Një romantik i “vonuar” në poezinë e sotme shqipe

Libra

Një romantik i “vonuar” në poezinë e sotme shqipe

Nga: Fadil HASMUJA Më: 10 korrik 2018 Në ora: 23:36
Kopertina

Në pamundësi për të parë nga afër bukuritë mahnitëse të Bjeshkëve të Namuna, për të ndjerë aromën e luleve erëkëndëshme të livadheve të Malësisë së Gjakovës, për të dëgjuar e shijuar zhurmën (herë nanuritëse e herë me rropamë) e ujrave të kristalta të Valbonës, për t’u njohur me banorët e këtyre trevave, me të vërtetat e legjendat e jetës së tyre, për lexuesin ka menduar poeti e prozatori, publicisti e teologu Hasan Muzli Selimi, autor i mbi 13 veprave letrare, në poezi e në prozë, ndëer të cilat dy vëllimet e fundit me poezi “Mite Deri Pertej” dhe “Unë dhe Fjala”.

Të vendosësh emrin tënd në radhën e poetëve apo prozatorëve të sotëm, është veprimi më i lehtë që mund të bësh: Një dorëshkrim e një shtëpi botuese, një shumë parashë (sipas kërkesës së pronarit të shtypshkronjës), e pas ndonjë muaji “pagëzohesh” krijues. Shumë prej këtyre “krijimeve”mund të jenë lexuar vetëm nga autori, e ndofta edhe redaktori.

Por ka autorë e vepra artistike që shkruhen, botohen e shpejt bëhen të njohura jo vetëm në rrethe të ngushta lexuesish, e kjo më rastisi edhe mua si admirues i librit artistik.

Muaj më parë më bien në dorë dy vëllime me poezi, të sapo botuara, të Hasan Selimit. I lexova dhe pata një ndjesi disi të veçantë. Tek kaloja përmes vargjeve, sikur ndjeja freskinë e bjeshkëve të Tropojës, sikur po takohesha me ata malësorë të moçëm e të sotëm, por gjithmonë të fisëm, të përshkruar me imagjinatë, apo si i ka njohur vetë autori, lindur e rritur në këto anë.

Nuk kam ndërmend t’i hyj zanatit tim të mesuesit të letersisë, për të bërë analizën apo komentin e poezive të këtyre vëllimeve, mbasi këtë e kanë bërë me mjaft profesionalizëm redaktorët e tyre, por thjesht të shfaq mendimet e mia si lexues, që gjithsesi këto janë relative dhe subjektive, duke ftuar edhe të tjerë lexues, për të dhënë mendimet e tyre, pa eufori apo nihilizëm.

Nëse autori do t’i botonte këto poezi dekada më parë, në të ashtuquajturin socrealizëm, atëhere do të përballej me anatemime e etiketime nga më të ndryshmet, si dekadent, i ndikuar nga rrymat perëndimore si simbolizmi apo hermetizmi, e cila mund të shoqërohej edhe me linçimin e autorit, mbasi kishte guxuar të blasfemonte në “tempullin e parimeve”.

Poeti hedh hapa të matur në poezi, i lidhur ngushtësisht me fjalen, e si mjeshtri në zanatin e vet, e merr të papëerpunuar, gdhend me durim mbi të, e lëmon duke i dhënë formen artistike, e siç thotë redaktori në librin “Mite Deri Pertej”,...është bërë poet për të lindur me secilen fjalë, për të vdekur me secilin varg...Gjuha është e thjeshtë, e kuptueshme, kryesisht “e huazuar”nga treva ku ka lindur dhe është rritur, malësia e Gjakovës, e për rrjedhojë, nuk mungojnë dialektalizmat e krahinizmat. Autori nuk u permbahet rregullave strikte të poezisë tradicionale, si rima, metri apo strofa, por nuk mungon ritmi i brendshëm i vargut. Mesazhet që përcjell janë të pranishme në çdo varg e strofë, me qëllimin për të ndikuar tek lexuesit, kunder vesit e pro virtyteve, të cilat edhe po mungojnë në mjediset tona.
Në poezinë” Kafshimi i urrejtjes”, vetëm në pesë vargje autori tregon revolten e tij të brendëshme, se shpirti i poetit , por edhe i kujtdo tjetër duhet të priret nga dashuria e jo urrejtja. E këtë mesazh e jep përmes një metafore të gjetur, si...helmi i gjarpërit plak...

Qëndresen e një populli të lashtë, të vuajtur, por të panënshtruar, autori e tregon përmes poezisë “Rrugë mijëvjecare”. I  gjendur në “dhena tjera”, me njerëz të pasur në xhep, por të varfër në shpirt, ai ndjehet krenar për emrin e tij, për origjinën e tij, për vendlindjen e tij, ...me lumin e çmendur e valen e harlisur, me gjogun e bardhë e gurin thep të bjeshkës.

Edhe metropolet më të mëdha të botës, ku poeti gjen ...flladin e shkuem dam...por nuk gjen askund fjalën “të dua”, janë grimca pa vlerë para vendit të tij (“Vala e një lumi”).
Duke pozuar para bustit të Ukshin Hotit në Prizren, poetin e frymëzon ky qëndrestar, simbol i vëllezërve tanë të martirizuar, në poezinë “Pse s’dukesh” ... Ferrin e ke kaluar/ në këtë jetë ku ishe./ tani këta apo ata nuk të duan,/ por ti duku,/ nuk është vonë,/ kurrë për ty, as për ne...

Autori , falë formimit të tij profesional, është njohës i mirë i filozofisë shkencore, por si besimtar bektashi, njeh edhe atë fetare. Mendimin filozofik e shfaq qartë në poezitë “Nis e sos”, ”Digjen planetet”, ndërsa poezia “ Mite deri përtej” mendoj se është nder më të spikaturat në këtë vëllim.  Frymëzimin poeti e gjen...në vendin tim,/ mite pa mbarim,/nga guri e lisi i pyllit,/deri tek fjala e besa e burrit...

E kaluara, ashtu si tek romantikët e hershëm, mbetet pikë referimi në poezinë e autorit. Është një e kaluar me vuajtje e sakrifica, por që na bën krenarë të gjithëve.

Tek poezia “Rruga e humbur e babës”, ndjehet i shqetësuar, mbasi...Rrugën e babës nuk e gjeta,/ e tash kthehem me mall, që atëherë...

Autori gërmon në të kaluaren e vet, vite e dekada më parë, kerkon dërrasën e djepit, jo thjesht për t’u çmallur, por...me të të fluturoj,...të ndërtoj qyta pushke,... të bëj vekë per nusen, të qëndis rrobat e mia për ditën e dasmës, por ...edhe për dërrasë varri.

Lindja, jeta dhe vdekja janë simbolika që mbështjell disa nga poezitë e autorit. Ai bëhet njësh me njerëzit, me tokën, me qytetin ku jeton, e këtë e ka dhënë me detaje në poezinë ”Qyteti im”, permes Drinit, Kirit, Bunës, por “merzitet” kur sheh mjerimin, të ulur këmbëkryq, në rrugët e qytetit, në muret e shtëpive, të gërryera nga koha, me shterngatat e saj...Por ç’mund të bëjë më shumë ...biri i shekullit të ri...vecse  “Zoti të dhashtë”...duke na sjellë para lexuesit poetin e këngëve të mjerimit, Migjenin.

Tek “Qytet i ngrirë” ka pesimizëm, por jo fatalitet. Po e ardhmja? Poeti shpreson, ndërsa lexuesi beson...

Ndërsa në pjesën e parë “Lisi i këngës sime”, motivet janë të larmishme, nga ai shoqëror e atdhetar, tek ai filozofik, me nota simbolizmi e mistiçizmi, në pjesën e dytë “Flokët e bjeshkës”, lexuesit i duket se ka kaluar nga lufta në paqe, nga zhurma në qetësi, nga realja tek romantikja. Shpirti i trazuar duket se gjen prehje. Dashuria shfaqet në trajta të ndryshme, ashtu siç din të shfaqet vetëm ajo, herë platonike,  flurore ,e pakapëshme, në stilin naimjan (Do të shkrihem, të venitem,/ si kandili që s’ka vaj...), herë i ngjan erotikës së Çajupit, konkrete, e prekëshme (E mban mend moj Marë,/dashurinë e parë...)
Në poezinë “Për ne të dy”, poeti vuan ...Ti nuk ke ku ecën,/Unë derdhur për tokë,/Për ty dhe për mua bashkë...Por më konkrete ajo shfaqet tek poezia “S’di asnjë fjalë”...Derdhun krejt dashuria në shtrojat tua,/ unë përulun mbi hapësirën tënde dritë...

Përmes metaforash të zgjedhura , autori tregon filozofinë e jetës, qëllimin për të jetuar e për të lënë ndonjë shenjë, për të mos u zvarrisur, por për të rendur, nga e njohura drejt së panjohurës, ku simboli është figura bazë. Si tek poezia “Pritje në pëerjetësi”:
...Prit i thua djalit, puthjen s’ta harroj,/Prit i thua vdekjes, s’dua të vij, është shpejt,/
Prit e prit e kurrë s’mjaftoj...

Poezitë e pjesës së tretë “Tingull i heshtur”mund t’i quaj ‘poezi meditimi”, diku me nota epike, por më shumë dominon lirizmi e simbolizmi. Autori gjen një “shkas”, një rrethanë të sotme, për të depertuar thellë në kohë e hapësirë. Si pjesë e shoqërisë, shpirti i tij i ndjeshëm është gjithmonë në kerkim, nuk gjen qetësi në një shoqëri të trazuar. Tematika është më e larmishme, nga fjala tek krjimet, nga malet mëkatarë te strehëza e dashurisë, nga portreti i tij, tek varri pa emër, nga molla e bahces sime, tek rruga me gjarpërinj, nga streha e mallit, tek përrallë dimri. Secila nga këto poezi percjell një mesazh të vecantë, i shperndarë në kohë e hapësirë, ndersa... Tik-taku i orës jetën numëron,/ po jeta sa është ?...
Shpesh mjedisi ku jetojmë bie ndesh me dëshirat e poetit, kur....kërkojmë baba,/ nanën e harrojmë,/ flasim për fajtorë,/Kush janë ata,/ Nuk e di...?/

I zhgënjyer nga e sotmja , autori i kthehet së kaluarës, ku duket se gjen prehje e qetësi, nga ku...gjen nanën në çdo cep të shtëpisë,/ me librin plot shënime të babës për të bijtë...

Duke trajtuar të tilla motive, poeti na shfaqet si një romantik “i vonuar”, mbasi mbizotëron ndjenja, bota e tij e brendshme, natyra, herë e egër ,siç mund të jetë ajo që ka shoqëruar poetin në rininë e tij të hershme, e herë e paqtë, si fjalët që formojnë brumin, me të cilin “gatuan” poezitë e tij.. I madhi D. Agolli shkruante dikur se fjala gdhend gurin, por sot, duke lexuar vëllimin me poezi “Unë dhe fjala”, mund të them se autori i librit gdhend fjalën. Duke e nxjerrë nga leksiku, e përpunon atë, i ndryshon kuptimin e parë, duke i dhënë “ngjyrë” figurative e vlerë artistike.

Vëllimi është i përbërë nga tre pjesë: “Hoje dhimbjeje” , me 29 poezi, “Heshtjes rrjedhin fjalë” me 37 poezi dhe “Unë qiellin, mali, lumi dhe njeriu”, me 35 poezi. Ndarja në pjesë nuk bëhet sipas motiveve që trajton apo mesazheve që përcjell, mbasi tematika është e ndryshme, por i bashkon forma artistike, me vargun e bardhë dhe të lirë, ku radhë hasim në rimë të puthitur, apo të alternuar. Mungon edhe metrika, apo vargu i matur, veçori këto të poezisë tradicionale, por mbetet besnik i “fjalës”, e këtë e kerkon edhe prej saj, duke iu lutur … të mos e braktisë poetin,/ edhe nëse ngjitet deri te shqipja lart, të kthehet përsëri pranë tij, mbasi ...kanë shumë “punë”së bashku. Përmes anaforash, pyetjesh retorike, krahasimesh , fjalëve të radha e krahinizmash, poeti krijon poezi mbresëlënëse, si “Fjala s’ikën”.Si besimtar i devotshëm, kur flet per gjithësinë, materien apo pavdekësinë, poeti duket sikur sjell para lexuesit panteizmin e Naimit:
...Si gjallë,/si vdekur,/do të jetosh,/ në njerin rast,/ s’do jesh fizikisht...( Nga poezia”Vdis, ose mos vdis”)

Një “buqetë’ erëkëndëshme fjalësh, autori ka rezervuar për poetin e shpirtrave njerëzore, lirikun e pavdekshëm Lasgush Poradeci, nga i cili duket se është frymëzuar në disa nga poezitë e tij
...Nga liqeni erdhi me gjah poezie,/lidhur për një fije,/ Erdhi si i fjetur, për të qëndruar,/ mijëra vjecarë zgjuar....

Vlerat njerëzore janë burim frymëzimi per autorin, ngado të vijnë ato. Nuk mungojnë poezi për Papa Vojtilen apo Franceskun, duke e percjellur të parin me lotë, ndërsa të dytin e pret me padurim, mbasi njerëzit kanë nevojë për këta “qetësues shpirtrash” njerëzorë.  Ndonëse tokësorë jemi, ata mbeten legjenda, mbasi vetë toka është e mbushur me legjenda.

Frymëzimi i poetit nuk është i stisur, apo i kerkuar. Ai i vjen edhe rastësisht, nga një objekt, që i kap syri, nga guraleci i zallit, tek Valbona, nga bilbili në degë, tek manushaqja e vetmuar, nga pushka e babës, tek fjala magjike, nga orteku i borës, tek rrufeja fishkëlluese, nga opingat me baltë, tek lahuta e vjetër..

Autori ka krijuar origjinalitetin e vet në stilin e të shkruarit. Gjuha është e pasur në figuracion.  Ai mbetet kërkues ndaj vetes e poezisë së tij, mbasi nuk don të jetë ...ushtar me beteja të humbura,/ pa busull e pa krye rresht...kur “humbet” diku mes vargjeve, duke mos arritur atë që do, duke thirrur në ndihmë edhe mitologjinë, me kucedra e dragoj, me përralla e legjenda, e pastaj, duke u qetësuar në mitet e vendlindjes së tij.

Autori shkruan kryesisht në dialektin e Veriut, me fjalë edhe krahinore (Vjen si psherja e djathit nga tamli i delmes..., ...një kore bukë, mbetë në çerep,...të rreshkun në gacë,...para kllackave me therra...male të perllocuna...) Por brenda vargut, autori përdorë njëherësh edhe fjalë të normes standarde, por edhe dialektore, ose të njejtën fjalë, diku e përdorë në dialekt e diku në normë standarde. Por ky “qortim”i takon redaktorit dhe korektorit gjuhësor.
 

E gjithmonë i bën shoqëri fjala, që vjen ...si flladi në të nxehtin e verës,/ si të nxehtit e oxhakut qorruar,...me lutjen”mos më braktis, mos më harro”.

Duke lexuar këto poezi të Hasan Selimit, mendoj se ndihmesa e tij është më shumë se modeste, në pasurimin e letërsisë bashkëkohore , si poet i vargut të lirë, por edhe i mendimit të lirë.

FADIL HASMUJA
(Studiues)

Antar i Shoqates së Shkrimtarëve, Shkodër

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat