Premtohet heqja e TVSH-së për librin

Libra

Premtohet heqja e TVSH-së për librin

Më: 5 qershor 2018 Në ora: 19:35
Panairi i Prishtines

Qeveria e Kosovës do të mbështesë botimin dhe shpërndarjen e librit duke hequr taksat. Ky ishte premtimi i kryeministrit Ramush Haradinaj në ceremoninë e hapjes së Panairit të librit e që është i 20-i me radhë “Prishtina 2018”.

Në këtë jubile, Haradinaj duke folur për rëndësinë e panairit ftoi qytetarët e vendit që të ruajnë lidhjet e tyre me librin, teksa shtoi se në këtë edicion, panairi, lexuesi dhe botuesit meritojnë porosi të çmuar nga qeveria e vendit.

Haradinaj: Jemi të vendosur të përkrahim librin

“Si qeveri e vendit, jemi të vendosur që të përkrahim botimin, shpërndarjen e librit. E këtë me lehtësira në taksa, pra me TVSH-në në zero dhe me zbatimin e ligjit që do ta garantojë këtë. Diku kah shtatori besoj se do të jemi funksional. Si brez i lirisë ne kemi lexuar, jemi frymëzuar, kemi marrë prej rilindësve, prej heronjve, prej burrave e zonjave të mëdha që ka dhënë kombi ynë, për qëllimet më të mëdha e që është qëllimi i lirisë. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vendit, të të gjitha moshave, që ta vazhdojnë lidhjen me librin, sepse kështu do të jemi më të zot për atë që bëjmë në jetë”, tha ai.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në fjalën e tij theksoi se panairi i librit është lindur nga pushka për të sjellë paqen në Kosovë.

Minxhozi: Lexuesi shqiptar po ushqehet me dije nga dita në ditë

“Panairi i librit në Kosovë ka një veçori të jashtëzakonshme, sepse gjenezën e ka në ditët e luftës për liri, në ditët e luftës për pavarësi. Uroj që panaire të zhvillohen, të thellohen më tepër me një bashkëpunim Tiranë – Prishtinë, si ambasadori më i mirë për të thyer çdo barrierë. Libri nuk ka kufij, por ka vetëm lexues dhe lexuesi shqiptar po zgjohet, po ushqehet nga dita në ditë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se edicioni i 20-të i panairit të librit është dëshmi e punës së palodhshme të ‘ushtarëve’ të librit.

Ai tha se është në dijeni për sfidat që Shoqata e Botuesve të Kosovës ka në gjetjen e financimeve për të mbajtur në jetë panairin e librit në Prishtinë.

Ahmeti: Kënaqësi me qenë në përvjetorin e librit

“Kënaqësi me qenë në përvjetorin e librit. Është kënaqësi të jem në mesin e ushtarëve të librit, sepse unë si kryetar komune e di çka heqin Daut Demaku, Abdullah Zeneli, për të kërkuar fonde për të organizuar këtë panair dhe e di se çka bëjnë duke trokitur në çdo derë për ta mbajtur këtë panair gjallë, për t'ia ofruar lexuesit një mundësi të jashtëzakonshme që me i pa librat, të cilat këta shkrimtarë i shkruajnë për ne çdo vit”, tha Ahmeti.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Botuesve në Kosovë, Daut Demaku, tha se është për t’u krenuar organizimi i 20-të i Panairit të librit në Prishtinë ku po marrin pjesë të gjithë botuesit shqiptarë si dhe kolosët botërorë.

Demaku: Kjo është ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë

“Ne, Shoqata e Botuesve të Kosovës, jemi shumë krenarë që arritëm të realizojmë 20 edicione të panairit në Prishtinë. Kjo është ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë. Ngjarja me organizimin më stabil për 20 vjet rresht”, u shpreh ai derisa kujtoi edhe organizimin e panairit të parë në Kosovën e pasluftës.

Demaku shprehu mirënjohje për Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prishtinës, për të cilët tha se janë mbështetësit më të mëdhenj të librit. Ndërsa nuk la pa porositur lexuesit që të ruajnë pastërtinë e gjuhës shqipe.

Ndërsa Xhevat Bajrami nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se ky panair është më i madhi krahasuar me vitet tjera, pasi do të prezantohen 1.400 tituj shqip dhe libra të përkthyer nga të gjitha gjuhët e botës.

Ndryshe, Panairi i librit “Prishtina 2018” ka mbledhur më shumë se 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat