Lora e Lan Kosovës si frymëzim lirik

Libra

Lora e Lan Kosovës si frymëzim lirik

Nga: Marius Qelaru Më: 22 mars 2018 Në ora: 06:18
Kopertina

Kemi shkruar dikurë për Havën e Lan (Asllan) Qyqallës, e cila na e përkujton tani Lorën e këtij poeti të talentuar. Përzgjedhjen në gjuhën rumune mund ta krahasojmë me një poemë të gjatë dimensionesh të ndryshme, dedikuar femrës së dashur, por edhe të rinisë së kohërave të kaluara me të, të ëndrrave, gjumit apo të kujtimeve të ndryshme rrugëve e netëve të Prishtinës me Lorën e paharruar e të padegdisur. Dhe, kur këto flasin metaforikisht, flasim në tryezë të kujtimeve, një vend i përshkuar me nga një „intermezzo” mbi tema tjera, mbi subjekte tjera, si takimet në Fushë-Kosovë apo: “Atdheun e vutë në ankand/ shiten gjymtyrët e trupit tonë/ për turpin vertikal/ të shtrirë mbi Trepçë/ gjerë e gjatë”. (Dialog me dëshmorin).

Një shembull interesant mund të jetë poezia „Në teatrin e tragjedisë”, kur: ”Zhulieta mallkon Hamletin në paraskenë/ se vuri shteg në mendësi/ parajsën po e kërkon në poezi/ Romeo pse gënjen/ për dashurinë e përndezur/ s’ta kam besën apo kërkon ndarje/ Zhulieta ndien me zemrën që flet.” Dashuria është subjekti elementar i “Pashaportës së dashurisë”. Vargjet e Lan Qyqallës kanë një parfum romantik, në një kopsht të krijuar me finesë për dy vetë, në mesin e një bote me gjithfarë problemesh, siç është bota magjike e Kosovës: ”Teuta e parë mban leksione Ramës, Berishës, Thaçit e Mustafës/ Atdheun ua lashë hartë të paqepur/ në funddet e keni testamentin e Pellazgëve/ mos qofsha vdekur/ Teuta me Teutë / njëra këllfin shtrëngon/ e tjetra me laps hartën arnon.”

Autorit i digjet shpirti për mërgimtarët shqiptarë që si pasojë e varfërisë e braktisën atdheun duke gjezdisur nëpër metropolat e Evropës: “Sorollaten rrugëve të harresës/ me bukën e djersës/ metropoleve të kryqëzuara/ gjuajnë magjen/ sodisin parqet/ trastën në gji, urrejtjen në sy/ për sofrën,/ ajrin, ujin…!” (Rrugët e harresës).

Dashuria ndaj familjes dhe atdhetarizmi i shqiptarit kaplon përmasa hyjnore. Poeti ngre zërin e kushtrimit kundër shërbimeve të fshehta të djallit që e krijuan tragjedinë e Kumanovës: “Bardhësi në pakufi/ në Kumanovë jehon/ krrokamë korbash/ skilja zbret në shekuj/ borëzeza e ripërtrirë/ ftohtësi në eshtrat e mekura/ mercenarët shtrijnë çarçafin/ e në sy të ushtarit / dhimbja/ klithje për Liri!” (Borëzeza).  Dhe më tej: ”Bora ngrin në fjalën Liri/ nga afshi i mekur në padrejtësi/ e cicërima ka mall/ në harpën e vjetër/ lumi shurdhon në ngrica akulli/ buzëngrirë qerpikët nga dielli/ yjet u shuan për lindje të re!”

Takimet me Teutën, Havën dhe Lorën, në intervale të ndryshme kohe, janë takime të paharruara, herë në Sarandë, herë në Prishtinë, herë në ëndërrime. Vlen të ripërkujtojmë nga libri i tij i parë në gjuhën rumune (”Loti i fjalës”), se në vargjet e autorit, qofshin ato për dashuri apo trishtim, për dëshirën e ëndërrimit me të e për të, për nostalgji, për një farë tipi të pritjes së lindur nga një kërkim që ta sjell kujtimin apo ëndrrën, nuk ka asgjë abstrakte, por nganjëherë duket si një ngjyrë në të cilën i zbut fjalët. Është një lloj shqetësimi fërgëllimesh të buta, të mënyrës me të cilën e krijon ligjërimin poetik, herë pas here të tjetërsuar në poema tjera, përmes procedeve të gjetura me kujdes të veçantë. Ja ku e kemi Lorën e tij: ”Ti më fundos/ në orbitë,/ më jep forcë/ me një fjalë,/ më jep jetë/ me një frymë,/ më jep dashuri/ me një shkronjë,/ më jep diell/ me një shikim,/ më jep inspirim/ me një ëndërrim,/ më jep mësim/ me një këshillë,/ më jep dritë/ me një vështrim,/ më sjell diell/ që  përherë lind.” (Ti më je).

Sensibiliteti i tij del pothuajse gjithmonë në sipërfaqe, duke ia dhënë origjinalitetin personal, në mënyrën për të menduar/ ëndërruar/ siç i ka hije, një rrugë nëpërmjet të cilës e anashkalon ashpërsinë, duke i krijuar vargjet me qartësi. Autori nuk është ithar i kërkimit të një perspektive që ta ofron metafizika, abstraktikisht apo jo, ndaj konditës humane, por ai zhytet në thellësitë e fuqishme të personalizimit. Në këtë drejtim duket se e preferon skenarin epik mbi atë të konfesionit vetjak, gjithmonë me Lorën në kujtesë: ”Pse o femër/ merr ngjyrë ari/ shkëlqen dielli në stadet pranverore/ flokët shndrisin aromë engjëllore/ në pranverën e hershme/ mall shekullor.” Dhe më tej: ”Pse o femër/ merr ngjyrën qiellore/ veshur në fond detin qëndis/ unë me nostalgji mbytem/ në këtë ngjyrë/ dremis i vetëm rrugës së vetmisë. (Detin qëndis)

Lan (Asllan) Qyqalla, i prezantuar me vargje në disa revista rumune, gjendet gjithmonë i ankoruar në limanin e ëndrrave të rinisë. Pena e poetit vizaton dhe rivizaton kujtimet, senzacionet dhe momentet e jetës së mbrujtur me dashuri dhe atdhedashuri. Poeti krijon rekuiem për poetin: ”Kristal në zemër je, dhe ti e di/ kujtimin e largët të një kohe / që ma sjell lamtumira e një zëri/ që belbëzon me vargjet si himn// Jetës i falëm brumin shpirtëror/ ëndërrat të gjitha s`i shkruam/ dashurinë kënduam në çdo shkronjë/ ne të padashuruarit e dashuruar!” (Një ditë). Dhe përsëri, vjen në pah Lora që e inspiron:  “Buzët  tua rrjedhin nektar dashurie/ në mëngjesin e harruar në Adriatik/ në natën e errët mbi syprinën e liqenit/ në dritën e hënës shkëlqen porterti yt/ në agun e avulltë vegullon dashuria/ në vesën e lulemalit si kasnec vrapoj/ harlisen notat në pentagram/ ta dashurojmë kohën e pritjes/ e në Bjeshkët e kurorëzueme si Nemuna të vemë kurorë.” (Lora).

Fuqia e poetit qëndron në vargjet e tij, njësoj si fuqia e magjistareve që joshin klientë përmes fjalës. Me ndihmën e pozisë, një botë magjike hapet për sytë dhe mëndjen tonë. Universi i fshehtë i poetit na magjeps me krejt gamën e përjetimeve dhe senzacioneve, duke krijuar një botë magjike, reale dhe imagjinare, të cilën nuk mund ta krijojë çdokush. Poeti kosovar, me një aktivitet të shquar letrar, kulturor dhe arsimor, shkëlqen me sinqeritetin e tij, duke krijuar vargje që mbahen mend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat