Vargje ku dominon tema e dashurisë për atdheun, jetën, natyrën

Libra

Vargje ku dominon tema e dashurisë për atdheun, jetën, natyrën

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 25 mars 2018 Në ora: 09:08
Kopertina e librit

Bisedonin dy lisa e një guri

Nga kodra në kodrën tjetër

A thua cili nga ne

Në këtë truall,është më i vjetër

…………….

Pra këto tri monumente të natyrës

Kuvendojnë nga kodra në kodër

Të gjithë dyzasit i kanë në zemër

Guri, Qarri, Bungu i Dyzit kanë një emër

Këto janë disa vargje të poezisë “Monumente të natyrës”  që bënë fjalë për tri bukuri natyrore që ndodhen në fshatin e lindjes së autorit, pra në fshatin Dyz të Llapit e që kjo poezi është në librin më të ri të autorit Hamit Majkovci.

Libri me poezi “ Shtigje jete ” është libri i tretë me poezi i Hamit Majkovcit që i boton brenda pak muajsh. Edhe në këtë libër ndër të tjera poeti mëton t’i realizojë disa nga temat dhe motivet marrë nga e kaluara jonë e lavdishme, e tashmja  që nuk është ashtu si do duhej të ishte po edhe nga jeta e përditshme, nga bukurit e natyrës…, dhe të gjitha këto i percepton përmes një ligjërimi që shquhet për tematikë të pasur dhe me kuptim të qartë, si dhe figuracion e simbolikë domethënëse.

Vargjet  e poetit Majkovci vijnë me një spontanitet, por që janë mjaft mirë të përshkruara me një muzikalitet që patjetër lexuesi i pëlqen.

Edhe pse libri është i strukturuar në gjashtë cikle ( Atdheu, Nëna, Jeta, Dituria ) ai korrespondon si një tersi

Me botimin e librit të tretë brenda një periudhe  të shkurtër poeti na bënë me dije se në shpirtin e tij krijues kaherë janë bluar mendime  e ide të cilat kanë pritur momentin e duhur për të dal në dritë dhe për ti parë edhe të tjerët dhe për të marrë një rrugëtim të mbarë e të suksesshëm.

Edhe me këtë përmbledhje si edhe me dy të parat Hamit Majkovci na bind se me vargjet e tij po jep një kontribut të çmuar dhe po radhitet ndër poetët që po i kontribuojnë krijimtarisë poetike tek ne.

Autori në këtë libër, në fillim na sjell vargje  me motive patriotike  të cilat i ka përmbledh në ciklin e parë të titulluar “Atdheu” ku shpreh respektin për të gjithë ata që u sakrifikuan për atdheun dhe lirinë që ne sot e gëzojmë edhe pse akoma nuk është ajo që e dëshirojmë dhe për të cilën u derdh mund e gjak por me shpresën se një ditë do të bëhet realitet amaneti i dëshmorëve.

Ja si shprehet në disa vargje të poezisë “Atdhetari”:

Sa ditë shprese ai pati.

Dhe s'i realizoi kurrë.

Vepra i buzëqeshi

Dhe ai u bë flamur.

Fuqishëm e shpreh edhe dashurinë që ndjen për nënën dhe atdheun:

Dhe zemra dashurinë

Në gjak e fsheh

Për ty, o e dashura nënë

Për ty,o i shtrenjti Atdhe

“Atdheu”

Ose vargjet për flamurin :

Pranë teje, o Flamur

Për ty, o Atdhe

Shqiptarët janë bashkuar

Pa dallim në fe

Se me atdheun nuk ka lojë dhe për te duhet të flitet me gjuhën e së vërtetës autori shprehet:

Për atdhe flitet

Me gjuhën e së vërtetës

Se shqipja, nëna, atdheu

Janë gjëra të pakrahasueshme të jetës

Edhe në këtë libër si edhe më parë poeti në shumicën e poezive thur vargje për atdheun, për heronjtë dhe figura kombëtare, për flamurin, për vendet historike, për …

Në poezinë “Simboli i rezistencës”, kushtuar Adem Demaçit, autori ndër tjera shprehet:

Nuk burgosej dëshira

As zemra e atdhetarit

Simbolit të rezistencës

Bacë, Adem Demaçit.

Autori  ndërton poezi të  qartë dhe të kuptueshme çfarë ia lehtëson komunikimin me lexuesit. Në poezinë “Nëna dhe Abetarja” autori ndër tjera shprehet :

Në periudhat historike

Në jetën e tyre shpirtërore

Nëna dhe Abetarja

Janë Hëna e Dielli i kësaj toke...

Larushia e temave dhe motiveve që shtjellon autori  janë nga e kaluara, nga përditshmëria jonë, janë copëza jete me shqetësime, janë plotë dashuri për jetën, për bukurinë e natyrës, janë edukative e me plotë mesazhe, por që nganjëherë hasim edhe një protestë të autorit ndaj dukurive  negative që nuk janë të pakta në shoqërinë tonë.

Në disa tek poezia “Përball çdo sfide” Majkovci shprehet :

Jeta të vë para çdo sfide

Në profesion, punë dhe orë

Mos mendo që ti çdoherë

Je i saktë si ora në dorë.

Ose tek poezia “Jeta” autori thotë:

Shumë gjëra mor vëlla

Pashë e mësova nga jeta

Më shumë qenë të hidhura

Sesa të buzëqeshura.

Ndërsa për dobinë që kemi nga dituria ndër tjera në poezinë me titull “Dituria “ shprehet :

Dituria të bën të njerëzishëm

Në sjellje, fjalë

Ajo mjegullën dhe errësirën

Ta bën të bardhë.

Autorin e preokupojnë edhe bukurit e natyrës dhe në disa vargje te poezia “Cicërima” ai thotë se cicërima e zogjve dhe zhurma e fëmijëve i dhen bukuri  dhe gjallëri jetës.

Cicërima e zogjve

Bukuri i jep jetës

Zhurma e fëmijëve

Gjallëri e pranverës

Marr në përgjithësi libri me poezi “ Shtigje jete ” i autorit Hamit Majovci shquhet për idetë, mendimet, porosit, origjinalitetin e vargut, mesazhin që japin vargjet dhe si i tillë lidh një komunikim të kuptueshëm me lexuesin dhe mendojmë se  do të pritet mirë dhe do të ketë sukses. Njëkohësisht autori na premton botime të reja në një të ardhme të afërt ku besojmë se do të sjell poezi edhe më të arrira ngase ngritja e tij është vërejtur nga libri në libër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat