Romanet e Nazmi Rrahmanit shqiptojnë një botë dramatike dhe tragjike

Libra

Romanet e Nazmi Rrahmanit shqiptojnë një botë dramatike dhe tragjike

Nga: Anton Nikë Berisha Më: 10 korrik 2018 Në ora: 12:00
Nazmi Rrahmani

Rëndësia e Nazmi Rrahmanit në fushën e letërsisë

Shkrimtari Nazmi Rrahmani qysh në vitin 1965 botoi romanin “Malësorja”, kur në Kosovë ishin botuar vetëm dy romane: “Rrushi ka nisë me u pjekë” (1957) i Sinan Hasanit dhe  “Karvani i bardhë” (1961) i Azem Shkrelit.  Romani “Malësorja” veçohej për qasjen dhe mënyrën e shqiptimit të realitetit e të botës së njeriut tonë, sidomos të botës së femrës, vuajtjet dhe fatkeqësitë në veprimin konkret. Duke u botuar e ribotuar disa herë dhe duke u bërë edhe lekturë shkollore ky roman, bashkë me romanet e tjerë të tij, ndikuan në krijuesit që më vonë do të bëhen emra të njohur të letërsisë shqipe.

Më 1969 Nazmiu botoi romanin e dytë me titull “Tymi i votrës së fikur”, ndërsa më 1973 romanin në dy vëllime “Toka e përgjakur”. Dy vite me vonë, më 1975, botoi romanin “Pas vdekjes” (Kthimi i njeriut të vdekur) dhe më 1978 romanin “Rruga e shtëpisë sime”.

Rëndësia e Nazmi Rrahmanit si romansier nuk lidhet vetëm me faktin se ai është ndër krijuesit (lëvruesit) e parë të romanit në gjuhën shqipe në Kosovë, po veçohet edhe si mënyrë shqiptimi dhe si vlerë shprehëse komunikuese. Në të vërtetë, bashkë me romanet e përmendura, romanet e Nazmiut krijuan bazën nga pastaj u pasua  ky lloji letrar në Kosovë, letërsia e së cilës, për shkaqe politike, ishte ndarë nga ajo amë.

Në romanet e Nazmi Rrahmanit shqiptohet bota konkrete, që në qenësinë e saj është dramatike dhe tragjike. Ai nuk është përshkrues dhe kopjues i jetës së përditshme, po është krijues i saj. Autori e ndërton atë botë përmes rrëfimit, që cilësohet me dy përbërës të rëndësishëm: me rrëfimin gojor, që autori e mësoi nga tradita letrare gojore, sidomos nga kallëzimet dhe përrallat, dhe nga rrëfimi i mësuar nga autorë të shquar, qofshin  ata shqiptarë ose të huaj. Pra, Nazmi Rrahmani gërshetoi përbërës të këtyre dy formave (mënyrave) të rrëfimit dhe krijoi një rrëfim të vetin dhe përmes tij e ndërtoi një realitet që dëshmohet përmes strukturës tekstore poetike.

Krijuesi Nazmi Rrahmani nuk i përmbahet një modeli të thjeshtësuar të rrëfimit dhe të përftimit të botës romaneske, po e degëzon atë: herë i jep përparësi shqiptimit të realitetit konkret, herë përsiatjeve, herë kujtimeve; e tashmja gërshetohet me të kaluarën dhe në këtë ballafaqim dukuritë dalin në mënyrë më të ndërliqshme dhe vështrohen më thellësisht.

Brenda rrjedhës së jetës dhe të dramave që e përcollën njeriun e botës sonë, në romanet e Nazmiut mbipeshojnë vuajtjet  dhe pësimet, ankthi i vdekjes dhe vetë vdekja. Kjo mënyrë e të shprehurit të realitetit konkret përligjet me faktin se në romanet e tij shqiptohet rrjedha e jetës së përditshme, ndriçohet gjendja politike dhe shoqërore që kushtëzonin pësimet e tilla. Edhe pse shqiptohet një botë e tillë e stërmbushur më vuajtje dhe pësime, brenda saj ruhet qenësia dhe identiteti kulturor e kombëtar, aftësia e përballimit të vështirësive edhe atëherë kur njeriu frymon dhe është më afër vdekjes sesa përjeton jetën e mirëfilltë.

Sikur të synonim ta shprehnim veçantinë e mënyrës së shqiptimit të botës, të fatit dhe të fatkeqësisë së shqiptarëve në Kosovë në romanet e Nazmi Rrahmanit, atëherë mund ta përdorim sintagmën e veprës së tij Rruga e shtëpisë sime, që përafrohet me kuptimet e shumta: rruga e jetës sime, jeta e familjes sime, jeta e katundit tim, jeta e krahinës sime, jeta e njeriut tim, e njeriut tonë.

Strategjia e rrëfimit dhe e shqiptimit të dukurive në romanet e Nazmi Rrahmanit përligjet nëpërmjet formës induktive: drama individuale bëhet dramë dhe vdekje kolektive. Pësimi dhe tragjika e personazheve del si diçka e “trashëguar”. Mirëpo, posa thellohemi në qenësinë e veprimit dhe të gjallimit të personazheve vërejmë qartazi se “trashëgimia” është e kushtëzuar, e nxitur dhe e shkaktuar nga tjetri, nga rrethanat politike dhe jetësore. Pësimet dhe tragjikat ndërrojnë vetëm format dhe mënyrat dhe njerëzit janë të tjerë. Atyre nuk u vdes vetëm shpresa, edhe kur pësojnë përtej masës dhe janë në zgrip të rrënimit trupor.

Si subjekte poetike për romanet e veta Nazmi Rrahmani me qëllim zgjedh ngjarje tragjike, shpalos dramat e brendshme të personazheve, dramat e dramave; gërmon në thellësitë e shpirtit të tyre për arsye se dukuritë e tilla mundësojnë, me një anë ndriçimin më thellësor dhe më të gjithanshëm të rrjedhës së jetës së përditshme të shqiptarëve, po dhe mesazhet poetike që dalin prej strukturës gjuhësore poetike, ndikojnë më shumë te marrësi si katarsë shpirtërore.

Ja si shprehet kjo në një pjesë të romanit “Rruga e shtëpisë sime”:

E babain tim, e pash mirë që ishte bërë gur dhe më erdhi shumë vështirë; sikur nuk ishte më ai babai im, por vetëm një copë shkëmbi, një copë e atij guri të madh mbi katund... Më dukej se edhe babai im ishte bërë gur, edhe gjyshja gur, edhe nëna gur, edhe vëllai gur, motra qyqe, qyqe e gurëve, sepse ajo qante më së tepërmi, qante me zë dhe zëri i saj ishte zë qyqeje, ajo thuajse ishte bërë vetëm lot dhe qante, qante zëshëm e neve na përmendte, edhe mua më zinte në gojë dhe atëherë e ndjeva veten të dërrmuar. Edhe nëpër atë mot që mendoja se nuk kishte mbetur kund pikë uji ajo gjente lot të qante... Po, po, ne të gjithë qemë bërë gurë... (f. 15).

Në romane Nazmi Rrahmani i kushton kujdes sidomos kuptimësisë që amëzohet dhe del nga teksti. Me një fjalë, nga teksti dalin mesazhe poetike, që duhet të ndikojnë në marrësin; të bëhen pjesë e mendimit dhe e veprimit të tij. Autori e di se mesazhi poetik ka forcën e jashtëzakonshme të ndikimit dhe të krijimit të gjendjes shpirtërore për të ballafaquar të papriturat dhe tronditjet e jetës. Pra, rëndësia e mesazhit poetik merr peshën kryesore, që del nga shqiptimi i realitetit të ndërliqshëm dhe tragjik. Shkrimtari i vë përballë fenomenet, ndodhitë, pësimet. Pastaj shkallë - shkallë ato marrin përmasa dhe shtresa të reja dhe së bashku përbëjnë sistemin e njësuar shprehës kuptimor. Në këtë ballafaqim del në shesh botëkuptimi, identiteti dhe synimi i njeriut të botës sonë në një periudhë të caktuar kohore, por edhe shumë më gjerë.

Personazhet e romaneve të Nazmiut janë kryesisht të shënjuar me njolla të vdekjes: më shumë jetojnë për atë që nuk e kanë – për atë si do të duhej jetuar – se sa për atë që e kanë, që e përjetojnë në gjallërimin e përditshëm, siç mund të vërehet në këtë pjesë të romanit “Rruga e shtëpisë sime”, ku shpërnguljet me dhunë nga vendi i tyre, ankthi i vdekjes, klithjet, lotët, traumat, vdekjet misterioze (në Përroin e Keq etj.) bëhen forcë për njerëzit, për qëndresën e tyre:

-Këtu njerëzit e duan jetën aq shumë sa i mbyllin aq shpejt edhe plagët e vdekjes dhe i harrojnë ato! – tha dhe fytyra i ndërroi pamjen. – Vdekja nuk mundë t’i mundë asnjëherë, sepse e duan jetën shumë! – shtoi dhe e vërejti të birin (f. 217).

Nuk duhet lënë pa theksuar se qëndresa e personazheve të romaneve të Nazmiut është e jashtëzakonshme; sa më shumë që ata vuajnë dhe pësojnë aq më shumë bëhen të qëndrueshëm. Çdo vdekje i kthen kah jeta dhe kah të gjallët, për të cilët vuajtja bëhet më e madhe se sa për të vdekurit.

Njerëzit e romaneve të Nazmi Rrahmanit janë të lidhur ngushtë me botën e tyre, me të Parët e tyre, me trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore, me vendin e tyre; për ta Guri peshon më shumë në vendin e vet, gjë që lidhet me domosdonë e qëndresës ndaj dramave dhe fatkeqësive.

Nazmi Rrahmani e ndien fuqinë dhe veçantinë e rrëfimit poetik dhe pikërisht këtë ndjenjësim synon ta bartë tek tjetri, te lexuesi i veprës së vet. Në rrëfimin e tij ngrihen e heqin peshë personazhet dhe veprimi i tyre; ata bëjnë qenësinë e gjithë asaj që shprehet përmes gjuhës. Ndodh ajo që thoshte Thomas T. Elioti, kur bënte fjalë për krijimtarinë poetike dhe shkrimtarin: “Përparimi i artistit është vetëflijim i përhershëm, shuarja e përhershme e personalitetit”. Këtë gjë e përligjin dhe fjalët e romansierit të famshëm francez, Flobert, i cili thoshte se artisti duhet t’i jepet në tërësi materies së vet; veprën duhet ta përshkojë fryma e autorit, por individualiteti i tij nuk guxon të vërehet askund. Artisti nuk është (e nuk krijon) vetëm për vetveten, por për të tjerët.

Në shtjellimin e romaneve të veta dhe në mënyrën e shqiptimit të realitetit Nazmi Rrahmani s’kërkon forma të reja, ai përligj sistemin klasik të të shprehurit poetik, pra stilin klasik me të cilin u bënë të pavdekshëm shumë autorë botërorë dhe shqiptarë. Sipas rasteve dhe dukurive që i bën objekt trajtimi artistik, ai herë përdor rrëfimin e rëndomtë për të shprehur jetën konkrete, herë përshkrimin, herë dialogun, herë monologun, herë i kthehet të kaluarës, u kthehet kujtimeve, po përherë në mënyra të ndryshme, ose i gërsheton ato përmes rrëfimit që të bën për vete dhe të pushton.

Me këtë rast duhet përmendur dhe ndihmesën e Nazmiut në fushën e përkthimeve, qoftë të veprave letrare poetike, qoftë të teksteve të natyrës diskursive e studimore.

II

Rëndësia në fushën e kulturës dhe të botimeve

Rëndësia e shkrimtarit, Nazmi Rrahmani, për botën shqiptare, sidomos për Kosovën, përligjet dhe me punën në fushën e kulturës dhe të botimeve, që zë fill si gazetar i Radio Prishtinës, pastaj i gazetës “Rilindja” dhe redaktor i revistës letrare “Jeta e re”.

Në fushën e botimeve punën e tij të frytshme e shumëfish të rëndësishme e dëshmoi si redaktor dhe kryeredaktor i Redaksisë së botimeve të Rilindjes, i botimeve që dolën me emrin e gazetës “Bujku” (ndërrim i dhunshëm i emrit të Rilindjes) dhe për vite me radhë si botues – pronar i shtëpisë botuese “Faik Konica”, të cilën e drejton edhe sot e gjithë ditën.

Për të renditur vetëm një pjesë të dorëshkrimeve dhe të librave që kanë kaluar nëpër duart e Nazmiut, do të duhej shumë vend, prandaj po përmend vetëm disa nga punët e qenësishme botuese kur ai ishte kryeredaktor i Redaksisë se botimeve dhe i botimeve të gazetës “Bujku”: kompleti i veprave letrare të Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Fishtës, Mjedjes, Konicës, Nolit, Migjenit, Gjeçovit, Zef Sikoit, Xoxës, Spases, Çabejt, Kadaresë, Anton Pashkut, Fjalorin e gjuhës shqipe (në dy vëllime) etj. Po përmend këtu edhe kompletet e veprave të shtëpisë botuese “Faik Konica”: të Fishtës, të Koliqit, Rrahman Dedajt, Ibrahim Rugovës, Sabri Hamitit, Beqir Musliut, Visaret e Kombit, “Albaninë” e Konicës etj.

Duhet përmendur sidomos punën e rëndësishme të Nazmiut në shpërndarjen e librit në Kosovë dhe në gjithë trevat shqiptare edhe në kohën kur kjo bëhej me vështirësi të mëdha, pastaj nxitjen dhe mbështetjen e krijuesve të Kosovës, qoftë si kryeredaktor i Redaksisë së botimeve të Rilindjes, qoftë si pronar i shtëpisë botuese “Faik Konica”.

Një punë me shumë peshë është edhe komunikimi dhe bashkëpunimi me botuesit e Tiranës, duke filluar qysh në kohën e ish Jugosllavisë, kur për të sjellë një libër këndej kufirit ka qenë punë e vështirë, po dhe e rrezikshme. Falë pikërisht zotimit dhe këmbëngulësisë së Nazmiut vijimisht janë sjellë libra, gjë që ka ndikuar në rrjedhat e komunikimit gjithëkombëtar të letërsisë e të kulturës sonë.

Është e nevojshme të përmend këtu edhe faktin se shkrimtari Nazmi Rrahmani është dhe fitues i një varg shpërblimesh të rëndësishme, siç është Shpërblimi dhjetorit të Krahinës së Kosovës, Çmimit “Azem Shkreli” për vepër jetësore për vitin 2010 që e ndan Ministria e kulturës e Kosovës etj.

Në fund me lejoni që t’ia uroj shpërblimin Teuta shkrimtarit tonë, Nazmi Rrahmanit, dhe t’i uroj shëndet dhe vijimësi në punën e tij të qenësishme.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat