Në biblotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u promovua libri "Njeriu dhe demokracia" i Dr. Don Mikel Sopit

Libra

Në biblotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u promovua libri "Njeriu dhe demokracia" i Dr. Don Mikel Sopit

Nga: Lekë Mrijaj Më: 28 mars 2018 Në ora: 23:26
Kopertina e librit

Sot në biblotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në prani të një auditoriumi të gjerë miqësh, intelektualësh të profileve të ndryshme e meshtarë të Administraturës Katolike Shqiptare të  Kosovës është promovuar libri i radhës me titull “Njeriu dhe demokracia” i Dr. Don Mikel Sopit, klerik e katekist i cili përfaqëson edhe ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar në kishën katolike të Kosovës, njëheri është edhe famullitar në kishën e “Shën Nikollit” në Velezhë.  Në këtë promovim ishin të pranishëm edhe Don Lenc Sopi, dekan i dekanatit të Pejës e famullitar në Klinë, Don Fran Sopi, famullitar në Pejë e z. Elmi Reçica, deputet në Kuvendin e Kosovës,  Abdullah Karagdiu, Zef Shala, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës (SHHBK) “Nënë Tereza”, Leze Qena, aktore etj.  Pra botimi i këtij libri është një arritje e madhe për shkencat tona shoqërore e shtetin e së drejtës, filozofisë e historisë së kohës klasike e lëmive të tjera gjithpërfshirëse shoqërore.   

Ky promovim i sotëm i këtij libri është drejtuar nga një panel i lartë akademikësh të botës shqiptare: Prof. Dr. Ardian Ndreca, Universiteti Papnor Urbaniana në Romë, Prof. Dr. Beqir Sadikaj, Universiteti i Prishtinës,  Prof. Dr. As. Nevila Xhindi, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, Prof. As. Albert Nikolla, antropolog e lektor i ftuar nga Universiteti i Firences e autori i librit Dr. Don Mikel Sopi. Në fjalën e tij para të pranishmëve të këtij evenimenti ishte  Prof. Dr. Ardian Ndreca i cili e vlerësoi lartë punën studimore e akademike të Dr. Don Mikelit, duke theksuar se kontributi i këtij autori në këtë fushë është tejët i dobishëm në mbarë shoqërinë tonë, ndaj vazhdoi duke thënë se autori Dr. Don Mikel Sopi, në librin e tij “Njeriu dhe demokracia”, ka bërë një nderthurje të stilit manual me përplot analiza konkrete, bazuar plotësisht tamam nga një literaturë  tejët të avancuar, gjë që e banë këtë libër të jetë një risi për gjininë e studimeve shoqërore e sociale në percjellje gjithnjë të valencave shpirtërore e baritore krahas temave themelore të natyrës dogmate, juridike, e shoqërore etj.  

Po ashtu  edhe recensenti i këtij libri Prof. Dr. Beqir Sadikaj,  ka theksuar se Dr. Don Mikel Sopi, ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këtë libër ndaj edhe e inkurajoj autorin në fjalë që të mos ndalet dhe të vazhdoj punën e tij edhe më tutje me prezentime të sojit të tillë. Autori i librit u pergezua edhe nga Prof. Dr. As. Nevila Xhindi e Prof. As. Albert Nikolla të cilët veq tjerash thanë se ky libër i këtij autori është një prurje e referencave të dokumentave zyrtare të kishës katolike me një filozofi klasike me perplotë punime të antropologëve, psikologëve e  përfshirje të doktrinave sociale të kishës apo të zhvillimit njerëzor deri tek debati për ligjin dhe shtetin e së drejtës e njeriu postmodern.  

Përmes një fjale rasti ishte edhe redaktori i këtij libri Don Viktor Sopi, Drejtor i “Caritasit” të Kosovës i cili i falënderoj të gjithë të pranishmit në këtë eveniment madhor ndaj tutje e çmoj përkushtimin dhe punën studimore të Dr. Don Mikelit, duke i deshiruar suksese në të gjitha sferat. Me nga një fjalë rasti u paraqitën z. Elmi Reçica-deputet dhe zonja Leze Qena. Fare në  fund ishte edhe autori i këtij libri Dr. Don Mikel Sopi, i cili i falenderoi të gjithë të pranishmit njëkohësisht edhe familjarët e miqët e tij që nuk rreshtën së mbeshteturi qoftë moralisht dhe materialisht ndaj të gjithë të pranishmit i ftoi për një koktej rasti.  

Autori perveq librave të botuara ka në dorëshkrim edhe shumë e shumë hulumtime e shkrime të tjera të natyrave të ndryshme studimore e teologjike që tutje e presin të e shohin dritën e botimit.  Libri është i regjistruar me ISBN 978-9928-226-78-5.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat