Pasqyrim origjinal i trajtimit të temave

Libra

Pasqyrim origjinal i trajtimit të temave

Nga: XHAVIT ÇITAKU Më: 7 maj 2018 Në ora: 16:33
XHAVIT ÇITAKU

Bajram Muharremi-Bistrica përmes poezisë gjeti aftësitë e mrekullueshme për të shprehur gëzime e hidhërime, vuajtje dhe fitore, dashuri ndaj vendlindjes, krenari për ata që me pushkë në dorë  i dolën zot atdheut

Bajram Muharremi- Bistrica  ka filluar ngadalë por cilësisht të hyjë në krijimtarin letrare shqipe.  Deri me tash ai ka botuar  një libër- vepër të pasur e me përmbajtje atdhetare i titulluar “ Gjurmë atdhetare”. Në vitin 2016 botoi librin tjetër me poezi i titulluar “ Vullkan  i fjetur”. Ndërkaq , në mars të këtij viti Bajrma Muharremi- Bistrica troket bukur në shijen e lexuesve me librin poetik “ Vullkan i Shpërthithur”, që suksesshëm po depërton në duar të lesuesve dhe po vlerësohet mirë nga kritika letrare, sepse në secilin varg ata njoftohen me diçka të re, me diçka interesante, me diçka të fuqishme dhe joshëse.

Respekt e dhimbje për luftëtarët e lirisë

Poezitë e Bajram Muharremit- Bistrica kanë gjetur shtrirje të plotë e të larmishme të pasqyrimit të aspekteve të njohura të paraqitjes origjinale të trajtimit të temave. Në ciklin e parë e parë ky libër i kushtohet atdheut të dashur dhe të shtrenjtë, tokës dardane, e cila rriti  trima e heronj që i dolën zot atdheut. Kjo më së miri u pa dhe u dëshmua në luftën e fundit çlirimtare, në të cilën këta trima e trimëresha dhanë edhe jetën për çlirimin e vendit nga pushtimi shekullor serb. Në këtë cikël poezish  ai ngrit lartë heroizmin e heronjve dhe dëshmorëve të anës së Shalës së Bajgorës, në të cilën është lindur e rritur edhe vetë autori i këtij libri. Në fokus të vargjeve të poetit janë heroizmat e komandantëve Shemsi Ahmeti, dhe Ajet Dedisë, dëshmores së kombit, Fatime Hetemit dhe dëshmorit  Avni Shabani, pastaj të minatorëve të Trepçës dhe të ndonjë personaliteti tjetër të shquar në fshat e betejave kundër pushtuesit serb. Bajram Muharremi- Bistrica posaçërisht ndien një zbrazëtirë të madhe për vdekjen e hershme të mikut të tij dhe ish- Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Dr. Bajram Rexhepiit, duke u shprehur ndër të tjera kësisoj me këto vargje:

Kishim nevojë për fjalën e zërin tënd

Në tërë Kosovën, në çdo kënd

 Për buzëqeshjen tënde të zjarrtë e të lirë

Për shpirtin e zemrën tënde të mirë.

Pos respektit dhe dhimbjes  që ndien shumë për luftëtarët dhe komandantët e anës së Shalës së Bajgorës, autori shpreh edhe gjendjen e tij shpirtërore të jetës në dhe të huaj. Ai përmes vargjeve kërkon ndihmë për realizimin e dëshirës që të jetë sa më afër të asaj që e dashuron dhe dëshiron të jetë sa më afër saj përgjithmonë.

Në të vërtetë, poeti në prizmin e kurbetqarit  sa bukur e përshkruan qëndresën madheshtore të popullit shqiptar në trojet e Arbërit. Duke e ndier në shpirt mungesën e pranisë së tij në tokën e të parëve tanë, vendlindjes, ai me fuqinë e vargut e lavdëron aq shumë mbijetesën qindvjeçare nga hordhitë barbare, duke u shprehur: (  Trojet e Dardanisë u lanë me shumë gjak, për ditët e sotme të bukura me hak.)

Dhimbje e pikëllim ndien edhe për nënën që ia vranë barbarët serb në luftën e fundit. Ai e ndien në shpirt mungesën e saj dhe shpesh e ëndërron duke biseduar me të dhe duke u çmall me të si një bir mërgimtari: (Sonte, nënë, në gjumë të kam ëndërruar. Kisha ardhur nga larg, nga ky mërgim. Në Kosovë për t’u takuar me ty, o shpirti im.)

Shije e fort e mërgimtarit për natyrën shqiptare

Në ciklin tjetër autori i librit “ Vullkan i shpërthithur” , herë – herë në këto krijime  njeriu shfaqet në marrëdhënie aktive me natyrën. Ai atëherë na paraqitet si një shijues dhe adhurues i saj, por si forcë aktive, që krijon vlera materiale në këtë mjedis natyror plotë jetë e bukuri. Në çaste kënaqësie  shpirtërore komunikon e ndonjë rast dialogon me natyrën. Janë këto krijime të ngrohta, plotë dritë e hijeshi, që ngjallin ndjenjën e dashurisë për natyrën e bukur shqiptare, për zogjtë, malet, lumenjtë, fushat dhe gjithçka tjetër. Kjo pasqyron vjershën me elemente te reja të cilat ndihmojnë në përfitimin e një përfytyrimi më të zhdërvjelltë e më të pasur. 

Vjershat e këtij libri janë të perceptueshme dhe nga ndërtimi dhe konfiguracioni ato janë të lehta dhe të pangarkuara. Ato përshkohen nga një lëvizje e gjallë, nga një botë e pasur ndjenjash, nga një larmi mjetesh poetike rreth temës që trajtohet, si dhe nga shpërthimi dhe brendësia shpirtërore. që ndien poeti për diçka që poeti e ndien nga larg. Por asesi këtu në Suedi ku ai jeton e vepron, por atje larg, sigurisht në atdheun e dashur.

Buzë lumit në Bistricë,

Në mbrëmje duke shëtitur,

Dëgjoja valët e lumit duke gurgulluar,

Zogjër e malit duke kënduar.

Nga këto vargje të bie sidomos dashuria për atdhe. Ajo që i cilëson këto vjersha është zakonisht toni nostalgjik dhe dëshira e madhe për ta vizituar vendin ku ka lindur dhe se, siç thotë edhe vetë,  ka shumë mall për të dhe se gjithherë e ka mendjen tek ajo dhe atje dëshiron të jetoj. I larguar kohë të gjatë nga atdheu, poeti shpeshherë derdh edhe lot. Është kjo një përqasje shpirtërore e krijuesit të mërguar, të realizuar me përpikëri me një dozë të realitetit.

Bajram Muharremi- Bistrica përmes poezisë gjeti aftësitë e mrekullueshme për të shprehur gëzime e hidhërime, vuajtje dhe fitore, dashuri ndaj vendlindjes, krenari për ata që me pushkë në dorë i dolën zot atdheut. Pra poezia si fuqi magjike në këtë libër ka si motiv kryesor edhe dhimbjen që ndien për vendin k ka lindur, pastaj në këto krijime jetojnë edhe lirika, lumturia, dashuria dhe optimizmi.

Në fund mund të konstatoj se poeti në këtë libër poetik ka arritur në mënyrë profesionale t’i afrohet lexuesit me sukses, të josh atë dhe të pres që sa më parë të dalë me ndonjë krijim qoftë poetik, apo të ndonjë gjinie tjetër letrare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat