Një paralajmërues destinesh të përbashkëta

Libra

Një paralajmërues destinesh të përbashkëta

Nga: Nicolae Dabija Më: 30 mars 2018 Në ora: 06:36
Kopertina

Gjatë vizitës sime të parë që e bëra në vitin 1987 në Bukuresht, pata fatin ta njoh Baki Ymerin. Dukej ashtu siç duhej të duket një poet shqiptar: sy me shkrepëtimë xixash, melankolik, i heshtur dhe me fjalë që i buronin nga zemra në të njëtën kohë, recitues vargjesh personale dhe të huaja. Diskutoja me të sikur të njiheshim qysh para mijëra vitesh. Më fliste me fragmente nga poemat e tij të ardhshme: “Zgjohuni gurë/ Dhe më pyesni/ Për Fushën e Mjellmave/ Dhe për bjeshkët/ Me të cilat do të vdesim/ Me fëmijët tonë në krahë.”

Marin Sorescu, poeti i famshëm rumun, shkruante për të se ka arritur të përfitojë simpatinë dhe vlerësimin e bashkëvëllezërve tanë nga ana e majtë dhe e djathtë e lumit që e ndan Rumaninë nga Basarabia. Dy gjuhëve amtare që i njihte, shqipen dhe rumanishten, Marin Sorescu ia shtonte edhe gjuhën e tretë, gjuhën e poezisë. Pra, kemi të bëjmë me një poliglot. Kuptoj në ndërkohë se së bashku me këto tre gjuhë, Baki Ymeri njihte gjuhët më të njohura evropiane, totalisht dhjetë gjuhë nga të cilat përkthente.

Vargu rumun i transponuar nga ai në gjuhën shqipe, shëmbëllen me rikthimin te krojet: në ato kohëra të lashta kur ne, rumunët dhe shqiptarët, kishim një të shkuar të përbashkët, i mbetur në një nënshtrat poezishë e fjaslësh poetike, kur gjuha rumune dhe ajo shqipe ishin një: ajo që e flisnin trakasit dhe ilirët e Orfeut. Por, Baki Ymeri nuk është vetëm një përkthyes i mirë – rikëndues jo vetëm i fjalëve por edhe i gjendjeve shpirtërore, por edhe një poet i përsosur, një cilësi e domosdoshme për një përkthyes poezishë.

Do ta krahasoja poezinë e tij me malet dhe bjeshkët e Shqipërisë reale, me ato që mbajnë edhe emra të përbashkët me bjeshkët tona: Korabi, Boletini, Gurët, Lumenjtë etj. Vargu i tij ka freskinë e krojeve të maleve, frymëmarrje gjethishtesh të lëvizura nga stuhitë detare, lartësi hyjnore të sulmuara nga vetëtimat që tentojnë me kryeneçësi të mbeten atje, ndërmjet shkrepëtimave të blerta dhe të palëkundshme. Kjo lë përshtypjen se ndjenjat e tij lindin më parë nga heshtjet se sa nga fjalët. Lirika e tij jeton tejmatanë fjalëve të dhjetë gjuhëve që i njeh dhe të cilat e njohin. Poezia e tij është një krijim atmosferash. Ai din të krijojë atmosferë përrreth disa yjeve të vdekshëm, të cilat poeti shqiptar din t’i rikthejë në jetë.

Për Baki Ymerin, jeta dhe poezia janë sinonime. Është një sinqeritet i përjetimeve, sentimente të transformuara në tekste poemash, ide të ndjera, meditime sentimentale. Poezia për Baki Ymerin është mënyra për të ëndërruar të paëndërruarën, dhe për ta thënë të pathënën. Kuptim dhe nënkuptim. Diskurs poetik i heshtjes. Iluzion i realitetit. Sy, veshë, nuhatje, që shohin, ndjejnë dhe kundërmojnë poezinë, për të ciën thotë: “Lule e heshtur ishe/ Lulet vdesin nëse heshtin!”

Ai mendon dhe i beson fuqisë së dashurisë. Dashuria është fuqia që shërron. Balsam i kulluar mbi zemrën e lënduar. Fije lëmshi nga sentimentet e të dashurës dhe të dashurit, që ndikojnë që dashuria të mos vdesë kurrë: “Prej dje/ Tre mijë vjet kanë kaluar”. Dashuria është parajsa të cilën e mbajmë me vete, pasi që kemi qenë të braktisur nga ajo, në pelegrinimin tonë në tokë: “Danubi është i bukur dhe i ftohtë/ Ti je e bukur dhe e ngrohtë”.

Sintagma e Goethe-s “Mbetu për një çast”, te poeti shqiptar kaplon përmasa më të ndjeshme: “Zhvishu nga ujërat rrjedhëse/ Dhe mbetu hijeshi magjepsëse!” Femra e tij e shndërruar në perëndeshë, zbret mes të vdekurve. Ai i këndon edhe femrës arumune me një elegancë të çiltërt: “Më thuaj moj vllahinkë/ Buzët tua janë dredhëza?”. Kur dashurojmë, thekson poeti shqiptar, “Jemi më afër Zotit”, dashuria duke qenë kundërshtari i vetmisë, i harresës, i egoizmit.

Baki Ymeri është një përkthyes i shkëlqyer nga gjuha e tij amtare në gjuhën e tij atërore. Ata që e kanë lexuar biografinë e tij, e dinë se babai i tij ishte shqiptar, ndëra mamaja rumune. Në orën aktuale, ai përfaqëson njërin nga poetët më përfaqësues të lirikës ballkanike, poezia e tij duke u shndërruar në një urë të shëndetshme ndërmjet popujve që tentojnë t’i anashkalojnë muret ndërmjet kulturave.

Poezia trako-ilire e Baki Ymerit (apo rumuno-shqiptare), është një dhunti me rrënjë të thella, jo vetëm në të shkuarën, por edhe në poezinë e të nesërmes, të cilës krijimtaria e këtij poeti origjinal dhe modern, i paraprin si një destin i përbashkët që na afron dhe afirmon. Mund të themi kështusoj, se kemi para nesh një, krijues dhe një paralajmërues me të cilin duhet të mburremi.

_____

*Nicolae Dabija (shqip Dabizha) është Akademik dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Republikës së Moldovës (Basarabisë).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat