Dy drama të shkruara me përkushtim

Libra

Dy drama të shkruara me përkushtim

Nga: Fatmire Duraku Më: 31 korrik 2018 Në ora: 15:14
(Shtëpia Botuese “Fad” e Prishtinës botoi librin e ri me dy drama “Banketi” dhe “Dardania” të Shaip Grabovcit)

Monodrama si pjesë e dramaturgjisë është më pak prezente, mirëpo, nuk do të thotë se ajo nuk ngërthen probleme me të cilat ballafaqohet qenia e njeriut. Përkundrazi, çështjet që trajtohen në monodramë janë më të detajuara dhe si të tilla më thellë prekin në psiken e njeriut. Monodrama i kushtohet Dr. Zef Mirditës, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi gjurmimeve e studimeve rreth truallit të Dardanisë.

Shaip Grabovci, kësaj radhe prezantohet me monodramën Dardania, e cila krahasuar me monodramat e tij Lajthimi dhe Labiriniti, në të cilat individi lufton për të qenë pjesë e kolektivitetit, në monodramën Dardania individi gjurmon në të kaluarën, për t’i gjetur rrënjët e tij.

Monodrama për subjekt ka jetën e një shkencëtari, i cili tërë jetën iu ka kushtuar gjurmimeve në të kaluarën, e cila gjë do të hedh dritë në të tashmen. Kuptohet se puna nuk është aspak e lehtë... Shkenca sikur gjërat i mbyllë nën shtatë dryna. Mirëpo, shkencëtari nuk do të ishte shkencëtar sikur të mos sakrifikohej për idealin e tij të quajtur, shkencë.

E shkenca si vajzë lozonjare sikur në momente i rrëshqet nga dora! Kështu qëllimi final sa është fare afër, aq është edhe shumë larg!  Kjo pra është një luftë e vazhdueshme  për shkencëtarin, i cili “vrapon e vrapon” pas Dardanisë, e cila prej kohësh ka rrëmbye mendjen dhe zemrën e tij... Vrapi i tij është vrap , jo pas lozonjares, por vrap pas shkencës!

Në dramën tjetër Shaip Grabovci realizon rrjedha nga shtresa të ndryshme, të nxjerra nga e përditshmja. Një dramë tjetër, mjaft të fortë, mjaft të vijëzuar dhe të skalitur.

Drama “Banketi”, zë vend të veçantë të krijimtarinë e tij. Ajo trajton problem aktuale, të cilat njëherësh janë të vjetra edhe sa vet njerëzimi. Pra tema është sa e përgjithshme aq edhe shumë individuale, pasi ajo është një depërtimin në mendjen e individit, i cili nuk mund të jetë indiferent ndaj rrethit ku veprojmë e që në kuptimin më të gjerë e quajmë Kozmos.

Grabovci në shkrimin e dramave të tij mbështet te principet e Frenci Fërgasonit, i cili në një fare dore, skenën e konsideron si një purgator, ku vetëm atëherë, kur njeriu e ndien vetën se gjendet në një tigan të skuqur, vetëm atëherë e nxjerrë jashtë tërë atë që e ka të mbyllur në shpirtin e tij.

Në këtë drejtim, drama “Banketi” sikur ka diçka më specifike. Në “purgatorin” e saj gjenden ata që dikur kanë qëndruar mbi të gjithë, por që hove-hove sikur kalojnë në kohën e tashme. Pra kemi një ngjarje që zhvillohet në mes reales dhe ireales e kjo mund të merret edhe si një risi.

Personazhet janë shumështresor, kështu në të njëjtin personazh mund të “takojmë” Berien e Neronin, Eridën dhe Maria Antonetën… Mirëpo emrat e  tyre nuk zihen në gojë, por të bëmat e tyre po se po! Mos përmendja e emrave konkret dramën e bën më universale ngase numri i atyre që kanë shtypë të tjerët është akoma me i madh!

 Në dramë kemi rrëfimet e atyre që të tjerët i shtypin, por që shpesh herë për këtë tentojnë ta fajësojnë dikën  tjetër, mandej rrethanat dhe gjërat që vetëm ata mund t’i imagjinojnë! Nga këto trajtime , mund të përfundohet te dilema: vallë, mos lufta është baba i çdo gjëje?

 Çështje që shtrohet është edhe sa mund të ndikojë kultura në pashitjen e epsheve për mbisundim, mandej energjia njerëzore a mund të menaxhohet më mirë si dhe cilat janë ato momente vendimtare, qoftë ato të njëmijtës pjesë të sekondës, kur njeriu vendos për gjëra që për shumë e shumë  të tjerë do të thonë  jetë… Si dhe për shumë gjëra të tjera që përfshinë fjala  Dilemë.

Të gjitha këto, pra e tërë ngjarja ka një lidhje të brendshme  dhe një zhvillim shumë natyral  dhe të rrjedhshëm sa çdo gjë që është thënë, të jetë e thënë në momentin e duhur dhe të ketë një zhvillim të lakmueshëm skenik.

 Banketi, pra, është shtruar për ata të cilët i kanë  në qejf  banketet që mund të kenë edhe  shije të hidhura! Shije të cilën mund ta ketë lufta që fillon me entuziazëm dhe përfundon me varre!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat