Promovohet libri “Natë e përgjumur” i poetes Merita Berisha

Libra

Promovohet libri “Natë e përgjumur” i poetes Merita Berisha

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 00:00
Promovimi është bërë në kuadër të festivalit “Ujëvara fest”.

Pranë ujëvarave të Mirushës, është promovuar libri “Natë e përgjumur” i poetes Merita Berisha.

Promovimi është bërë në kuadër të festivalit “Ujëvara fest”.

Redaktori i librit, Imer Pantina ka vlerësuar se libri me poezi “Natë e përgjumur” i poetes Merita Berisha vjen para lexuesve me një vargëzim pjekurisht të qëndrueshëm, pas një përvoje të gjatë vargëzimi që autorja ka.

“Duke pikëtuar shtigjet e jetës, sprovave, dashurisë shpirtërore, si çelës lirik i mbijetesës dhe optimizmit, dhe pastaj, për të hyrë në horizontet e socializimit, që shpërthen me kodin humanist si hyrje përmbajtësore në sfera poetikisht (lexo edhe njerëzisht) të jetuara, autorja tërheq paralelet mes jetës dhe sprovës, mes gjendjeve konotative që ngjizen nga çaste qetësie dhe turbulence, nga vrojtime përmes dritës së arsyes dhe asaj të ndjesive”, ka theksuar Pantina.

Po ashtu sipas tij, poetja i drejton reflektorët drejt asaj pamje nga ku shihet bota dhe shoqëria me të gjitha nivelet, me sfidat dhe iluzionet, ajo çfarë është dhe ajo çfarë poetja dëshiron të jetë.

“Gjuha narracionale dhe e motivuar vetëm nga idetë mbase është e papërshtatshme për të dhënë tablo të plota të kësaj bote sepse kësaj gjuhe do t’i mungonin nuancat emocionale, ndjesore. Kështu vargu e arrin atë nivelin e kënaqshëm që lexuesi të lexojë me subjektivizëm, të ndërhyjë në fushën e metagjuhës, leximeve të shumëfishta të ndërthurura metaforikisht, që shpërfaqet në copëza detajesh dhe nga kjo të nxjerr atë jehonën që lë ‘shpërthimi’ i lirikave”, thot ai.

Kurse recenzenti i librit, Vilson Culaj thekson se të shkruash poezi cilësore nuk është pasion por mision dhe sipas tij vetëm misionet mbajnë gjallë dhe blatojnë brenda vetës frymën e ligjeve  duke ngritur kumtin se, arti i mirëfilltë nuk duhet të jetë i veshur më petkun e vetmashtrimit por duhet të jetë si shpirti i ngjizur në njohje e paranjohje, dhe nëse njohja është gjendje psikike atëherë lirshëm mund të konstatojmë se paranjohja është Niveli Eskatologjik i përbërjes e formësimit tonë që nga forma e parë embrionale e jona deri tek niveli më i lartë i shndërrimit tonë psiko – emocional.

“Pra duhet nivel aristokratik i të menduarit , perceptuarit, receptuarit e frymuarit ndryshe për ta arritur zenitin poetik, thënë me fjalë tjera, një lloj katarsisi shpirtëror sepse germa e vdekur, e pa frymë, nuk është  misionare dhe as përmbushëse e misionit tonë letrar. Këtë dimension letrar, emocional, ideor e artistik e ka arritur poetja jonë e talentuar Merita Berisha në vëllimin e saj poetik ‘Natë e përgjumur”, thotë Culaj.

Sipas tij vargu poetik i Merita Berishës nuk e ka për mision kredon “fluturoj e ëndërroj”, sepse kam ardhur në ketë botë për ta dënuar njeriun, por misioni i saj letrar ka një gjakim tjetër “ikjen e njeriut të sotëm nga kotësitë e shekullit dhe mbjellja e tyre në vyrtyte e progrese kulturore e etnike”. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat