Ali Kelmendi, një zë serioz nga Cyrihu se Kosova humb territor me Marrëveshjen e Vjenës

Libra

Ali Kelmendi, një zë serioz nga Cyrihu se Kosova humb territor me Marrëveshjen e Vjenës

Nga: Prof. Dr. Zymer U. Neziri Më: 18 mars 2018 Në ora: 22:35
Ali Kelmendi

Të nderuar të pranishëm, të nderuar profesorë Hakif Bajrami, Shpejtim Bulliqi, Liman Rushiti, profesorë të fakulteteve e të instituteve, Gani Krasniqi dhe brezi '68, brezi '81 dhe brezi i UÇK-së, ju për­shëndes të gjithëve!

Dy pikat më të njohura në këtë 100-vjeçar të Çakorrit, mal simbol i krenarisë dhe i dhembjes ru­go­vase, janë mbrojtja dhe pushtimi i tij, që janë edhe tema shqyrtimi në librin që po e për­u­ro­j­më sot, E vërteta për kufirin e vjetër  Çakorr-Hajlë- Kullë,  i autorit Ali Kelmendi. Aty është e vër­teta se kufiri i vitit 1945 ndërmjet Ko­sovës e Malit të Zi për­fu­ndon në Çakorr, pra aty ku për­fu­ndon kra­hina e Rugovës, por duke lënë jashtë në atë krah kra­hi­nat e tjera të push­tuara të Ko­sovës më 1912. Aty janë vënë në pah mbrojtja dhe pu­shtimi i Çakorrit nga Mali i Zi, në prag të Luftës së Parë Bo­të­rore, më 1912, si dhe mbrojtja e tij gjatë Luftës së Dytë Botë­rore, 1941-1944, deri në ripushtimin e tij të tretë dhe të fundit, më 1944. Dhe, aty, pra në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit, pushtu­esit, Ser­bia e Mali i Zi, vend­osin ku­firin më 1945-46, që sot pranohet ndërkombë­ta­risht. Ai kufi nuk ka ndry­shuar deri në fundin e Jugosllavisë së dytë, e jo si thuhet në Marrë­ve­shjen e Vjenës 2015 se kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Kuqishtë e te Kroni i Sokolit, sepse kë­shtu Kosova humb mbi tetë mijë hektarë tokë.

Autori i librit dhe brezi i tij rugovas janë të lindur pas ripushtimit të Kosovës dhe të vi­se­ve tona të tjera, më 1944, pas kryengritjes, burgosjeve e pushktimeve, në kohën e mble­dhjes së tepricave e të punës detyrimore. Ai e kaloi fëmijërinë e hershme në kohën e aksionit të armëve dhe të shpë­r­nguljes për Turqi. Por, në ato vite, Rugova, që nga Çakorri e deri në Pejë, mbeti pjesë e Ko­sovës, sipas Komisionit Federativ për caktimin e kufinjve, më 1945-46. Nga libri E vërteta për kufirin e vjetër  Çakorr-Hajlë-Kullë shihet se Ali Kelmendi ka gjetur dokumente dhe harta në Zvi­cër, që dësh­mojnë kufirin e Komisionit Federativ, më 1945-46: Qafa e Çakorrit- Moknat-Smilevica-Ha­jla-Kulla e Zhlebit, i pandryshuar në nivel federativ deri në fundin e asaj federate. Ai sjell edhe të dhëna nga enci­klo­pe­ditë e librat e ndry­shëm për ku­firin e vitit 1945-46.  

Autori është pasues i brezave paraardhës rugovas, në krye me komandantët Salih Jaha, Çe­lë Sha­bani e Kadri Bajri, dhe pasardhës i atyre që luftuan rreth dyqind vjet për tokën e vet, po edhe të atyre që mbrojtën Rugovën nga Mali i Zi në Çakorr gjatë krejt Luftës së Dytë Botërore, në pe­ri­udhën '41-'44, në krye me komandantin Zhukë Haxhia. Edhe të parët e Ali Kelmendit kanë qenë luftëtarë të da­lluar. Ata kanë mbrojtur Çakorrin në tetor 1912, i cili ra pas një lufte he­ro­ike të 9 mijë mbro­j­tësve shqip­tarë kundër sulmit të ushtrisë së Malit të Zi, e komanduar nga gjenerali Ja­nko Vuko­tiq. Ata luftuan me armë e pa to, me pushkë e me sopata, luftë që zgja­ti rreth dy ditë e net. I për­mendur është edhe gjyshi i autorit, Zhi­ti i Kadri Sokolit, hero epik i traditës gojore.

Në vijim, ai tërheq vërejtjen për udhëheqjen e sotme të Kosovës dhe për rrezikun nëse ra­ti­fikohet Ma­­rrë­veshja e Vjenës, e nënshkruar më 2015. Ai sjell argumente se kufiri, së fundit, është sak­të­suar para 70 vjetësh, nga Serbia e Mali i Zi, aty ku përfundon krahina e Rugovës, por duke lënë jashtë pjesë të mëdha të Kosovës: Pla­va, Gucia, Berana, Rozhaja, Sanxhaku i Pazarit, si dhe vise të tje­ra shqiptare, deri në Ulqin e Ti­var.

Autori përmend edhe emra nga kreu i Kosovës se ky është kapitullim i tyre para rugovasve dhe është mashtrim për liberalizimin e vizave, si dhe thotë se demarkacioni kurrë nuk do të kalojë pa pëlqimin e banorëve të Rugovës dhe përfundon se udhëheqësit ''po rrëshqasin në grackën e tra­dh­­­tisë kombëtare me faljen-shitjen e 8 230 hektarëve të tokave tona.''

Ali Kelmendi ka përkrahur intelektualët tanë, profesorët Shpejtim Bulliqi, Zejnullah Gruda, Riza Smaka, Muharrem Carabregu, Florim Isufi, Muhamet Sadiku, Sylë Osmanaj, Zymer Neziri  etj., që në pranverë 2015, para se të nën­shkruhej Marrëveshja e Vjenës, i thanë ish-Komisionit Shte­tëror të Kosovës, të kryesuar nga M. Meha, se po gabon, kurse kumtesat i botuan në një libër të veçantë. Dihet, ai libër u shtyp tri herë brenda gjashtë muajsh, por, Qeveria e Kosovës kreu pu­nën si e kreu dhe Marrëveshja u nën­sh­krua në Vje­në, kurse tash po kërkohet që ajo edhe të ra­ti­fikohet në Kuvendin e Ko­sovës!

Autori ka përkrahur protestat e banorëve të Rugovës, të Pejës e të Rrafshit të Dukagjinit, si dhe të Prishtinës e të viseve të tjera dhe ka përkrahur peticionin e mbi 200 mijë nënshkruesve kundër Ma­rrëveshjes së Vjenës; Ai ka përkrahur veprimet e Klubit të Intelektualëve Universitarë të Ru­govës kundër Marrëveshjes së Vjenës, si dhe shkresat e tyre drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të dy presidentëve, në Tiranë e në Prishtinë, të dy kryetarëve të dy kuvendeve dhe të dy kryemi­nis­t­ra­ve. Tash, Ali Kelmendi, që del para lexuesve me këtë libër për kufirin e vjetër Ça­k­orr-Hajlë-Zhleb, të vitit 1945-46, për­krah Raportin e Komisionit Shtetëtor për kufirin, të krye­s­uar nga Shpejtim Bu­lliqi, që me dëshmi të pa­kontestueshme e kundërshton Marrëveshjen e Vje­nës.     

Nga leximi i librit E vërteta për kufirin e vjetër Çakorr-Hajlë- Kullë mund të nxjerrim disa përfu­ndime dhe një pasqyrë historike të pushtimit e të ripushtimit të tre­fi­shtë të Çakorrit, brenda gjy­smë shekulli: në vitet 1912, 1919, 1944, kurse në vitet 2012-2015 Çakorri bashkë me Kullën e Zhlebit i dhurohen Ma­lit të Zi! Këtë e kanë bërë disa udhëheqës të lartë të Ko­sovës, thotë ai. Këtij dhurimi i ka prirë ish-Komi­sioni Shtetëror për kufirin, i drejtuar nga Murat Meha. Fatkeqësisht, Marrëveshjen e nënshkroi Kosova më 26 gusht 2015 dhe kufiri, sipas saj, është te Kroni i Sokolit (Savina Voda) e jo në Kullë të Zhlebit, dhe është edhe në katundin Ku­qishtë, e jo në Qafë të Ça­korrit, pra për rreth 8 200 hektarë dëmtohen pronat e ka­tu­ndeve të Rugovës së Si­përme, por edhe vend­ba­nimet e tjera të Ru­govës së Poshtme hu­mbin tokë. Gjithashtu, me atë ma­rrë­veshje janë dëmtuar rëndë edhe ba­norët e shu­­më katundeve të anës së sipërme të Rra­fshit të Du­­ka­gjinit. Pra, kjo ka ndodhur aty ku pop­u­llsia është etnikisht shqi­p­tare, aty ku ka ve­tëm shqi­ptarë dhe nuk ka fare popullsi slla­ve, ku flitet vetëm shqip, ku veshja, kënga e vallja janë vetëm shqi­ptare, ku ruhen edhe doket, ri­tet e mitet që nga lashtësia il­ire.

   Në fund, në kua­dër të këtyre shqyrtimeve të librit të Ali Kelmendit, për këtë 100-vjeçar të Ça­korrit dhe të fatit të tij, sa krenar aq edhe tragjik, shihet se në caktimin e kë­tyre kufijve pas LBD-së, më 1945, nga Jugo­s­llavia II, ashtu edhe si edhe përpara, shqip­tarët nuk kanë marrë pjesë. Ata ishin të ripu­shtuar nga Serbia e Mali i Zi, kurse këto të dyja vetë kishin vendosur kufirin në Qafë të Çakorrit e në Kullë të Zhlebit, më 1945, e jo në Kuqishtë e te Kroni i Sokolit. Por, më 1999, Ça­­ko­rri e krejt Rugova çlirohen pas luftës çlirimtare të UÇK-së, kurse Serbia e Mali i Zi e hu­mbin luftën me shqip­tarët dhe Kosova bëhet e lirë me ndihmën e NATO-s e sidomos të SHBA-ve. Por, sot, Kosova du­het të flasë edhe me zërin e hi­storisë dhe të etnisë, sepse është shtet i pa­varur dhe sovran, ashtu si edhe Mali i Zi, por jo ashtu siç veproi ish-Komisioni dhe ish-Qeveria, në vitet 2012-2015, madje, ashtu si po veprohet edhe sot, pa e dëgjuar zërin e popullit të vet e as zërin e historisë.

Krejt në fund, nga ky tubim përurues iu bë apel edhe tash Kuvendit dhe deputetëve të tij që të marrin parasysh Raportin e 4 dhjetorit 2017 të Komisionit të tashëm, të kryesuar nga prof. Bu­lliqi, të votojnë kundër rati­fikimit të Marrë­veshjes së Vjenës, sepse kështu është mirë edhe për Malin e Zi, edhe për miqtë tanë në botë, po edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat