Mbajeni në mend këtë emër

Libra

Mbajeni në mend këtë emër

Nga: Izet Abdyli Më: 30 korrik 2018 Në ora: 09:21
Kopertina e librit

Jo rrallë është përdorur shprehja ,,Mbaje në mend këtë emër, kur është folur për dikë që është dalluar për talentin e tij në akëcilen veprimtari. Duke lexuar vështrimet, trajtesat,impresionet  e refleksionet letrare të Kosovare Krasniqit lirisht mund të thuhet ,,Mbajeni në mend këtë emër".    Kosovare Krasniqi  që në fillimet e saja të prezantimit në zhanrin e kritikës ka dëshmuar jo vetëm talentin por edhe përkushtimin, pasionin e dashurinë në kultivimin e këtij zhanri jo edhe të lehtë të letërsisë. Autorja qysh me librin e parë ,,Shpirti i gruas në letërsi" e dëshmon prirjen e saj në shtjellimin e temave letrare. Leksiku i pasur i fjalëve me të cilat operon, por edhe kultura e saj gjuhësore e leximit duke përdorur burimet referenciale të mendimtarëve, filozofëve e shkrimtarëve dëshmon për misionin jo të lehtë që  i ka vënë vetës. Në shkrimet saj veçohen qartësia e mendimit dhe mjeshtëria në nxjerrjen e esencave të kuptimit të veprës që merr në trajtim. Kjo që theksuam më lart vërtetohet katërcipërisht edhe në librin e saj më të ri ,,Reflektime letrare" i cili ka për botues Fondacionin Albiz nga Shkupi. Vetë fakti që ky libër u zgjodh për botim në një konkurrencë konkursi nga fondacioni i përmendur më lartë është një tregues i një procesi vlerësimi. Se kemi të bëjmë me një studiuese serioze tregon edhe qasja e saj në ndërtimin e strukturës së librit. Libri është konceptuar në tri pjesë: 1. Studime letrare, 2. Gjurmime në libra me poezi dhe prozë dhe 3. Studime folklorike.

 Autorja pra ka bërë strukturën e librit sipas zgjedhjes tematike, metodë kjo që lehtëson dhe orienton në përzgjedhjen tematike varësisht nga shija e lexuesit. Tematika e Kosovës e shpërfaqur në tri studime - trajtesa në pjesën e parë të librit i jep mundësinë autores të ndërtoi një korrelacion të rëndësishëm të fatit ekzistencial të Kosovës shprehur përmes botës së artit letrar qoftë përmes poezisë apo prozës. Të trajtosh poezinë e poetëve që kanë shkruar për Kosovën është më shumë se një sfidë por që autorja arrin me sukses të realizoi këtë projekt me shumë vlerë. Edhe në studimin e dytë ku analizon romanin ,, Mos më thuaj se më kanë parë ëndërr" të Shefkije Islamajt ka arritur të pasqyroi fatin e gruas në luftë me tërë dimensionet tragjike të saj si: sakrifica, dhimbja, vuajtja, qëndrueshmëria e deri tek cenimi integritetit moral. Një tjetër anë të medaljes së Kosovës, paraqitet edhe në studimin e poezisë së Agim Vincës për Kosovën. Në pjesën e dytë përfshihen vështrime, recensione e impresione letrare për një serë veprash, qoftë në prozë apo poezi e në të cilat autorja ruan ekuilibrin e saj vlerësues pavarësisht natyrës së veprës apo titullarit të veprës i njohur apo më pak i njohur. Aty defilojnë emrat e krijuesve si: Ibrahim Kadriu, Gëzim Aliu, Arben Kondi, Agim Gjakova, Sali Bytyqi, Shefqet Bylykbashi, Izet Abdyli, etj. Pasioni për letërsinë ka provokuar autoren të merret edhe me studime në fushën e folklorit, përkatësisht trajtimin e trashëgimisë orale, riteve e traditave, Përveç burimeve të shkruara ajo në rolin e intervistueses ka mbledhur të dhëna me rëndësi për ritualet dhe ceremonitë e festës së Shëngjergjit duke zbërthyer edhe kuptimësinë e tyre. Në përgjithësi 17 punimet e prezantuara në këtë libër janë një lëndën e mirë që studiuesit e ardhshëm të letërsisë mund ta shfrytëzojnë si burim reference.

Autores i urojmë suksese dhe e inkurajojmë për këmbëngulësinë e saj në rrugëtimin e saj drejt botës së artit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat