“Unaza e Virgjëreshës”, një roman nga etnosi shqiptar

Libra

“Unaza e Virgjëreshës”, një roman nga etnosi shqiptar

Nga: MARK LUCGJONAJ Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 19:00
Kopertina e librit

Temat që dalin nga etnosi shqiptar, përherë zgjojnë kureshtjen e lexuesit, qoftë ai shqiptar apo i huaj. Këto tema, që burojnë nga traditat tona të lashta, me të cilat janë marrë shumë udhëpërshkrues, pra në të kaluarën, vazhdojnë që të tërheqin pas vetes lexues të të gjitha moshave. Për dikë, këto janë thjeshtë mite të cilat janë ruajtur si gojëdhëna, brez pas brezi e që besohet se kanë ekzistuar dikur, pra ekzistojnë në formën, na ishte njëherë”; për dikë tjetër janë lëndë studimi dhe që i njeh me rrënjë, ndërsa më të afërta i kanë ata që i jetësojnë akoma edhe sot, apo deri pak vite më parë. Si duket, ky është edhe shqetësimi kryesor i shkrimtarit. Pra, këto tema janë material si shkencor, ashtu edhe artistik, si në rastin e romanit të cilin po trajtojmë në këtë shkrim.

Vetë titulli i romanit, “Unaza e Virgjëreshës” i autorit Ndue Dedaj, personalisht, nuk më ka asociuar në virgjëreshat shqiptare, të cilat për një arsye të caktuar, janë betuar për të mos u  martuar asnjëherë. Ky titull, më ka shtyrë të mendoj pak më gjerë, si dhe ka zgjuar brenda meje disa biseda që më janë bërë nga të vjetrit, lidhur me disa ngjarje nga e kaluara. Kështu, pa paragjykime, por me një kureshtje të madhe të fituar nga vetë titulli, fillova ta lexoj këtë roman voluminoz, të këtij shkrimtari, të cilin personalisht nuk e njoh, e as që e kam takuar.

Historia e këtij romani është shumë interesante, një histori e cila kohën reale nuk e ka për bazë, e as ngjarjet nuk janë një kronologji. Personazhi kryesor është jo i ngurtësuar, jo i rrënjosur. Ndoshta, lexuesi në fillim mendon se personazhi kryesor është gazetari i ri, (më pas shkrimtar i pjekur) bashkë me atë vajzën e re që bien në dashuri (e që më pas i ndanë fati); ndoshta lexuesi mendon se e ka gjetur fillin e ngjarjes dhe tashmë mund ta lexojë veprën në një trajtë; ndoshta lexuesi mund të mendojë se ky autor do të thyej mite, do të demitizojë e të bëhet globalist…, pra ky roman është i mbushur me “ndoshta”, madje me shumë ndoshta, ashtu siç janë edhe vetë shqiptarët të cilët njëherë veprojnë e më pas mendojnë!

Prandaj, romani çelet përmes personazhit Bdek Diveli, gazetarit të ri, i cili në vitet tetëdhjetë, shkon me detyrë në bjeshkët e Shqipërisë veriore. Atje, fati e do që të takojë Hirnën, gjimnazisten e bukur me të cilën asgjë nuk fillon asnjëherë, por ngelet peng përgjithmonë, dhe kjo e gjitha për faj të fatit të cilin autori e qëndis mjaft mirë. Mirëpo atje, përveç Hirnës së bukur, Gazetari njoftohet me një fenomen tjetër të gjallë, Dinën Gjon, hallën e Hirnës, që është bërë axhë, ose siç quhet ndryshe në ato zona, Virgjëresha e Përbetuar.

Ajo që e intrigon më së shumti lexuesin, por edhe autorin, është arsyeja e vërtetë që e shtynë këtë vajzë, por edhe secilën femër, që të kryej ritin e betimit dhe të bëhet mashkull! Këtu edhe lexuesi e kupton se personazhi kryesor është një shpirt, që qarkullon nëpër gjithë veprën, herë si histori, herë si mister që kërkon të zbulohet. E gjithë lufta që zhvillohet në këtë trekëndësh, Dina Gjon, Hirna Gureshi, Bdek Diveli, është një luftë e brendshme, që e mban peng jetën e secilit personazh, secili në formën e vet, kërkon zgjidhjen e problemit të shpirtit. Por si treshe, njëri është femër, tjetri mashkull ndërsa i treti është as femër as mashkull, edhe femër edhe mashkull! E pakënaqur Hirna që jeton në shekullin e ri; i pakënaqur Bdeku, i cili jeton kalimin nga e vjetra në të renë, por pakënaqësia vjen nga thellësia, nga Dina-Gjon e cila në formën e saj, ka ngurosur fatin brenda teshave të mashkullit dhe është betuar të jetojë nën këtë maskë. Mos vallë ne duhet të heqim dorë nga disa zakone të vjetra e përfundimisht të jetojmë në realitetin e kohës moderne?! A por, mos vallë autori do të na thotë se ende jetojmë me një mendësi mesjetare?!

Autori përmes kësaj treshje, do të na tregojë se sa e pashpirt është shoqëria jonë, por gjithashtu na fton si individ ta kuptojmë se sa gënjeshtarë jemi ndaj jetës dhe vetvetes. Secili në këtë treshe ka shpirtin binjak, shpirtin që e ka humbur dhe që i vërret në mëndje e në zemër. Për Hirnën është Bdeku, dhe për Bdekun është Hirna, të cilët jetojnë në një qytet dhe vazhdojnë të ndrydhin shpirtin në pritje të ndonjë mrekullie ose të ndonjë çudie që do të shërbente që ata të ktheheshin në rolet e veta në jetën reale. Ndërsa pak më ndryshe shfaqet situata e Dinës-Gjon, e cila shpirtin e vet binjak e humbet edhe nga sytë, por Dina - Gjon, humbet edhe veten si femër.

Nëse fillojmë me zbërthimin e këtij trekëndëshi, kuptojmë se Dina Gjon, ose Virgjëresha e betuar e ka kryer një veprim të tillë për shkak të dashurisë. Ajo nuk është një burrneshë siç paraqitet nga ata të shtëpisë dhe të afërmit, ajo është një femër e brishtë, një njeri që zemrën dhe ndjenjat i ndrynë. Një femër në plot kuptimin e fjalës, e cila madje edhe ëndërron shpesh njeriun që ka dashuruar.

Shoqëria jonë, nuk e ka thënë e as pranuar ndonjëherë faktin se këto femra që janë bërë meshkuj, e kanë bërë një gjë të tillë nga dashuria për një mashkull!!! Përherë kjo dukuri është mbuluar nga petku i moralit dhe i sakrificës për familjen!

Në anën tjetër, Bdek Diveli dhe Hirna, edhe pse në kohë tjetër, në rrethana plotësisht të ndryshme, mbesin peng të fatit. Madje, ata krijojnë familje përkundër dëshirës së zemrës dhe gjithë jetën e tyre e jetojnë duke ndrydhur ndjenjat. Autori portretizon shpirtra të humbur dhe ndjenja të burgosura, por në kohë të ndryshme! Të burgosur nga shoqëria, nga ndikimi i rrethit, nga ndikimi i ligjeve te vjetra e të kalbura. Këtu duket sikur koha nuk lëviz fare, janë vetëm emrat në gjenerata ato që ndryshojnë. Koha  është thjeshtë një matës i moshës, por jo edhe ndryshim i jetës, i psikologjisë apo shoqërisë.

Asgjë nuk ecën me dhunë, sikur do të na thotë autori. Të gjitha gjërat në jetë që ndërtohen pa bazë të fortë, shkatërrohen një ditë dhe siç e dimë të gjithë, jeta nuk ka gomë për fshirjen e gjërave që i jetojmë.

Nuk jam ndalur në analizë të thellë të veprës, sepse unë nuk jam kritik letrar. Thjeshtë, si një adhurues i fjalës së shkruar, pas leximit të këtij romani, e ndjeva veten të obliguar që t’ua sugjeroj të tjerëve që ta lexojnë. Po bëj siç bëhet mes miqsh. Thjeshtë tregova përshtypjet e fituara nga ky roman që në vete mban një gjen të fortë te etnisë sonë shqiptare, një letërnjoftim të fortë të gegnisë. Autori Ndue Dedaj gërsheton disa ngjarje e personazhe që jetojnë frymojnë nëpër shtete të ndryshme përreth Shqipërisë, por që kryesisht jetojnë nëpër vise shqiptare si: Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj! Një roman që ia vlen të lexohet nga të gjithë!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat