Misioni humanist i poezisë

Libra

Misioni humanist i poezisë

Nga: Faik Shkodra Më: 28 maj 2018 Në ora: 18:18
Kopertina

Për të qeverisur duhet ndershmëri, ndershmëri mbi të gjitha, duhet dashuri për këtë vend, por dashuri për vendin e jo për veten tënde, duhet një angazhim i vërtetë i të gjitha forcave mendore, morale fizike të popullit.

Në vëllimin poetik “Folenë e ëndrrave kërkoj” poezitë e Sadbere-Gagica Spahija spikasin vlera të rëndësishme. Lexuesi i vëmendshëm në to gjen tema, motive, ngjarje, figura dhe aspekte që lidhen me jetën dhe për jetën, për historinë dhe traditën, për heronjtë e lirisë, për të afërmit, për të djeshmen dhe të sotmen, etj. Brenda 100 poezive autorja ka arritur të shpërthejë me tërë forcën shpirtërore dhe ndjenore, mendore dhe imagjinatave dhe me një ndjeshmëri specifike ka shprehur botën emocionale, botën që këndon për fatin e njeriut, për rrugëtimin e tij, për përsitatjet, për përjetimet dhe për shqetësimet, për tmerret e luftës, për dhembjet dhe pikëllimet, për të bërat dhe të pabërat dhe përmes vargjeve poetja bëhet metaforë dhe ironi, personifikim dhe simbol i jetës së njerëzve dhe të atdheut ndaj të cilit shpreh nostalgjinë dhe për përkushtimin maksimal.

Autorja nuk mund t ë shkëputet nga kënga e dashuria për atdheun. Në poezinë e Sadberes spikasin idetë dhe mendimet që paraqesin unin poetik të saj. Kudo në poezi kemi rrëfimin e realitetit jetësor e historik, rrëfim që pasqyrohet me një spontanitet, me një thjeshtësi poetike, por jo të thjeshtësuar dhe e gjithë kjo punë është bërë në saje të një frymëzimi spontan e të çiltër. Poezitë vijnë si realizime të përjetuara në thellësitë e shpirtit. Vargjet nuk janë të të rënduara me ndonjë patetikë të shprehjes e stil të koklavitur. Autorja na ka lënë përshtypjen se në të gjitha poezitë sikur ka dashur të jetë zëri i një realiteti të mbushur me dallgë e stuhi të shumta. Duke i pasur parasysh këto vlera të poezive, Jorge Luis Borges me të drejtë kishte konstatuar se ” Një vepër e tërë mund të përfitojë një vlerë që është përtej asaj që ka dashur të shprehë shkrimtari. Një vlerë që për të është e huaj”

Sadberja në syzhetë e poezive ka rrokur në thellësi e gjerësi problemet e kohës dhe ato i ka transponuar bukur në vargje . Prandaj, në gjithë problematikën që trajtojnë ato, autorja u ka dhënë përparësi kërkesave estetike - pra të bukurës. Në këto poezi vërehet forca përgjithësuese e ndjenjës dhe ndjenja vihetnë raport të drejtë e të plotë me mendimin. Kjo ka bërë që bota poetike e poetes të përfaqësojë botën shpirtërore e mendore të pasur në shumë dhaspekte. Bota e brendshme e saj kap një shtrirje të tejskajshme emocionale Brenda së cilës vërshon lirizmi dhe ngjarjet jetësore, shoqërore dhe historike. Poezitë përshkohen nga ndjenja të ngrohta që shpërfaqin mallin dhe dashurinë për njerëzit e për heronjtë e atdheut.

Image

Nga poezia e parë “Mall dallgësh” e deri te e fundit „Të puth flamur”, shprehet biografia sa e poetes aq edhe e popullit. Këto të vërteta i përligjin logjika vargut, motivet e shumëllojshme dhe tiparet e poetikës së saj... Është , pra, një udhëtim poetik që i bëhet fatit të atdheut, historisë, popullit dhe jetës së njerëzve në kohë dhe në hapësirë. Përmes një strukture specifike gjuhësore dhe tekstit poetik të poezive, vijëzohet bota emocionale dhe imagjinatave, e cila do të thoshim, me përbërësit e shumtë estetikë,nuk i nënstrhohet rregullave teorike të ngurta të artit letrar. Poezinë “Mes dallgësh” e përshkojnë vargjet mbi ëndrrat, mbi dhembjet dhe mbi shqetësimet që vijnë nga përjetimi i viteve mbi tokën dhe vetminë. Shpërthimi i ndjenjave mbetet një luftë kundër memëcërisë dhe, si motin dhe stinët që i kërkojnë dallëndyshet, është toka që grish shpirtin dhe ndjenjat e poetes.

Me një prirje të rrallë artistike e frymëzim spontan, Sadberja në një poezi nxjerr vlerësimin se fjala është kryefjalë e gjithë botës së njeriut. Të rëndësishme janë poezitë që flasin për ëndrrat, për hijet e bardha, për vargjet e heshtura. Këto vargje fuqizojnë ditarin e kujtimeve mbi udhët plot gjurmë malli e nostalgjie. Në poezinë “Një mijë vjet” autorja i këndon atdheut, lirisë, gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës dhe idealit të luftëtarëve. Në disa poezi autorja shpreh gjakimin dhe lutjen duke hartuar projektin për një botë më të mirë, botë ku njerëzit, pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe çfarë kombi a race i takojnë,do të bashkëjetojnë pa zënka, pa grindje dhe pa shtypje mbi njëri tjetrin. Pikëpamjet e tilla kontribuojnë për një jetë më fisnike më humane dhe ku rolin kryesor e luan njeriu si qenie e vetëdijshme , këtu tek e fundit dëshmohet roli i njeriut dhe rëndësia që ka ai. Këto ide lexuesi do t’i ndeshë në poezinë “Kur zbret muzgu” , ku midis vargjeve shkrihet muza e poetes dhe përmes kësaj muze zëri i dëshiruar vjen e bëhet pjesë e vargjeve. Ky zë ka fuqinë e melodinë e këngës së zogut -që ndjeshëm ndez mallin për vendlindjen.

Në poezinë “Më fal sonte” shprehen ndjenja e shpresa për një të ardhme më të mirë për shqiptarët e Mitrovicës së Veriut, të cilët që nga koha e përfundimit të luftës në Kosovë i mbajnë peng një grup serbësh, të cilët , të ndihmuar nga Beogradi, ushtrojnë tirani të paparë në këto hapësira të Ballkanit të sëmurë. Poetja ka rezerva të arsyeshme ndaj Marrëveshjes Prishtinë-Beograd dhe këtë ndjenjë shqetësimi e thonë më qartë vargjet:

Edhe këtë qiell me erëra

Që derdhet mbi Kosovë

Askush s’ia kupton gjuhën

Baroneshës Eshton?

Ndoshta kjo që po ndodh me Kosovën është prodhim i politikës së dobët që e bëjnë të parët e këtij vendi. Në esenë “ Pak ndershmëri“ lexojmë : Politikani shqiptar sot ka dy cene avatikë: Në majë të pushtetit të sotëm , ai mohon gjithçka, edhe nënën edhe babanë. Por, kjo është gjysma e së keqes. Ai nuk e ka kulturën e dëgjimit të tjetrit, d.m.th. kulturën e nevojshme që ta dëgjojë tjetrin, të mos mbetet një monolog steril me veten, por të kthehet në një dialog të vërtetë me të tjerët” Këto fjali thonë më shumë për pozitën në të cilën ndodhemi dhe për mosrealizimin e amanetit të të gjithë heronjve , dëshmorëve dhe martirëve që jetën e bënë kurban për lirinë e Kosovës“ . Sadberja në disa poezi merr rolin e historianës , të psikologut , të folkloristit dhe të analistit politik , duke i paraqitur dallgët e jetës dhe trysnitë e panumërta , që pushtuesit e shumtë bënë mbi shqiptarët. Në disa poezi vargu i Sadberes merr rolin prijës të qëndresës. Të tilla janë vargjet e poezisë “Fluturo sonte” dhe „Lot i dehur”:

Rritet me Ty atdheu i grisur edhe sot

Nëpër harta gjeografike bota luan me fatin tim!

Lot i dehur me mallin që përvëlon?

Në këtë kontekst, poetja këndon për atdheun e copëtuar, për mallin që ushqen për vendlindjen , që nën pushtuesin e huaj duket si një dallëndyshe me krahë të thyer! Duke i prekur këto çështje të dhembshme kombëtare, autorja sikur na vë në dijeni se në kohë të transicioneve askush prej drejtuesve të shtetit nuk mendon me kokë të vet.

Për të qenë ironia më e madhe, ironi që shpreh shqetësimin, dhembjen, shpreh botën e trazuar e tragjiken – ne shqiptarët, sipas historisë, mësojmë se nuk po dimë të organizohemi dhe në mungesë të bashkërenditjeve të veprimeve dhe detyrave kundruall vendit e popullit nuk po arrijmë t’i përmbushim qëllimet as kombëtare, as njerëzore. Duke i pasur parasysh këto fakte , me të drejtë këto ditë u zu në gojë mendimi i një shkrimtari britanik, që kishte thënë: “Nëse nuk pranoni asgjë tjetër, pos së mirës, në fund zakonisht atë edhe fitoni”. Kjo thënie e artë i bën edhe më aktuale vlerësimet e dhëna në një ese se për të qeverisur një vend nuk duhet aftësi hyjnore, as njerëz të jashtëzakonshëm, nuk ka nevojë për gjeni... Për të qeverisur duhet ndershmëri, ndershmëri mbi të gjitha, duhet dashuri për këtë vend, por dashuri për vendin e jo për veten tënde, duhet një angazhim i vërtetë i të gjitha forcave mendore, morale fizike të popullit”.

Shikuar nga këndvështrimi teorik-estetik ,autorja në vëllimin poetic ”Folenë e ëndrrave kërkoj”, vjen me poezi lirike që tematikë kanë motivin atdhetar, shoqëror, të dashurisë dhe të fushave të tjera dhe gjithandej spikat psikologjinë, biografinë e disa figurave si: nënës, babait, vëllait, motrës, fëmijëve të skicave të Migjenit, të heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe prijësve të ngjarjeve të mëdha të çështjes kombëtare, si Lidhja e Prizrenit dhe figurave emblematike të saj. Ajo që do veçuar është se çdo poezi shquhet për formën e duhur artistike, duke i dhënë krijimit poetik idenë themelore dhe, kuptohet, për këto ide ajo mban qëndrim të qartë dhe të drejtë. E theksuam idenë që ndërlidhet me krijimin artistik për faktin se një studiues me përvojë dhe dije solide për letërsinë ka vënë në dukje se: “Forma artistike pa ide -është si trungu pa rrënjë, si dritarja pa dritë, si shpendi pa krahë”. Poezia “I trazova ëndrrat sot” trajton një tematikë të qartë - tematikë që pasqyrohet me një simbolikë të veçantë.

Autorja i ka në shpirt vargjet e Naimit “Fjalët e qiririt”, që flasin për përkushtimin e për largpamësinë e poetit. Vjersha e Sadberes është një ditar lirik plot dhembje. Ka të drejtë kur pohon se shpirtin e saj e rëndojnë ditët e netët pa gjumë dhe se bota ballafaqohet me gënjeshtra e mëkate. Vetmia ,mërgimi, jeta e zbrazët , dëshprimi bëhen elemente konstituive në poezinë “Fjalët e vëllait” dhe pikërisht ato fjalë rëndojnë me peshë plumbi mbi botën shoqërore e mendore të poetes. E një vlere të lartë ideoartistike dhe ideoestetike është pa dyshim poezia “ I mblodha fjalët”. Figurë qendrore që rrezaton gjithandej historisë e kujtimit më të mirë ndër shqiptarët është Adem Jashari dhe familja e tij, që tash janë shndërruar në legjendën më të paharruar në tërë hapësirën shqiptare e me gjerë. Dihet se figurat emblematike si Ademi, Hamza e Baca Shaban, Jashari, as nuk ngushëllohen,por as nuk heshtën. Të tillët, me guximin e idealin e pathyeshëm kanë frymëzuar autotoren, e cila, si shumë krijues, artistë fushash të ndryshme, këngëtarë, pohon se mbetën emra që i dedikohen Tokës, Njeriut, Lirisë, Atdheut, popullit dhe dashurisë së madhe për gjeografinë e për historinë e plotë e të pacenuar të Kosovës e të Shqipërisë natyrale në përgjithësi.

Sipas poetes, fjalët janë të pafuqishme për ta shprehur atë që zihet brenda shpirtit e imagjinatës, ndjenjën e respektit e të dashurisë që përjeton për Adem Jasharin, ndërsa vargu “Te varri i Adem Jasharit përulem“ sikur e shpërfaq shpirtin heroik të Ademit për lirinë e kërkuar nëpër shekuj dhe për zemrën e dritën e madhe që i fali atdheut dhe popullit shqiptar. Me të drejtë Din Mehmeti, familjen e Jasharajve dhe heronjtë që luftuan kundër armikut shekullor, i lartëson me vargjet më të fuqishme, siç janë, fjala vjen, edhe këto dy vargje:

Ju shpuat tokën gjer ku merr frymë dashuria

Ju shpuat shkëmbinjtë gjer ku merr frymë qëndresa

Gjilani është vendlindja e poetes – ndaj të cilit mban dhe ushqen dashuri e respekt. Ky respekt lidhet me të qarit, me të qeshurit dhe me këngët e djepit, që ishin pjesë e fëmijërisë së saj. Me vargje të prekshme i këdon Preshevës. Në subjektin e poezisë mbruhen dhembja, malli e brenga dhe këto lidhen me faktin se e tërë Kosova Lindore vazhdon të mbetet nën çizmen barbare të Serbisë . Presheva bëhet kryefjalë e poezisë. Ajo, para së gjithash, është trungu i Lirisë, është lis me rrënjë të thella dhe mbetet dashuri e pafund. Optimizmi bëhet shpresë që, sipas poetes, Presheva s’është tokë e humbur, as nuk mund të jetë testament “ nga shtriga Evropë plakë “. Kujtimet që shndërrohen “ në fjalë që vrapon ta fusë kohën në grusht” bëhen motiv i shpeshtë në vargjet e Sadberes. Humbja e prindërve i ka dhuruar poetes frymëzim të çiltër. Vdekja e babait i shkakton dhembje e mall të pashuar. Vargjet tingëllojnë si një elegji që më vete sjellin lot dhe në ëndërr, babai përhihet në shumë pamje – ashtu siç ishte, i dashur, i afërt dhe i mendimit të urtë. Poezia “ Kisha dashur”, me vargjet e ngrohta të shkakton një përjetim estetik dhe empati të veçantë. Në këtë aspekt, me arsye është thënë se “kënaqësia estetike është kënaqësi e objektivizuar me vetveten”. Shiu, vargu, loti, adresa e njohur, prehja në detin e pafund, kështjella e dashurisë dhe ëndrrat e shumta të kujtojnë Evën e Adamin dhe shndërrimin në zjarrin e Alfbetit të lirikës.

Kurbeti, njëra nga plagët e moçme të shqiptarit – bëhet temë e ligjërimit poetik dhe poetja me përjetimet e zërin e vet paraqet me vërtetësi pasojat dhe dhembjet që i shkakton kurbeti, e rruga e kurbetit është e thepisur dhe me zigzake dhe me rreziqe gjithfarëshe. Prandaj, realitetin e sotëm, në kohën e zhvillimeve kinse shoqërore, ekonomike e kulturore – mjerisht, lumi i njerëzve që marrin rrugën e mërgimit drejt vendeve të Evropës dhe botës – sa vjen e shtohet me të rinj e të reja dhe dihen pasojat që vijnë nga kjo ikje nga Kosova. Kur bëjmë fjalë për poezinë e Sadberes duhet theksuar se në disa sosh ajo përfaqëson tipin e veçantë krijues në këndimin që i bën temës së dashurisë. Në temën e dashurisë autorja ka derdhur vargjet më të bukura , që, siç thuhet për temat e karakterit erotik , përbëjnë substratin më të fuqishëm poetik. Në tipizimin e femrës dhe dhënien e portretit të saj – autorja me afinitet e kulturë ka ditur që me shije e maturi t’i shfrytëzojë vlerat e krijimtarisë gojore, sidomos të lirikës së erotike. Poezitë me motiv të dashurisë shquhen për vlera të larta artistike dhe estetike. Autorja me mprehtësi mendore ka kapur idealin estetik të femrës dhe në këtë ideal ka paraqitur ndjenjat intime dhe ëndrrat më të bukura, që në ngjyra të shumta shprehin botën emocionale të saj.

Në fund po shtojmë se Sadberja, me këto poezi, ka pasuruar lirikën tonë kombëtare , duke sjellë porosi dhe trajtime të reja dhe te vlefshme për historinë, traditën, jetën, lirinë, fisnikërinë, dashurinë, mendimin refleksiv, kurbetin dhe botën e madhe ideoemocionale. Duke i pasur parasysh këto të dhëna – atëherë mund të konstatojmë se poezia e kësaj poeteje vjen si shprehje e botës shpirtërore, e cila lidhet ngushtë me atdheun, heronjtë e kombit, ideologët e Lidhjes Shiqptare të Prizrenit. Këto vlera me të cilat përshkohen poezitë e Sadberes na bëjnë me dije se akti krijues i kuptuar drejt e me përkushtim gjithmonë sjell poezi sublime dhe ky sublimacion arrihet duke u qëndruar besnik mendimeve të Hegelit, i cili për poezinë lirike ka thënë: “Një lirikë individi duhet të dalë poetik në vetvete , i pasur me fantazi dhe plot ndjenja ose i pajisur me mendime të thella dhe konsiderata, po, para së gjithash, të jetë i pavarur, si një botë e brendshme, e mbyllur në vetvete, nga e cila është shuar vartësia dhe arbitrimi që ndodh në prozë”. Në disa poezi të krijueses gjejmë vargje që na i kujtojnë baladat, legjendat dhe këngët kreshnike. Ndoshta këtë lidhje autorja e bën me qëllim, për të treguar lashtësinë e pranisë së shqiptarëve në këto hapësira.

Siç pohon Luljeta Isaku, “esenca e miteve qëndron në dimensionin e tyre verbal – simbolik, narrativ– spekulativ dhe praktik. Imagjinata mitike sintetizon botën hyjnore dhe njerëzore në tërësi”. Për këto konstatime, mendojmë se përgjigjen më të drejtë në shfrytëzimin e mitologjisë e ka dhënë Herodoti, kur thotë që “është obliguar të rrëfejë atë që ka dëgjuar, por jo i detyruar t’u besojë të gjithave”. Vargjet e poetes i përshkojnë vlerat e një ligjërimi të thjeshtë dhe kjo thjeshtësi e vargjeve siguron karakter të informacionit të drejtpërdrejtë për ngjarjen a motivin e trajtuar. Një cilësi tjetër që vërehet brenda vargjeve është përdorimi i mjeteve dhe i shprehjeve të pasura stilistike e gjuhësore. Në mesin e tropeve vend të duhur kanë gjetur : metafora, krahasimi, antiteza, epiteti, lutja, pyetja,simboli, personifikimi, ironia dhe eksklamacioni. Kjo poezi është e kohës dhe si e tillë udhëton me problemet e kohës. Autorja ka fiksuar vetëm aspirata, preokupime dhe probleme që e kanë frymëzuar në jetë dhe që asaj i janë dukur esenciale. E përgëzojmë autoren duke i dëshiruar punë të frytshme, duke i kujtuar të vërtetën se poezia “është quajtur si më buzëholla”, ndaj duhet kujdes e dashuri e madhe që të tingëllojë sa më bukur! (Gjilan, Shtator 2013)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat