike, që në veprat e krijuesve do të bëhet simbol i lirisë, i dritës, simbol i një kohë e i një shekulli, që merr emrin Shekulli i Skënderbeut.

Përjetësimi i figurës së kryeheroit  përmes vargjeve

Skënderbeu me trimërinë, mençurinë, artin luftarak dhe vendosmërinë më të madhe prej një njeriu të rëndomtë, prej një udhëheqësi me vetëdije të lartë atdhetare, do të bëhet fenomen i rrallë, që do t'u dalë zot problemeve të mprehta të çështjes kombëtare, duke u bërë kështu lideri shpirtëror më i dashur i shqiptarëve. Këto vlera e këto cilësi do t’i frymëzojnë poetët e studiuesit që në veprat e tyre ta kthejnë në një mit të rrallë, me emrin e të cilit do të lidhet periudha dhe epoka më e ndritshme e historisë dhe e shpirtit shqiptar, me të cilin Skënderbeu ishte i lidhur si mishi me kockën. Fran Ukcama ka hartuar një poemë të natyrës dokumentare, me personazhe kryesisht reale, e me kryeheroin e tyre Skënderbeun, brenda së cilës ka derdhur vargje, që rrëfejnë heroizmin, trimërinë dhe ndjesinë e thekur të Skënderbeut për lirinë, për paqen dhe për çlirimin e atdheut nga sundimi otoman.

Frani temën e poemës e ka marrë nga luftërat që shqiptarët i kanë zhvilluar kundër turqve, të prirë nga heroi i madh, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Në kompozicionin e poemës “Gjergj Kastrioti – Heroi kombëtar shkëlqimtar – me rrëfimtarin Ujkan Mërturi”, Frani me talentin e dhuruar nga natyra e bukur e bjeshkëve të trevës së Tropojës të Malësisë së Madhe, me madhështinë e fjalëve, me frymëzim të lartë artistik, me ndjenja të thella shpirtërore, me një kujtesë të pasur nga ngjarjet e mëdha të historisë sonë kombëtare, me një zgjuarsi, me një dashuri e respekt të veçantë që ushqen për Skënderbeun, ka arritur që me pasion e me dashuri të madhe ta përjetësojë figurën e kryeheroit tonë kombëtar, ndërsa betejat dhe udhëheqjen e tij t’i bëjë për brezat e rinj të paharruara.

Në gjithë poemën kemi një shkrirje të mrekullueshme të botës shpirtërore e mendore të poetit me historinë e me portretin e Skënderbeut. Një shkrirje e tillë e fuqizon të vërtetën se Frani, edhe përmes kësaj poeme, artin e fjalës së shkruar dhe talentin i ka vënë në shërbim të historisë së kombit të vet, pra, i ka vënë në ndriçimin e figurës zulmëmadhe të Skënderbeut dhe të dhuntive të jashtëzakonshme të tij për ta luftuar një pushtues shumëshekullor të popullit dhe atdheut të shqiptarëve, çfarë ishte Perandoria Osmane.

Poema “Gjergj Kastrioti – Heroi kombëtar e shkëlqimtar” trajton temën historike e cila si varg kryesor të poezisë popullore do të mund ta kishte: “Krisi pushka, kërcet topi, gjëmon trolli”. Natyrisht, Frani në trajtimin e ngjarjeve është i lidhur ngushtë me vlagën e poezisë popullore dhe kjo lidhje ka bërë që ai rrëfimet e Ujkan Mërturit t’i sjellë në trajtën më të natyrshme, duke i kapur mendimet, idetë, përjetimet dhe kujtimet e tij mbi shumë ngjarje të realitetit të kohës së epokës së Skënderbeut. Falë fuqisë së shprehjes poetike, stilit të qartë, që karakterizohet me shtresa e nënshtresa të llojllojshme semantike, falë mjeteve shprehëse gjuhësore, që rrëfimet i bëjnë të freskëta e me vlera historike, falë figurave stilistike, si: hiperbolës, metaforës, ironisë, krahasimit, heshtjes, simbolit, shpirtëzimit, anaforës, përsëritjes, të përthirrurit, epitetit dhe figurave të tjera, Frani vargjeve u ka siguruar mesazhe të rëndësishme, sa njerëzore aq universale, u ka dhënë frymën, shpirtin, guximin dhe gjakun, sa të luftëtarëve të Skënderbeut, aq kohës me ngjarje dramatike, plot flakë e trazime shpirtërore të personazheve, ndaj gjithçka në vargje vjen si vlerë artistike dhe estetike. Poema “Gjergj Kastrioti – heroi kombëtar shkëlqimtar” (Poemë rrëfimtare e Ujkan Mërturit) në përmbajtjen e vet ka këto pjesë: Pikënisjen, 20 kapituj, epilogun dhe biografinë e poetit.

Krijimtarinë letrare të Fran Ukcamës me interesim e vëmendje të veçantë e kam ndjekur tash e disa vjet dhe, në mbështetje të korpusit të gjerë të krijimtarisë së tij, si në letërsinë për fëmijë ashtu edhe atë për të rritur, kam vlerësuar se ai, me kontributet e dhëna në të gjitha veprat e botuara, në mënyrën më të mirë dëshmohet krijues e mendimtar i pajisur me njohuri të thella për t’u marrë me procesin e krijimtarisë letrare. Në përmbajtje të veprave artistike, me një origjinalitet të llojit të vet, në trajtimin e temave, motiveve e ngjarjeve sjell pikëpamje, gjykime, qëndrime e përfundime të rëndësishme, të cilat në të vërtetë flasin për botën e madhe shpirtërore, ndjenjore, imagjinative dhe krijuese të poetit. Flasin, si të themi, për aftësitë, prirjen, durimin, kujdesin, përgjegjësinë, përkushtimin e seriozitetin e treguar në transponimin e realitetit jetësor, shoqëror e historik, në realitetin e veprave letrare në të cilat rrezatojnë vlerat e shumta ideore, estetike, stilistike e mesazhore. Këto cilësi dëshmojnë se Frani talentin dhe prirjen për artin letrar, para së gjithash, i ka lidhur me hartimin e veprave artistike në të cilat i shpalos qëllimet e larta, si misionar i përkushtimeve të mëdha morale e atdhetare, i përkushtimeve të porosive të rëndësishme për t’u lënë brezave vepra me vlera e përmbajtje artistike, pedagogjike, edukative, didaktike dhe estetike, brenda të cilave mishërohen kultura, historia dhe qëllimet e vyera, midis shumë qëllimeve të rëndësishme të Franit.

Rrëfimi i Ujkan Mërturit për Gjergjin

Poema ndërtohet nga pjesë të rëndësishme, ku përshkruhen momente dramatike dhe situata tragjike që lidhen me ngjarje kulmore të luftërave dhe betejave të Skënderbeut dhe të bashkëluftëtarëve të tij. Gjithçka që poeti përshkruan që nga vargjet e Pikënisjes e deri kur e përfundon poemën, e paraqet me ndjenja, me imagjinatë, me përjetim e frymëzim figurën e Skënderbeut. Përmes kujtimeve të disa personazheve, arrin të japë dashurinë që luftëtarët shqiptarë kanë për atdheun dhe, në përgjithësi, në poemë vendin qendror e zë Skënderbeu dhe rrëfimet rreth luftërave, karakterit të tij të sinqertë dhe mbresëlënës. Poeti poemëne nis me vargjet e ëndrrës, vargje që ia paraqesin detin e trazuar përplot furtuna, me dridhma tërmetesh, zemrat e personazheve me prush e flakë, me shpirt të ndarë në pjesë, me gurë ortekësh – ndërsa si rrufe i përhihen djajtë, zanat, qielli me diell të nxirë, mbi kokë i shfaqen kuçedra dhe në këso situatash Gjergjin mbret pa turp e pa moral e shajnë. Në orët e bjeshkës, vikama e fisit në kullë ka ra dhe këto tmerre i merr vesh Ujkan Mërturi, i cili nis t’i rrëfejë të birit, duke shkuar gjurmëve të Gjergj Kastriotit e duke rrëfyer me guxim malësori historinë, lavdinë e famën që Gjergji i fali truallit e Arbënisë në vitet e Motit të Madh.

Vargjet e tilla sikur na vënë në dijeni se Fran Ukcama në të gjithë kapitujt do të na japë një poemë me një brendi të caktuar, do të na japë një cikël konceptesh epiko-lirike të botës shqiptare për shekullin XV, do të na japë një grumbull episodesh luftarake, ku fytyra e Skënderbeut do të jetë figura qendrore e historisë sonë kombëtare, rreth së cilës grumbullohen shumë personazhe të tjera, që me veprimet e sjelljet e tyre i dëshmojnë qëndrimet, rëndësinë, rolin, vetëmohimin, trimërinë, besën, heroizmin ngjashëm me heronjtë e ciklit të këngëve kreshnike. Nëpërmjet toponimeve e mikrotoponimeve, që në poemë zënë vend bukur të rëndësishëm, dhe personazheve të shumta, autori dëshiron të paraqesë periudhën historike, të paraqesë Shqipërinë e shekullit XV, qëndresën e popullit shqiptar kundër pushtuesit otoman. Dhe, këtë qëndresë ai e paraqet nëpërmjet vargjeve të shumta, që hedhin dritë mbi përpjekjet heroike e luftarake me plot episode kreshnike trimash shqiptarë në luftërat e tyre të vazhdueshme, episode këto që Frani me një mjeshtëri të rrallë i gërsheton me përjetime intime të personazheve, të cilat në poemë nuk janë të pakta. Pra, qëllimi i tërë poemës mbetet paraqitja e periudhës historike të popullit shqiptar dhe figurës së ndritshme heroike – Skënderbeut.

Ngjarjet zhvillohen në vende të ndryshme, si: Në Krujë, Lezhë, Mat, Stelush, Anadoll, Saharë, Nish, Bosfor, Berat, Vajkal, Tomor, Drobonik, Roshnik, Himarë, Dibër, Mirditë, Strugë, Ohër, Manastir etj. Në poemë vendet dhe koha e zhvillimeve të betejave dhe qëndrimet e personazheve janë përshkruar me vërtetësi e dramatizëm. Nuk mungojnë vargjet që i fshikullojnë personazhet që në mënyrë tragjike dalin mashtrues të çështjes kombëtare dhe si të tillë bëhen të rrezikshëm me veprimtaritë armiqësore bërë luftëtarëve të paepur dhe kryeheroit Skënderbeut kundër zgjedhës dhe sundimit otoman. Frani, duke u mbështetur në të dhënat historike dhe në materialet e folkloristikës, në poemën epiko-lirike: “Gjergj Kastrioti – Heroi kombëtar shkëlqimtar”, arrin t’i paraqesë luftërat e shqiptarëve kundër turqve në kohën e Skënderbeut. Duke evokuar periudhën e shkëlqyeshme të Skënderbeut, ashtu siç kishin bërë De Rada, Gavril Dara i Ri, Naimi, Noli e rilindësit e tjerë si dhe krijuesit dhe studiuesit pas Luftës së Dytë Botërore, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, edhe Frani ka arritur të thurë këtë poemë mbi ngjarjet heroike të kohës së Skënderbeut. Me një stil të qartë dhe me idetë e pasura në vargje ka sjellë para lexuesve epokën e ndritur të Skënderbeut. Në poemë, vend i rëndësishëm i është dhënë periudhës historike të shqiptarëve në kohën e Skënderbeut si dhe kompaktësisë kombëtare të tyre.

Përpjekjet e shqiptarëve që me armë ta çlirojnë Shqipërinë

Në subjektin e poemës vend të rëndësishëm poeti i ka dhënë tipizimit të vetive psikologjike dhe karaktereve të personazheve, ndër të cilat duhen veçuar: Ujkan Mërturi, Gjergj Kastrioti, Mark Maçi, Princeshë Vojsava, Gjon Princi, Vashëza Mamica, Rrapushi, Stanislavi, Konstadini, Sulltan Mehmeti, Plaku Bog, Dardhani, Hamzai, Teuta, Bardhyli, Genti, Bal plaku, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Teodor Muzaka, Vëllezërit Palë e Nikollë Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani, Aleksi, Vruoni, Mirko, Bozhidari, Vranakonti, Pirro Mbreti, Moisi Golemi, Karl Topia, Dhimitër Frangu, Lekë Dushmani, Vladin Gjurica, Kont Urani, Muzak Topia, Dedë Murdedi, Kelë Shpiragu, Koji Bedera, Mëhill Bedera, Ballaban Pasha, Gjergj Aleksi, Tanush Topia etj.

Poema i kushtohet Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me rastin e 600-vjetorit të vdekjes dhe e tëra hedh dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e heroit tonë kombëtar, i cili, për bëmat dhe heroizmin e dëshmuar kundër hordhive turke, në vargje sikur i kalon caqet e një heroi të pakrahasueshëm. Frani, përmes vargjeve, ka arritur t’i përgjithësojë artistikisht dhe emocionalisht, krahas Skënderbeut, edhe heronjtë e tjerë, që në betejat e bëra kundër turqve jo vetëm dolën fitimtarë, por u dëshmuan heronj të vërtetë kundër armiqve e pushtuesve të Shqipërisë.

Përmes vargjeve me ngjyrë popullore Frani shpërfaq mendime, ide e pikëpamje të rëndësishme edhe për personazhet të cilat, falë mjeshtërisë e vokacionit poetik, përvojës dhe frymëzimit, ka arritur t’i karakterizojë si nga ana e formimit kombëtar ashtu edhe nga ana e portreteve fizike. Si shumë poetë të tjerë, që në veprat e tyre e kënduan qëndrimin luftarak dhe armiqësor të Skënderbeut kundër zgjedhës otomane, ashtu vepron edhe Frani, i cili në gjithë poemën i paraqet përpjekjet e shqiptarëve që me armë ta çlirojnë Shqipërinë. Një ide të tillë e ngërthejnë vargjet e poemës dhe në mënyrë asociative qëndrimin luftarak të shqiptarëve sikur na i bëjnë më të kohshme vargjet e Naimit, kur thoshte:

Tjatër përgjigjej Turqia,
Nuk do përveç me pallë!

Ose:

Trimëria, trimëria,
Mban lirinë dhe mëmëdhenë!

Natyrisht, në poemën e Franit lexuesi do të gjejë vargje me nota shumë të fuqishme të karakterit patriotik. Duke lexuar me kujdes poemën, mësojmë të vërtetën se autori, pothuajse me besnikërinë dhe fisnikërinë më të madhe, i është përmbajtur zhvillimit kronologjik të ngjarjeve dhe lëndës historike e legjendare kushtuar Skënderbeut. Është e dhimbshme humbja e luftës kundër Sulltan Muratit dhe për këtë humbje Gjon Kastrioti detyrohet t’i dorëzojë katër djemtë, me kusht që njëri prej tyre ta zëvendësonte pas vdekjes së tij. Gjithandej fabulës së poemës Frani ka sjellë vargje që flasin mbi edukimin e Skënderbeut në Turqi, për kërkesat e tij si kapiten, kthimi i tij në Krujë mbas luftës së Nishit dhe rezistenca e  tij e suksesshme kundër dy sulltanëve - Muratit dhe Mehmetit.

Dijetarë të shquar të botës akademike me të drejtë vlerësojnë se çdo vepër me temë nga historia e me protagonistë të mëdhenj, që kanë bërë emër të ndritshëm, pra, çdo vepër me temë nga e kaluara e largët, do ta ketë vlerën e vet, si të themi, vlerën e pamatshme, vetëm kur ndihmon për të kuptuar kohën në të cilën janë zhvilluar ngjarjet dhe luftërat që kanë pasur qëllim çlirimin e popullit nga pushtuesi e sunduesi i huaj. Në këtë kontekst, pikërisht poema e Fran Ukcamës trajton ngjarje në harkun kohor shumë të gjatë, duke përfshirë periudhën prej fundit të shekullit XV deri në vitin 1468.

Poemës ia shton vlerën ideore e estetike përdorimi i drejtë i mjaft shprehjeve popullore, si fjalëve të urta, frazeologjive popullore dhe disa figurave mitologjike e të folklorit, sikurse janë: Kuçedra, Katallani, Djaj, Zanat, Shtojzovalle, Shtriga etj. Ndërkaq, trajtat e folklorit me kuptimet e dendura i bëjnë vargjet me përmbajtje më filozofike, siç janë, dritë i pastë shpirti në atë jetë; si u përlot qielli dhe deti, Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta midis jush, Kur jemi bashkë, askush s’na thyen; u thuaj të ulin veshët e ta mbyllin gojën etj.

Poema si krijim epiko-lirik ia mundëson poetit shpeshherë të largohet nga rrëfimi i ngjarjes kryesore për t’i shprehur përjetimet, mendimet dhe ndjenjat e veta, madje në vetën e parë. Ai, pra, bën digresione me qëllim që të shprehë më ndjeshëm gjendjen shpirtërore mbi temën që e ka bërë bosht të trajtimit, kështu ngjet edhe me Fran Ukcamën në poemën kushtuar Skënderbeut.

Vazhdimësi e idesë kryesore të poemës

Poema “Gjergj Kastrioti – heroi kombëtar e shkëlqimtar”, me përmbajtjen e pasur, sintetizon historinë mbi 600-vjeçare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut mbi luftërat e rrepta të Skënderbeut zhvilluar kundër sundimit Osman. Poema me përmbajtjen e vet të pasur, me thellësinë e mendimeve, me lëndë të bollshme nga historia e periudhës së Skënderbeut, me gjuhën e mjetet e pasura shprehëse, që kanë një kolorit lokal të të folurit të shkodranishtes e të vendlindjes së Franit, në një mënyrë a në një tjetër, dëshmon lidhjen e ngushtë të përmbajtjes me formën. Tërë subjekti i poemës, ndonëse i përbërë prej 21 pjesëve, ka një ndërlidhje të fortë dhe çdo ngjarje e rrëfim ruan vazhdimësinë me idenë kryesore të poemës.

Përmes një stili origjinal, të themi stil të vetin, poeti në poemë sjell detaje të vërteta mbi luftërat e Skënderbeut dhe, falë mendimeve të thella, sajon efekte emocionale, duke i dhënë forcë artistike dhe estetike çdo vargu. Përshkrimet e rrjedhshme, ndjenjat e fuqishme shpirtërore, figuracioni i pasur dhe përdorimi i fjalëve të reja e të rralla, i mundësojnë poetit të bëjë individualizimin e secilit personazh me të mirat e të ligat që i ka në sjellje e veprime. Duke dhënë botën mentale të personazheve, Frani jo vetëm shpreh identitetin e secilit prej tyre, por di t’i fshikullojë, kur ndonjëri prej tyre futet rrugëve të gabuara, duke ua bërë me dije se duhet t’u përgjigjen idealeve të kohës e rrethanave historike, duke mos e humbur për asnjë moment karakterin dhe toruan. 

Poema, mbi të gjitha, rrezaton vlera artistike, e këto vlera ia sigurojnë vargjet që rrjedhin nga një ndjenjë e patriotizmit, që poeti ka për Skënderbeun. Prej kapitullit të parë e deri tek i fundit të poemës janë dhënë paraardhësit e Skënderbeut, janë dhënë dyert e Kastriotëve, luftërat e tyre, janë dhënë të gjitha fshatrat, të gjitha vendet e hapësirës shqiptare nëpër të cilat Skënderbeu dhe ushtria e tij kanë bërë luftëra kundër turqve, janë dhënë, pra, qytetet, lumenjtë, vendet e bukura para shkeljes së tokave shqiptare prej turqve, janë dhënë principatat shqiptare, por mbi të gjitha në subjektin e poemës figura më e ndritshme, më markante, më sublime është figura e Skënderbeut, që nga ana e poetit përshkruhet me cilësitë e jashtëzakonshme fizike dhe shpirtërore.

Jetëshkrimin e Skënderbeut, Frani e ka dhënë përmes të dhënave historike. Sado që lexuesi i kujdesshëm kupton se autori ka provuar t’i ruajë gjurmët e librit “Historia e Skënderbeut” të Barletit dhe të krijimeve artistike të rilindësve, shkruar për Skënderbeun, Frani me imagjinatën e pasur dhe të menduarit krijues poemës në tërësi, ama bash në tërësi, i ka dhënë përmbajtje, intensitet dhe ngjyrë origjinale. Këto merita kanë bërë që poeti gjithandej poemës, Skënderbeun ta vijëzojë jo vetëm si hero të popullit, por, duke ia numëruar cilësitë e tij të shquara, e paraqet si udhëheqës të lidhur ngushtë me shtresat e gjera të popullit. Sipas vargjeve, shohim se Skënderbeu ishte i lidhur ngushtë me kurrizin e ushtrisë shqiptare, palcë e së cilës ishte bërë vetë. Pikërisht këtu shihet madhështia dhe qëndrueshmëria e tij si prijës i popullit. Strategjia ushtarake e Skënderbeut ishte në shkallë shumë më të lartë se e turqve dhe falë kësaj strategjie dhe artit luftarak të Skënderbeut, edhe pse ushtritë turke ishin më të mëdha, taktika dhe guximi i Skënderbeut thyen çdo stuhi të ushtrisë turke.

Në poemë është dhënë shpirtmadhësia e Skënderbeut, është dhënë ajo dashuria e çiltër e tij jo vetëm ndaj oficerëve të vet, por ndaj çdo ushtari. Shpirtmadhësia e tij dëshmohet e shprehet kur Moisi Golemi, si një figurë e shquar e ushtrisë shqiptare, mbas tradhtisë që i bën Skënderbeut, vjen i përulet për tradhtinë e bërë. Frani shpirtmadhësinë e Skënderbeut e ka paraqitur me vargje të fuqishme, ngjashëm me veprat e rilindësve, si De Radës, Darës, Nolit, Mjedës, Gurakuqit, Naimit etj. Skënderbeu, duke kuptuar gjendjen shpirtërore të Moisiut, edhe pse në luftë tregohet i tmerrshëm, duke i marrë parasysh meritat e mëparshme të Moisiut, me zë të butë i flet për ditën kur Gjon Kastrioti i dha peng të katër djemtë dhe, si prijës zemërgjerë e duke i pasur të gjitha vetitë e një gjenerali të madh të mesjetës, e fal Moisiun me fjalët: “Gabimi i të mirëve zhduket me vepra të ndershme.” Me këto fjalë ia lehtëson brengën Moisi Golemit.

Ky gjest i Skënderbeut shpreh fisnikërinë, burrërinë e pakufishme njerëzore, që rrallë mund të gjendet te komandantët e heronjtë në histori të popujve të tjerë. Me aftësi të veçanta që pati dhe si prijës i popullit shqiptar, Skënderbeu arrin edhe t’i bashkojë princat shqiptarë, që në atë kohë luftonin shpesh kundër njeri-tjetrit.

Gjergj Kastrioti si simbol i lirisë

Veprat artistike, të shkruara në zhanre të ndryshme, të poetëve e shkrimtarëve, sado që i ruajnë lidhjet me veprat historike, përsëri dallojnë. Këto dallime më së miri i ka vërejtur akademik Rexhep Qosja në studimin e thellë kushtuar Skënderbeut, në studimin “Skënderbeu në vizionin e rilindësve tanë”, ku, ndër të tjera, konstaton:

“Poezia kështu na bën të mundshme të kuptojmë ato që nuk mund t’i bëjë historia si shkencë. Ndonëse subjektive, ajo zbulon të vërtetat që nuk mund t’i zbulojë zëri objektiv i shkencës.  Historia shënon ngjarjet, ndodhitë e vërteta, qofshin ato të këndshme apo të hidhura, ndonëse edhe historianët nganjëherë i nënshtrohen hirit të zemrës, duke i dhënë së vërtetës lamtumirën për arsye të ndonjë shkaku a qëllimi të caktuar. Mirëpo, përderisa historia mbështetet në fuqinë e racios së njeriut, ajo sjell apo duhet të sjellë vetëm fakte, prandaj, edhe realitetin e zbuluar në njëfarë mënyre e nguros. Atë që s’mund ta bëjë historiani me racionalizmin e tij, e bën artisti me imagjinatën dhe intuitën e tij.”

Rreth kësaj çështjeje Qosja më tej shton:

“Në këtë mënyrë ajo (historia) e ruan të kaluarën dhe ua kujton breznive të ardhshme që ta njohin dhe të marrin mësim prej saj. Megjithatë, ajo është vetëm dëshmitare. Kohët dhe njerëzit që mbesin në fletët e saj janë përjetë të ngurëzuara. Poetët besojnë me të drejtë se periudhat dhe shëmbëlltyrat historike mund të shihen më thellësisht vetëm me anën e artit, prandaj, faktet historike i fisnikërojnë me imagjinatën krijuese. (Rexhep Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969, f. 8-9).

Duke lexuar vëmendshëm poemën, shohim se autori i saj, me vargje të spikatura artistike, ka arritur ta portretizojë figurën e Skënderbeut në rrafshe shumëdimensionale dhe, shprehur me gjuhën e metaforave, ka dhënë një himn shpirtëror, që shpalos qëndresën, guximin, aftësitë, vizionet dhe përkushtimin e Skënderbeut për lirinë dhe ardhmërinë e shqiptarëve. Vargjet e poemës shpalosin shpirtin e kujtesën për të kaluarën heroike të qëndresës së luftëtarëve të Skënderbeut. Njëkohësisht vargjet vijnë nga thellësia e zemrës, e shpirtit, e ndjenjës dhe imagjinatës së Franit, me të cilat shpalos botën e madhe krijuese e shpirtin e pastër me të cilin i këndon heroit të madh kombëtar, i këndon mallit për atdhe, për lirinë, i këndon Skënderbeut si simbol i lirisë. Këto aspekte, që ngërthen poema mbi Skënderbeun, i dëshmojnë vargjet me anafora, interrogacion, eksklamacion, përsëritje etj.

Kam pritë n`kullë tash gjashtëqind vjet,

Kam pyet hanë e kam pyet diell,

Kam pyet zanë e kam pyet orë,

Kam ndalë trimat në oborr,

Dhe dragonjtë që këndej luftojnë,

Me kuçedra e katallaj

Ose:

- O i madhi Skënderbe, o i ndrituni Skënderbe,

T`pret Arbnia, të pret Kruja,

Trolli amë t`çon falmeshendet!

Ose:

Leka i Dukagjinit, me pleqatarë edhe urtarë,

Nisi me urti kuvendin:

- Tash mbas sotit s`duhet mes vete me u vra,

Mik me mik e vëlla me vëlla!

Armikun qe, para e kemi,

Zemër e gjak, besë e burrni,

N`rrfanë arbërie të lidhen bashkë,

Boll jem gri, copa copa, na kanë ndarë!

Ose:

Oh, Berat, o i pafat!

Ti dredhinë kishe në prag,

Ti besëprerjen pate ngat,

Ranë kuçedrat shpat më shpat,

Se tradhtia e Moisi Golemit,

Shtegun osmanëve hapur u pat,

Osumi u mbush me gjak

Ose:

Kapedanë - prijës me lavdi,

Bashkë qëndroni si ju ka hije!

Mbani lart flamurin e Arbrit,

T`madhërishmin, kuq e zi,

S`rrnojnë luanë n`thupra frashri,

S`rrnon Arbnia pa liri!!

Nga vargjet e sipërcituara shihet qartë se qëllimi kryesor mbetet ndriçimi i figurës së madhe të Skënderbeut, mbetet hedhja e dritës në shkëlqimin e periudhës së tij, mbetet freskimi i mbamendjes mbi jetën e popullit dhe qëndresën e tij karshi një fuqie të madhe të kohës, siç ishte Perandoria Osmane. Mirëpo, krahas këtyre qëllimeve të theksuara, vargjet e sipërshënuara, madje e tërë poema, na dhuron shumë mësime e shumë porosi. Mësime e porosi, që më së miri i ka hetuar e u ka artikuluar Rexhep Qosja për vargjet patriotike të rilindësve, shumë prej të cilave përkojnë edhe me poemën e Franit. Qosja, ndër të tjera, për këto porosi e mësime shkruan: “Edhe një mësim të madh ia jep ky shkrimtar (Naim Frashëri) popullit të vet, e ky është mësimi mbi kompaktësinë që, duke projektuar në kohën e Skënderbeut ia rekomandon me aq zjarr popullit tonë. Ai e do atë periudhë të madhe të historisë sonë kombëtare pse i bëhet se shqiptarët kishin një UNË – atëherë edhe ishin të fortë pse dinin të thoshin vetëm NE”. “Natyrisht” shton Qosja,: “Shembulli i Skënderbeut, i shprehur në poezi e mësoi popullin tonë deri në ditët tona se lufta për të drejtat, për liri dhe për pavarësinë thyen çdo fuqi pushtonjëse. Skënderbeu me shembullin e tij i frymëzoi; u dha shpresë e zemër dhe i mësoi se historinë e krijojnë dhe e ndryshojnë njerëzit.” (R. Qosja, Po aty, f. 37-55).

Mishërim i mrekullueshëm i realitetit dhe imagjinatës

Fran Ukcama, përmes figurës qendrore të Skënderbeut, në poemë u jep lexuesve një hero jetësor, që me zemër e shpirt u vu në shërbim të çështjes së madhe kombëtare. Këtë shërbim e bëri ngjashëm me kreshnikët, që shquheshin për guxim, trimëri, gjakftohtësi në momentet e duhura dhe që diti të vlerësojë me mençurinë më të madhe çdo situatë me të cilën u ballafaqua. Duke qenë i frymëzuar thellë nga veprat madhore të Skënderbeut, Fran Ukcama, përmes një optike të re bashkëkohore, si poet me individualitet krejtësisht të veçantë, ka arritur që botën psikologjike të personazheve dhe karakteret e tyre në raport me njëri-tjetrin t’i japë me një mjeshtëri të llojit të vet, duke riprodhuar ngjarje të vërteta, duke dëshmuar zgjuarsinë, pavarësinë krijuese dhe duke i bërë realitet përjetimet në njohjen e periudhës së Skënderbeut. Prandaj, bota artistike, ndjenjore, mendore dhe imagjinative, e shkrirë në vargjet e poemës, vjen e ngrohtë, vjen me emocione e shfrime të shumta. Përmes meditimeve liriko-epike poeti arrin të na e japë botën patriotike të kryeheroit me të dhëna thellësisht realiste.

Frani edhe në këtë poemë u ka dhuruar lexuesve dhe letërsisë shqipe një realizim të suksesshëm artistik, një poemë që në mënyrë gjithëpërfshirëse e këndon Skënderbeun, ku në mënyrën më të mrekullueshme mishërohen realja me imagjinatën, mendorja me zotërimin e të vërtetave historike, e djeshmja me të sotmen, e mundshmja me të pamundshmen, e bukura me të shëmtuarën. Të gjitha këto janë riprodhuar me vargje që përshkohen nga një ligjërim artistik i rrjedhshëm, me vargje të lira e shprehje të përshtatshme, me të cilat është sintetizuar tërë jeta ushtarake dhe bota psikologjike sa e Skënderbeut aq e personazheve të tjera. Këto vlera të poemës, të realizuara me dendësi idesh, ngjarjesh dhe të dhënash historike, shpalosin bëmat dhe periudhën më të jashtëzakonshme të Skënderbeut dhe tërë atë histori poeti e vë në shërbim të çështjes së sotme kombëtare.

Duke shkruar mbi vlerat e përgjithshme të poemës, ‘Gjergj Kastrioti – heroi kombëtar shkëlqimtar” vijmë në përfundim se Fran Ukcama, me gjithë korpusin e madh të veprave letrare, edhe tani me këtë poemë, është bërë emër i shquar në fushën e letërsisë shqipe. Me siguri jeta e gjallëm e bërë si fëmijë dhe si i rritur në katundin Betoshë – Nikaj Mërtur, mbresat që ia fali vendlindja, përshtypjet të themi shumëngjyrëshe që i dhuroi ajo, u bënë frymëzim në udhën e procesit të krijimtarisë letrare, ndaj së cilës mban qëndrim fisnik dhe kurdoherë të përzemërt. S’ka dyshim se për shëmbëlltyrën e Skënderbeut, kësaj figure madhështore të historisë sonë kombëtare, janë shkruar, janë duke u shkruar dhe ende do të shkruajnë krijuesit e letrave shqipe, sepse me të drejtë vlerëson akademik Qosja se: “Fytyra e tij historike do të jetë e pashtershme për të gjithë ata artistë, të cilëve u vjen për dore të tregojnë shpirtin e një populli përmes një njeriu i cili është shprehje e qenies së tij heroike ekzistenciale”.

Në fund e përgëzojmë Franin për punën e suksesshme në trajtimin e figurës së Skënderbeut dhe do të veçojmë të vërtetën se poema është shkruar me dashuri, frymëzim e njohje të lëndës dhe me përkushtim të veçantë. Dihet, vepra që shkruhet me dashuri e zell të madh është e stolisur me vlera të shumta në të gjitha rrafshet e mendimit artistik, estetik, didaktik, pedagogjik, kulturor dhe shkencor. Në nderim e respekt të të gjitha këtyre vlerave që mbart poema, autorit të saj i urojmë shëndet dhe krijimtari të frytshme në fushën e letërsisë, për të cilën ushqen dashuri dhe përkushtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test