Majlinda Rama, zëri që magjeps lexuesin dhe trondit kritikën letrare

Libra

Majlinda Rama, zëri që magjeps lexuesin dhe trondit kritikën letrare

Liliana PERE Nga Liliana PERE Më 11 prill 2018 Në ora: 11:45
Majlinda Rama

Auditori ish plot. Shumë të ardhur mbetën në këmbë. Disa u detyruan të dalin jashtë dere sepse s’kishin ku të rrinin. (S’kish ndodhur asnjëherë të shihja njerëz që ziheshin për vende në sallë, me arsye LIBRIN). Kjo po, që ishte ngjarje e shënuar. Njerëzit po mblidheshin për libra.  Librit, kohët e fundit po i ikin me vrap, i madh e i vogël, por tek Majlinda duket se kjo teori nuk pinte ujë. E tha edhe drejtuesi i aktivitetit, studiuesi Behar Gjoka në hapje të aktivitetit “Libri është në krizë, por mesa duket Majlinda dhe krijimtaria e saj kanë ditur të ndërtojnë fije duke e mbajtur komunikimin me lexuesin e duke depërtuar në shpirtin e tij”.

Me pak fjalë, ishte një promovim që s’u duk si promovim, por si një takim masiv me të ftuar të zgjedhur që mbanin radhën të takonin autoren. Disa vërshuan mbi librat e saj, të tjerët zhurmonin me njëri – tjetrin duke folur rreth vlerave të pamohueshme të një vajze të re, që ka ecur bindshëm si një grua dinjitoze e me integritet të lartë. Edhe ky, rast për t’u shënuar në historinë e letërsisë shqipe.

Përvec panelit që qëndronte në krye e që kishte në përbërje emrat më të nderuar të botës akademike, studimore e kritike, salla, pra auditori, kish po aq cilësi në përbërje. Ishin përballë panelit, personalitete të fushës së letrave, akademikë, profesorë, shkrimtarë të shquar, studiues e shumë emra të njohur të jetës publike e kulturore në vend.

Diku, dëgjova edhe disa që thoshin se erdhën nga Athina, Amerika e Kosova. Deri këtu, pra ajo që dukej ishte perfekte, një vlerësim që i bëhej shkrimtares dhe poetes, që nga pjesëmarrja.

Fjalën e mori studiuesi Behar Gjoka, i cili e prezantoi larminë e librave të Ramës, që nga studimet, romanet, novelat, eseistika, poezitë etj. Fjala ish për librin e botuar në Maqedoni

“Lulet e egra”, i cili u përpi (u shit) pa nisur mirë aktiviteti. Ky libër, na ish paralajmëruar më herët nga disa shkrime e informacione, por nuk e  kishim marrë në duar për ta lexuar, me përjashtim të disave.

Akademiku Aliu Aliu në hapje të diskutimit të tij, tha se ky është libri i më i shënuar në hapësirën letrare të shqipes, duke e konsideruar si një libër të rëndësishëm. Ai udhëtoi nëpër librat e botuar, përgjatë krijimtarisë 15 vjecare të autores, derisa mbërriti tek libri i saj i fundit, te “Lulet e egra”.

“Është një libër që ka sjell me vete një harmoni të përsosur estetike, njësoj si “Ikja”dhe“Kthimi” (novelat e llojit të poemave romantike të autores). “Lulet e egra” është një ndër librat më të rëndësishëm të botuar në letërsi këto kohët e fundit. Ka një dehje dhe një kthejlltësi në ato poezi që të mbërthejnë dhe secili gjen vetveten aty brenda. Kjo është një meritë e Majlindës që ka zgjedhur detajin, motivin, strukturën, idenë, fjalorin, figuracionin dhe këndvështrimin. Do duhej të flisja gjatë për specifikën krijuese të autores, por mund të them se kam bindjen se ajo ka kapërcyer shumë shkallë në letërsinë e saj drejt majave poetike”, ka thënë akademik Aliu.

Studiuesi i mirënjohur, Nasho Jorgaqi u shpreh se pas Musine Kokalarit dhe tri krijueseve të para në letërsinë shqipe, 10 dekada më vonë del një zë serioz ndër femrat krijuese.

“Letërsia shqipe i ka patur të pakta femrat që kanë krijuar letërsi të mirëfilltë. Pas Musine Kokalarit e Jolanda Kodrës, 10 dekada më vonë na del një zë serioz ndër femrat krijuese. Me pak fjalë del një vajzë nga Tepelena me një vëllim poetik që hyn në radhën e poetëve më të mirë të kohës së sotme. Dihet që ka patur me qindra gra e vajza që kanë tentuar të shkruajnë e nuk kanë lënë gjurmë, por Majlinda

Rama ka arritur të jetë përfaqësuese e denjë e letërsisë, si një krijuese e mirëfilltë e serioze dhe është një shpresë e madhe për letërsinë shqipe”, ka thënë studiuesi Jorgaqi. 

Ndërsa, profesor Ymer Ciraku vlerësoi modestinë e Majlindës dhe tha se kur u njoh me krijimtarinë e saj, në prozë fillimisht, ish befasuar. Ajo shkruante si një shkrimtare e sprovuar, sipas tij.

"Kur e njoha Majlindën, ajo bënte aktivitete shumë serioze në Fier dhe unë mendova se ishte vec një organizatore e zellshme, por kur më ra në dorë romani i saj “Perandorët” u befasova për mënyrën se si shkruante, si një shkrimtare më përvojë të gjatë shkrimore,  pastaj kërkova edhe romanin “Zonja me të kuqe” dhe m’u përforcua bindja për të dhe thashë po kjo pse nuk I lë një aneks vetes dhe nuk bën aktivitete për vete.

 Mendoja, ose është modeste, ose vishet me një lloj mistifikimi, sic janë këto manierat e sotme të ca shkrimatrëve të rinj.

Ndërsa me librin “Lulet e egra”, ajo i ka vënë vulën përfundimtare krijimtarisë së saj cilësore. Ky libër me përcolli shije të vërtetë poezie. Ishin lule egërshane që i lëkund tronditshëm si valë deti fryma e njeriut. Dua të theksoj kështu, se janë krijime të vërteta.

Pra, janë përjetime që duket sikur i provoi secili prej nesh. Është ky një raport i endur me mjaft mjeshtëri dhe inteligjencë, ai mes tekstit dhe lexuesit të tyre. Shkurt fare: Të lumtë! Dhe besoj fort se suksese te tjera me siguri te presin. Shkruaj për qejfin tënd se ashtu poezia vjen me klas të epërm", ka thënë Ciraku. 

Studiuesja Klara Kodra, po ashtu nuk i ka kursyer fjalët vlerësuese për librin. Sipas saj, Majlinda është themeluese e avangardës së katërt që përfaqëson mirë letërsinë e viteve 2000.

“Majlinda Rama ka zërin e vetë origjinal, poetikën e vet.

Poezia e saj lidhet me avangardën e katërt të letërsisë shqiptare atë të viteve 2000, ku ndërthuren modernizmi, pasmodernizmi dhe realizmi. Lirika e Majlindës është lirikë e mendimit dhe lirika e mendimit ka dicka të fortë në dukje. Poezia e saj merr shumë forma, sociale, ekzistenciale, intime, por uni lirik i Majlindës nuk është i copëzuar, as i dyzuar, është koherent”, ka thënë Kodra.

Historiania dhe gazetarja Monika Stafa duke vlerësuar cilësinë pjesëmarrëse, solli për të pranishmit disa nga poezitë e librit në fjalë. “Falendroj organizatorët që më ftuan të jem pjesë këtij takimi me një pjesëmarrje kaq cilësore, dhe sic e thanë edhe profesorët e fushës, edhe unë e gjeta veten në shumë vargje brenda këtij libri”, - ka thënë Stafa.

Poezitë që solli Monika e përmbushën edhe më tepër kornizën krijuese të Ramës e cila, për hir të së vërtetës, këtë herë u shfaq e emocionuar para publikut të gjerë në sallën e tejmbushur.

Në takim për librat e autores diskutuan edhe të tjerë, si Behar Gjoka, Thanas Jani e të tjerë. U interpretuan poezi edhe nga aktori Kristian Koroveshi.

Shkrimtarja Majlinda Rama përshëndeti të pranishmit, ndërsa u shpreh se letërsia është udha drejt vetes, drejt thellësisë se un-it për të depërtuar pastaj tek e përgjithshmja njerezore. Sipas saj, në letërsi nuk ka rëndësi se si i shkon lexuesit, në formën e poezisë apo të prozës, me rëndësi është të depërtosh tek shpirti dhe psikologjia e tij.

“Është vështirë t’u përgjigjesh pyetjeve të tilla se si do vazhdosh të komunikosh në letërsi. Mendoj se nuk ka shumë rëndësi se si i shkon lexuesit, në formën e poezisë apo të prozës, me rëndësi është që të depërtosh tek shpirti dhe psikologjia e tij. Cdo krijues ka dy momente gjatë krijimit; i pari është ai që ia vesh vetes si një misionar që do ndryshonte botën nëpërmjet shkrimit të tij dhe momenti i dytë ai i shkrimit për veten tënde. Kur të kap ky moment sheh thellë brenda shpirtit si ta përsosesh atë për të përmirësuar më tej edhe shoqërinë. Ndonjëherë duken edhe si nisma donkishoteske gjithë këto, por kështu është shpirti i krijuesit, paksa kontravers”, ka thënë Rama, ndërsa nuk ka harruar të bëjë një falenderim për bashkëpunëtorët e saj.

Majlinda Rama prej vitesh, përvec letërsisë, vazhdon të japë kontributin e saj edhe në gazetari. Në 15 vite jetë krijuese, ajo numëron 15 libra të botuar. Ka shkruar poezi, ese, artikuj shkencorë, studime, kritikë letrare, romane, novela etj. Si shkrimtare, Majlinda Rama u bë e njohur me romanin “Perandorët”, i cili bëri jehonë të madhe për shkak të tematikës së mprehtë, trajtimit dhe mpleksjes fabulare të shumë elementëve.

Ky roman që i hapi rrugën në letërsi, në pak kohë do të bëhej edhe film në Zvicër. Stili i veçantë i Majlinda Ramës ra menjëherë në sy të kritikëve e studiuesve më të njohur të kohës, si: Jorgo Bulo, Agim Vinca, Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Klara Kodra e shumë të tjerë, të cilët panë te shkrimtarja e re një fenomen letrar. Talenti i saj i gjithëanshëm, vjen përmes ngjyrash, situatash, personazhesh, problematikash, në gjini nga më të ndryshmet, nga lirika te epika, nga dashuria te drama, nga drama te tragjedia, të gjitha këto me një kulturë krijuese të adhurueshme.

 Heshtja e gjatë, që “ka tingull guri”, me impresionoi, e  kishte stolisur Majlinden me dhuntitë e një arti të pjekur. Botimi i librit Lulet e egra ashtu si dhe te tjeret i dhuroi dashamirëve të poezisë nje kenaqesi. Poezia është arti më i vështirë për t’u përcaktuar. Më duket sikur se poetja jone është  hermetike. Me gjithë këtë, më shumë se çdo art tjetër ajo nxjerr në pah natyrën evokuese e sugjestionuese të saj.

I uroj shume suksese Majlindës, modelit te shkelqyer te gruas,  shkrimtares  dhe profesionistes  së  mire nje  krijimtari  brilante.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat