Ëndërrimet e Gentiana Muhaxhirit

Libra

Ëndërrimet e Gentiana Muhaxhirit

Nga: Baki Ymeri Më: 6 qershor 2018 Në ora: 22:40
Kopertina e librit

Poeti është një verigë që e ndërlidh botë e sotme me botën e ardhmërisë. Një pemë e mbëltuar në bregun e Lumit të Bukurisë. Poeti është një bilbil që kërcen nga njëra në degën tjetër të fjalëve, duke krijuar melodi që e mbushin trupin me butësi dhe delikatesë. Numri i poetëve të botës që shkruajnë për ëndërrime është i panumërt. Poezia është një gurrë e ëmbël që ua shuan etjen shpirtërave të etshëm. Një pemë me fryte të ëmbla për shijen e shpirtërave të uritur.

I ndarë në pesë cikle (Ti je jeta dhe vdekja ime, Nata është e pabesë, Nuk të njoh por i afërt më bëhesh, Unë jetoj vetëm për ty, Foto pa ngjyra), vëllimi „Ëndërrime” i Gentiana Muhaxhirit, përbën një album të bukur „pikturash”  lirike me vlera sentimentale dhe artistike. Autorja posedon një imagjinatë të bujshme shprehjesh metaforike kur „Mëngjesi më tregoi diçka”, apo: „Në detin e magjepsur/ U fundosën hijet tona./.../ Këtë natë bashkë me ne/ Hëna dhe maji/ U fundosën në det.” (Natë maji).

Edhe pse asnjë poezi nuk i kushohet ëndrrës, në korpusin e tyre ballafaqohemi me ëndërrime lirike që të joshin që në shikim të parë. Janë poezi kushtuar jetës dhe dashurisë, shiut të verës, vjeshtës së harruar, dashurisë së fjetur, zgjimit të vonuar, spirancës së ëndrrave, detit të trazuar, lartësive antike, yjeve të detit etj. Ato duken si do re të bardha që ngriten përmbi urat e muzgut, rriten për ta mbuluar krejt qiellin dhe kullojnë për t’i ujitur lulet e fushës së jetës: „Lundroj me barkën e shpresës/ Mbi dallgët e detit të jetës.” Apo: „Flas me zërin e së vërtetës/ Në fundin e hidhur të jetës.” Ëndrra është një nga dhuratat e pakta që ne, njerëzit, i kemi. Ajo të porosit ta ledhatosh gurin dhe ta shijosh jetën: „Ulu në gjunjë dhe ndjeja aromën!” (Aromë jete).

Ëndërrimet janë një manifestim i dëshirave tona të fshehura në shpirtin tonë. Disa nga to janë aq reale, saqë kur zgjohesh, duket se një pjesë e shpirtit tënd ka mbetur edhe më tej në ëndërr. Poeti dhe poezia shëmbëllejnë me një kandil shkëlqimtar të cilin nuk e tremb asnjë errësirë. Gentiana në këtë kontekst lanson kushtrimin lirik: „Mos u zgjo!/ Rri i mbuluar me çarçaf të bardhë ëndrrash/ Zgjimi do të të zhgënjejë/ Do mbetesh mes udhëve/ Në natë/ Pa fener.” (Zgjim i vonuar). Siç duket, ëndrra nuk është vetëm një dhuratë apo një manifestim pasiv, por edhe një manifestim i nënvetëdijes.

Duke i zjedhur fjalët me elegancë, poetesha të josh të lundrosh në mbretërinë e fjalëve. I panumër është numri i njerëzve që tenton t’i shndërrojë ëndrrat në realitet: „Është vonë/ Spiranca e ëndrrave është lëshuar në det/ Era dhe dallgët nuk kursejnë// Drejt lindjes/ Udhëtoj pa arsye/ Takimi me tokën është shpresë boshe.” Dhe më tej: „Velat flasin me erënë/ I ngjajnë orkestrës së fundit// Jehonë e detit të trazuar/ Më thërret një emër/ Jam unë...” (Shumë vonë). Poezi e bukuar apo jo! Dhe jo vetëm kjo, por edhe një gamë poezishë tjera, dëshmojnë se Gentiana Muhaxhiri ka talent dhe din t’i shndërrojë ndjenjat në art, kurse ëndrrat në realitet. (Bukuresht, 7 Qershor 2018).

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat