Dashuria është një dhuratë e bekuar që të jep fuqi dhe shëndet

Libra

Dashuria është një dhuratë e bekuar që të jep fuqi dhe shëndet

Nga: Remzi Basha Më: 31 tetor 2018 Në ora: 06:10
Kopertina

Dashuria është një përrallë e bukur dhe e magjepsur. Ajo është një dhuratë e bekuar e Perëndisë. Dashuria është një ndjenjë personale që buron nga shpirti dhe të çon në kufirin mes ëndrrës dhe realitetit, madje të shpie më larg, në brigjet e ëndshme dhe të këndshme të ndjeshmërisë. Fshehtësia e përshkrimit të saj qëndron në mjeshtërinë e gërshetimit të fjalëve me ndjenja dhe me art, me stil dhe elegancë, me artin e fjalëve që burojnë nga zemra për t’i ftuar lexuesit me zërin e zemrës që të të lexojnë! Poezia është pasqyrë e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta „ngarkosh” vargun me dritë dhe dashuri. Zëri i dashurisë është zëri i zemrës që buron nga thellësitë e shpirtit për përjetësinë e fjalës dhe lumturimin e botës.

Mbrëmë të takova në ëndërr. Ishe duke eceur ngadalë, shtigjeve ku isha duke të pritur gjatë natës. Më kërkoje dhe të kërkoja. Qielli i hapi portat e yjeve që e shndrisnin botën e takimit tonë të parë. Hëna shkëlqente duke na buzëqeshur, duke të ftuar të vish në gjirin tim që të të bëj përsëri të lumtur. Takimet tona krijuan kujtimet më të bukura në botë. Sa herë takoheshim, më thoshe se nuk mund të jetoj pa ty! Dashurinë që e ka bekuar Perëndia, është një dhuratë e shenjtë. Unë nuk mund të jetoj në këtë botë pa shijen e buzëve tua, më thoshe në horizontin e mrekullive ku dëgjoheshin dallgët e Drinit dhe këngët e mallëngjimit. Zëri yt shëmbëllente me zërin e zanave të fshatit tim që dremit në brigjet e një bote të bukur dhe të magjepsur. Eja ta shijojmë jetën së bashku pas gjithë shëtitjeve tua nëpër botë, më thoshe duke më ftuar të takohemi fillimisht rrallë e për mallë, kurse më vonë, shpesh e më shpesh.

Dashuria është muzika e shpirtit, ndërsa atdheu i shpirtit është dashuria. Drita e dashurisë është një nxitje shpirtërore që të detyron t’i dëgjosh këngët e atdheut në mërgim. Kur drita e dashurisë bie mbi ju, shkoni pas saj, edhe pse rruga është e përpjetë dhe plot pengesa! Femra hyjnore na josh ta përjetojmë shijen e dashurisë. Jo më kot Bubullima ka thënë: Shtati i saj përkulet si një hark i shenjtë. Gjinjtë e saj lëkunden si dallgë deti. Para hijeshisë së saj mbetesh pa fjalë. Majmëri e brishtë, dhe bukuri e çveshur. I këndon trupi nga bukuria. I dridhen gjinjtë nga majmëria, nga brishtësia dhe ëmbëlsia.

Po ku jeni mor njerëzit e mi të mirë? A po i dëgjoni fjalët se si ngjiten në fjali? Ku janë ata që s'janë? Si ta përfitoni atë që e doni, dhe ta doni  atë që e keni? Si ta përfitojmë dashurinë e Zotit me një zemër të re? Po ku je moj sokoleshë mali? Si të vi te ti, me zjarrin e zemrës në gji, nga e cila shpërthen vrrulli i dashurisë, me zjarrin e fshehur në fjalë?

Hija e fjalëve pa hije, fshihet e mbështjellë me lëng rrushi, në një shpat Shqipërie. Politika rend pas luksit, ndërsa Kosova gjallëron me bukë, krypë, dashuri e dhallë, dhe hijen e fjalëve në fjalë. Drita, dita dhe Afërdita. Drita e dashurisë, shëndeti i shpirtit, Ura e Shëndetit, zëri i Zotit, dhe zemra e dheut. E këtillë është jeta në vendlindjen time. Bubullima dje e la rakinë, sot e la duhanin, nesër do ta lërë çajin e rusit, për ta ripërifituar shëndetin e rinisë, në prak të pleqërisë. Po a mplaket shqiptari, mor vëlla!

VJESHTA SHQIPTARE

Nga shpatijet zbres në luginë, të takohem me ty moj gjeraqinë! Zbres nga Hëna me rreze dielli, me flatra engjëlli fluturoj, vetëm ty të të takoj! Vjeshta vjen me shportën e mbushur, me kalaveshat e rrushit të zi, në vendlindjen time të bekuar, atje ku vjeshta e gëzuar, m’i shtron rrugët me gjethe të verdha, dhe më del Zana përpara, e më thot: Ja ku jam e ja ku erdha! Pas saj vijnë edhe zana tjera, belkëputura me buzë të ëmbla, vasha të bukura e të lezetshme, për frymëzim e lumturim, muza që më nxisin t’i bëj të përjetshme. Si Ju duken këto përshkrime erotike, në kuadrin e prozës poetike? Një mik imi thot se bukuria shijohet, por ajo është vështirë të përshkruhet. Gjatë vjeshtës shqiptare, zbres nga shpatijet e Sharrit në luginë, të takohem me një trëndelinë. Po ku je moj zanë mali, i them Dritës. Ja ku jam! Në zemër të kam! Ti që ma kushton poezinë më të bukur, ti je dielli dhe ylli im, unë jam hëna që të bën trim! Ti m’i dhuruon vargjet me tinguj të rrallë, unë jam frymëzimi dhe muza jote e gjallë!

Nëse faltorja është Shtëpia e Zotit, poezia është Vatra e Hyjnive. Kështu thekson Bubullima si një nga personazhet e këtij romani dhe vazhdon: Në vargjet e tij poeti din të komunikojë me qiellin dhe hyjnitë. Ai shkruan me zërin e zemrës dhe afshin e dashurisë që fliste me gjuhën e qiellit. Këtë e them edhe unë me fjalë identike: “Ngritem mbi kohëra e zemane/ Jeta mbi to kalon/ Njërën këmbë e kam në tokë/ E tjetrën në qiell”. Poezia është një vragë që të ndjek. Shfaqet netëve pa gjumë, dhe shndërrohet në engjëll. Bëhet nga gjaku, fryma e shiu, e prapë bëhet gja. Poezia është gjaku i dashurisë dhe ndjeshmërisë. Bubullima ka thënë se poezia është e bija e mahnitjes. Nuk ka poet që nuk e ka përjetuar dashurinë e vërtetë gjatë jetës së tij. Poeti e konsideron femrën si një zjarr të shenjtë. Dashuria është zjarri i bekuar që të jep fuqi dhe shëndet.: “Ka vetëm dashuri/ Dhimbje e lot/ Që tokën e shpojnë/ Vetëm urrejtja mungon/ Në librin e dashurisë”.

Anna Gorenko nuk i ka mbyllur perdet. Bukuroshja ime vjen në kujtesën time dhe më thot: “Eja e në dhomën time tani/ S’mund të më ikësh më dot/ Sot unë jam e tëra lumturi/ Thuamë pra: e paturpshme/ Hidhmi romuzet e tua të të them/ Unë kam qenë pagjumësia jote/ Dhe ankthit yt i madh kam qenë.” Dy gjëra na shpëtojnë në jetë: dashuria dhe e qeshura. Nëse e keni njërën, çdo gjë është në rregull. Nëse i keni të dyja, jeni te pamposhtur! Çka thot Estela Ruka për shijen e dashurisë dhe afshin e saj? “Kur vij tek ti/ Valët e detit fytyrën tregojnë/ Era e mëngjesit kur frynë/ Valët e detit shungullojnë/ Shkuma e bardhë shikon/ Njerëzia këngët i dëgjon/ Porsi zërin e vajzave/ Që në festa kuvendojnë”. Dhe më tej: “Atë vajzë e dua shumë/ Zëri i saj këngën e fillon/ Drita fytyrën ia ndriçon/ Vajza e djem festat i adhurojnë/ Valët e detit fytyrën ua tregojnë”.

Psikologjia e lumturisë ndërlidhet me përvojat dhe përjetimet e dashurisë. Dashuria është ajo që të thot: Dëboje shqetsimin, hidhi brengat dhe mësohu të jesh i lumtur! Jo Bubullima, por Daja ka të drejtë kur thot: Po të shkruash një poezi me tre fjalë, do të lexohej me adhurim: Ti je shpirti im! Drita është shpirti im. Tre lloj njerëzish i adhuron Zoti: Ata që nuk bëhen viktimë e mërisë, ata që e dëbojnë urrejtjen, dhe ata që nuk e refuzojnë dashurinë. Më merr zemra ime dhe më merr! Më merr atje ku engjëjt pushojnë, atje nën hijet e bimëve ku zogjtë këndojnë. Atje ku ata flatrojnë nga dega në degë, kur mëria del nga zemra në shenjë dashurie. Përveç dashurisë ndaj Atdheut dhe Zotit, ndaj gruas dhe familjes, asgjë tjetër nuk kërkoj nga ti, jeta ime! Pa dashuri, e pakuptueshme duket mënyra e të jetuarit. Pa dashuri, të përcjell dhimbja e shiu, vjeshta, dimri, dëbora dhe rrugët e zbrazura, dhe jeta të duket si një hije që vjen pas teje!

URA E SHËNDETIT DHE SHËNDETI I SHPIRTIT

Sipas Bubullimës, shpirti është shkenca supreme. Asgjë nuk mund të qëndrojë përmbi këtë shkencë. Qenja e shpirtit është tejet e thellë. Sipas Heraklitit, atë s'mund ta gjesh, edhe po qe se e kërkon përgjatë krejt rrugëve të botës. Na e merr mendja se në Ballkan mund të bëhesh filozof, edhe pa e studjuar filozofinë. Qëllimi elementar i saj është fisnikërimi i shpirtit, shëndeti i tij. Hareja, gëzimi, kënga dhe muzika ishin veti e përditshme e dardanëve. Arti lind nga imagjinata ndërsa muzika është kënaqësia e shpirtit. Thonë se leximi ushqen trurin, poezia shpreh shpirtin e njeriut, ndërsa letërsia shpreh shpirtin e kohës. Sytë janë pasqyra e shpirtit. Ato janë mjet i jashtëzakonshëm, për të depërtuar në shpirt. Shpirt i trazuar, shpirt i frymëzuar shpirt i shenjtë. Thonë se edhe fjala ka shpirt. Nuk të shërojnë ilaçet, sa të shërojnë fjalët. Shqiptarit i ka hije fjala dhe pushka. Fjalët e bukura janë si një hoje mjalti: të mira për shpirt dhe të shëndetshme për eshtra. Libri është shëndeti i shpirtit. Shpirti i fshatit, shpirti i gjumit, trupeshpirt, shpirt’ i dashurisë. Cilat janë specialitetet e shpirtit? Shpalimi i gjirit të femrës është ilaç i mirë për shpirtin, ndërsa beli i bukur, ushqim i shijshëm për ndjenjat.

Der Kraft kommt aus dem Herzen, thonë gjermanët. Thonë e ç’nuk thonë. Thonë se ilaçet bëhen nga shpirtërat e njerëzve të mirë. Vallëzimi është sport, meditim, shpirt dhe poezi, rruga më e mirë për të arritur në shpirtin e një femre. Mjeti më i mirë për përsosjen e shpirtit, është nxitja e trupit. Edhe vetura ka shpirt, po qe se e parkon para diskotekës së Dan Dinit në Sllapuzhan. Po qe se i hedh ca vaj, ajo e lyen shpirtin e saj. Po ku je mor shpirt, i thot gruaja burrit kur kthehet nga kurbeti me limuzinë. Po ti ku je moj loçka jeme, ia kthen mërgimtari i përmalluar, për ta ndjerë shpirtin e saj, para se ta shohë shpirtin e fshatit. Shpirti i fshatit është shpirti i kombit. Kaq sa për shpirtin sot, ngase mund të preket dikush që ende se ka kuptuar se shpirti shqiptar është një vlerë hyjnore.

Po digjem për ty, e dashura ime, shpirti im dhe drita ime! Netët që i bëja për ty, duke të dashur si një fëmijë, ishin netë kur hënën që e krijova për ty, e kishe zënë në shteg, dhe më mbulove me dritë, atëherë kur edhe dheu po digjej për ty! Vaj për mua moj grua! Këngët për ty nuk janë dhimbje, por ilaç për shërimin e shpirtit. Unë jam një gur durimi, që e mbaj mbi shpinë. Kështu e shaloj jetën, vetëm me ty dhe vetëm për ty! Pa prezencën tënde do të isha harrestar i madh në majë të botës. Larg teje netët po ikin. Po ikin edhe zogjtë. Pa praninë tënde, do të isha një zog shtegtar, dhe një vjeshtë të cilës i bien gjethet dhe e lagin shirat. Rreth e rrotull meje, asnjë fare mendimi nuk do më vjente pa praninë tënde! Shpresat më braktisin kur jam larg teje! Pse? Sepse ti nuk je përrallë që përhitesh netëve të dimrit, por ti je pranvera ime që ma këndell etjen për jetë me zjarrin e dashurisë.

SHEKUJT E JETËS DHE VALËT E DETIT

Dashuria nuk plaket kurrë. Ajo është dhurata më e bukur që na e ka falë Zoti. Jeta pa dashuri duket si një kuti e zezë, e mbyllur dhe pa dritë. Po ti kush je moj Dritë? Ti je zana e zanave dhe drita e dritës. E provokoj padurimin të të kem pranë meje! Në shtratin e shtruar me afshin e ndjeshmërisë, fjalët që i ke mbjellë në rrënjët e pemëve, mugullojnë mbi flatrat e melankolisë. Qetësia e gërshetuar me ngjyrat e natës, reflekton dritat e ditës në mesditë. Në krahërorin tënd shpërthen jeta. Vetëm ti nuk më harron moj Zonjë! Eja ta kalojmë natën deri vonë! Të jesh pranë meje si një ikonë! Vetëm ti nuk më braktis moj zanë, me prekjet tua të mëndafshta, ma ndriçon rrugën për në Hanë!

Iku pranvera me lulet e kajsisë. Unë me Dritën gjendemi para pasqyrës së jetës. Jemi duke shfletuar albumet duke i kundruar kujtimet e rinisë. Fluturoi dhe vera me luleshqerra, dhe erdhi vjeshta me rrush në vreshta. A i dëgjoni pemët se si qajnë, duke i vërsulur gjethet në tokë! A i dëgjoni rrezet e hanës se si trokasin në dritare! A i dëgjoni mollat se si pikin! A po i shihni fjalët se si ikin, duke kërkuar një shtrat të butë, atje ku zonja e zana dhe hana, deti e dielli dhe yjet e pyjet, e bëjnë poetin mbret, dhe poeteshën mbretëreshë! Eja të shkojmë në shtrat moj shpirtluaneshë!

Në Sllapuzhan lind dielli dhe më pret nana. Shqiptarët janë më të vjetër se Hana. Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët kishin kryer ciklin dy mijë vjeçar të qytetërimit të lashtë, ka thënë Gjergj Fishta në kohën e tij. Në vendlindjen time kishte dhe ende ka varfëri. Shqipëri moj Shqiperi! Bubullimën e ka kapluar trishtimi dhe thot: Ne lindim në një univers kuptimin e të cilit nuk mund ta deshifrojmë kurrë. Fshehtësia e ekzistencës mbetet gjithmonë e fshehur. Posa i artikulojmë fjalët a para, fillojmë të parashtrojmë gjithfarë pyetjesh. Në vitet e para të jetës, mahnitjet tona mbeten pa përgjigje. Faktikisht, jeta ndërpritet pasi ndalemi të parashtrojmë pyetje, qoftë nga fakti se mendojmë se i dimë të gjitha, qoftë nga fakti se nuk dimë asgjë. Pas furtunave të shpirtit, që shëmbëllejnë me stuhitë e natyrës, ringjallen lulet e vdekura.

Shtatori, Tetori, Nëntori. Në moshën 70 vjeçare, shkon në det dhe e pyet detin në dëshiron të të gëlltisë! Deti hesht. Në moshën 80 vjeçare shkon në det dhe ia parashtron të njëjtën pyetje. Deti trazohet, dallgët tërbohen, furtunat hedhin vrushkuj uji deri në qiell dhe deti hesht. Në moshën 90 vjeçare, shkon në det dhe e pyet në dëshiron të të gëlltisë. Deti e hap gojën dhe thot: Meqë tërë jetën ëndërrove dhe nuk punove, urdhëro e hidhu në valët e mia të të dërgoj në botën e engjëjve! Dielli ngryset, hëna terratiset, yjet e humbin shkëlqimin. Engjëjt dhe hijet heshtin, së bashku me detin, që e pret poetin! Dhe heshtin valët e detit, me mahnitjet e poetit. Çka kërkon Bubullima në faqet e romanit tim! E çmoj ngase ai ka fuqinë e imagjinatës ndërsa fjala e tij e lakon hekurin. Ai shkruan bukur jo vetëm për dashurinë, por edhe për mjerimin që i ka shtrirë krahët, si një hije që të kafshon! Disa pinë verë të kuqe dhe derdhin para për vetura luksoze. Nuk duan të dëgjojnë më lutjen tënde lypsar! Kosova duket si një fëmijë me pantollona të grisura, ku hyn era e vjeshtës si nëpër tunel.

Sllapuzhani im më pret me padurim. Ai i flet kohës me dashuri atdheu. Në atë tokë të bekuar ëndrrat zbresin nga qielli. Loti i syrit të Dritës sime u bë yll, dhe pas shiut u bë ylber që u dashurua marrëzisht në krojet dhe lumenjtë e vendlindjes sime. Flamujt e atdheut flatrojnë me zogjtë e diellit. Kur vij tek ti hipur mbi një kal të bardhë,  vrapoj e vrapoj sa fryma do më ndalë, por sa mbërrij tek ti moj Dritë, përkedheljet tua i marr si dhuratë,  frymën tënde e thithi ngadalë. Ti më dukesh e përhumbur si në përallë. Në përrallën më të bukur të dashurisë. Të rritesh me dritën e diellit don të thotë të kesh guxim për të mos grisur faqet e jetës, por thjesht t'i kthesh ato. Kush pat thënë vallë se të rritesh don të thotë të jesh në gjendje për të kapërcyer dhimbjet e mëdha pa i harruar.
Të rritesh do të thotë të kesh kurajo të shikosh botën e të buzëqeshësh. Të rritesh don të thotë të shikosh prapa dhe të përqafosh kujtimet e paharruara. Të rritesh don të thotë të dallosh realitetin nga ëndrrat.

Realiteti i prekshëm dehet me dritë. Kur zgjohem nga gjumi i them: Ti s’je ëndërr vere që vjen në jetën time kur njerëzit vijnë e shkojnë që andej. Dhe vjen bukuroshja ime të cilës i them: Ti je drita e dashurisë sime! Rrafsh njëmijë vjet hyn e del nga unë, si një kalimtar! Unë s’bëj zë, sepse në mua ka diç më shumë. Hej, kam pirë për ty! Tërë jetën kam pirë një lumë. Kur çelin stinët, Drita mahnitet, ndërsa shpirti im digjet flakë për një përmallim. Nga thellësia e jetës sonë, paraqiten kujtime dhe kujtime. Pastaj shkrihen në bebzat e syve tanë para albumeve të jetës sonë sentimentale. Kujtimet i shpërlajnë lotët, ndërsa mendimet tona na shpien në moshën e rinisë. Na kujtohen gërshetat e mamasë, sytë e babait, kaltërsia e krojeve të vendlindjes, kopshtijet dhe livadhet e lojërave të fëmijërisë. Aroni, Abetarja, Arjani dhe Saranda janë yjet e qiellit tim. Drita përpiqet të bëjë një analizë të gjerë të kujtimeve dhe ndjenjave tona, që nuk ishin kurrë të kundërshtueshme.

Fjalët e saj më dukeshin si do flutura që notojnë mbi lule. Më moshën e saj të respektuar kishte një përvojë të pasur të artit për të depërtuar në zemrën time duke më përvetësuar. Romani romantik apo romani i dashurisë është një vepër letrare që i gërsheton relacionet sentimentale ndërmjet njrëzve dhe ai duhet të ketë një përfundim emocional dhe optimist. Por, ka kohë deri te përfundimi, sepse ende jemi duke bërë fjalë për dallgët e dashurisë. Jeta s’mund të përfytyrohet pa Dritën time. Pa prezencën tënde që e përlind shijen e padurimit për dashuri. Jeta është si një bibliotekë ku librat flejnë dhe zgjohen, vetëm atëherë kur i shfleton. Si do dhurata të harlisura duken ëndrrat e trazuara, që i ka kapluar pagjumësia. Si do tufa lulesh duken fjalët tua, të shkruara me alfabetin e zemrës sime! Ato i kam harruar në qiell, atje ku dielli flakëron si shpuzë. Eja e dashur të hidhemi në valët e detit, ta shijojmë shijen e kripës në buzë!

FEMRA SI BURIM FRYMËZIMI POETIK DHE ARTISTIK

Burim i përshkruar në disa mënyra përgjatë kohës, në arte të ndryshme, gruaja ka mbetur një prezencë konstante, jo vetëm në këngë, poezi dhe romane, por edhe në pikturën shqiptare, duke reflektuar perceptimet e artistëve dhe të shoqërisë. Nga portrete familjesh e deri në aspekte nga jeta shtëpiake apo sociale, nga përfytyrime sublime të maternitetit, gjithmonë me femra misterioze apo fshatarka të thjeshta, një suitë shëmbëlltyrash e siluetash reflektohen në tabllo emblematike të disa nga artistët më të shquar shqiptarë, që nga Ibrahim Kodra e pararendësit e tij, e deri te Dan Gashi, Asllan Dibrani, Jetullah Haliti, Destan Gashi, Ben Kamili, Afrim Shatku etj. Femrat shqiptare kanë marrë pjesë edhe në evenimente të mëdha historike. Numri i tyre është i panumërt. Ata janë shquar përmes luftës së tyre, duke e qëndisur me shkronja të arta historinë e atdheut.

Femra si frymëzim për poetin s’është gjë tjetër veçse një dritë e bekuar që vjen nga realiteti dhe buron nga thellësitë e shpirtit. Frymëzimi është një ndriçim artistik që lidh fjalën me fjalë, mendimin me mendim dhe dritën me dritë. Sipas Biblës së Shenjtë, në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte Zoti, dhe Zoti ishte Fjala. Ai ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve. Nga drita e njerëzve lindin fjalët e poetit që ulen në varg, vargu në poezi, dhe kështusoj të tubuara, e ndriçojnë zemrën. Në vizionin e Hesiodit, frymëzimi është një dhunti e muzave. Sipas Platonit, ai është një emisar i qiellit. Njerëzit e pajisur me dhuntinë e harmonisë dhe të ritmit, janë ata që e kanë lindur poezinë. Vetëm ata që dinë të krijojnë gjëra madhështore, e meritojnë emrin e poetit, thotë Horaci. Nga mendimet e filozofëve të famshëm të botës antike, kuptojmë se frymëzimi është drita e dritës.

Në mbretërinë e mendimeve, rrëshqet barka e dashurisë. Fustani i Dritës sime, vezullon e dridhet, me fëshfëritje të mëndafshta, në brigjet e universit. Ajo e ka mbëltuar qiellin me yje, e ka fshehur hënën në bar, i ke ftuar gjinkallat të këndojnë. Në agimet e ëmbla më fton, më josh e më magjeps, dhe fshihesh në zemrën time dhe në brigjet e adhurimit. Ç’është poezia, më pyet muza ime. Është muzika e shpirtit që tingëllon nën tokë, apo në diell e në hënë. Në brigjet e kujtimeve, zgjohen netët e përgjumura, të përmbushura me dashuri. Nga dritarja hyjnë rrezet e përqafimit. Fjalët heshtin duke shëtitur ngadalë. Kujtimet e trazojnë shpirtin tone, duke i kërkuar brigjet e zbarkimit, në limanin e detit të shenjtë. Shikojmë si po rrokulliset koha, duke flatruar në drejtim të qiellit. Ti je vetë prania ime, e kësaj nate të zjarrtë, kur çelin stinët e dashurisë. Mbi ty ngriten këngët, si mbi tokë kur mbijnë bimët, sikur viti kur hyn në kotarin e shekujve.

Si të duken këto vargje moj lozonjarja ime? Unë nuk dua të të ndërroj me asnjë zanë tjetër. Pse? Sepse kështu në jetë të jam qepur. Dhe duke të dashur ty, me shekuj s’kam fjetur. Mendoja se pa dashuri, mos bëhem ujk, a djall i zi. Ata që nuk dashurojnë, as nuk mund të shkruajnë, as nuk mund të vuajnë, dhe as jetën nuk mund ta përjetojnë. Jeta rrjedh si një lum i përbujshëm. Jeta me ty krijon një lumturi fluturuese. Të kam thënë një herë, dhe po ta them përsëri: Të vdes një mijë herë, e të lind sërish, përsëri të dua! Jeta me ty më duket si një dhuratë e lezetshme. Në brigjet e mendimit, jam duke dremitur pranë dallgëve të detit. Vrushkujt e dritës shpërthejnë në lartësi. Treni i jetës nxiton drejt përjetësisë, me vagonat e mbushura me kujtime. Fjalët fluturojnë dhe aterojnë, në Luginën e Lumturisë. Takimi me detin është takimi me dritën. Takimi valët dhe takimi me fjalët, që shungullojnë në brigjet e mërgimit, ku Zoti ta ka falë mallëngjimin, për ta dëgjuar këngën e shpëtimit!

Po ti ku je moj bukuroshja ime lozonjare dhe nazemadhe? Jam duke të pritur në brigjet e detit! Atje ku derdhet Drini me dallgët e tij, fjalët e shpirtit fshihen në vale. Atje ku mbretëria e qetë e qetësisë, dëgjohet deri në vesh të Perëndisë. Nga brigjet e ftohta të Skandinavisë, herë pas here zbres në pllajet e ngrohta të shqiptarisë. Dhe flas me vetëveten: Jemi n’jug e jugu ka lezet. Kemi goca trime e besnike, që n’buzë e gji kanë sherbet. Nga sytë u shpërthejnë, shkëndija drite me iluzione. Të provokojnë emocione. Të kapisin kur të prekin. Kur i prek kallen e dridhen.Të rëmbejnë e të ngashnjejnë. Nga jeleku gjinjtë u shpërthejnë. Dhe ngadalë e dalngadalë, me puthje t’ëmbla e pa fjalë, të përplasin n’shtrat të butë. E ndjen veten si me qenë mbret. Të ngrejnë në qiell e bëjnë poet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat