Në Universitetin e Tetovës sot u promovuan tri vëllimet e fundit të librit “Kosova” VI, VII dhe VIII, të autorit Jusuf Buxhovi.
Të pranishëm ishin profesorë dhe studentë të këtij universiteti dhe qytetarë të tjerë nga Tetova.
Dekani i Fakultetit Filologjike, prof. Fatmir Sulejmani, vlerësoi veprën e Buxhovit si një kontribut të rëndësishëm për ndriçimin e historisë shqiptare jashtë kornizave ideologjike, e ku, në vëllimin VI i kushtohet rëndësi edhe Maqedonisë si çështje shqiptare.
Ramadan Musliu, redaktori i kësaj vepre me këtë rast tha se Buxhovi me vëllimet e fundit rrumbullakoi një projekt shkencor më të rëndësishmin e historiografisë sonë. Autori me këtë rast mbajti ligjëratën "Maqedonia dhe shqiptarët e parë nga këndvështrimi historik, etnik dhe politike nga antikiteti deri të koha jonë".
Ligjerata-promovuese e Buxhovit u përcoll me interesim të madh nga të pranishmit, të cilët shtruan pyetje të shumta rreth aktualitetit politik në të cilin ndodhet Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Me rastin e promovimit të "Kosova" VI, VII dhe VIII, historiani Jusuf Buxhovi u prit në Rektoratin e Universitetit të Tetovës. Me këtë rast, rektori i Universitetit, prof. Dr Vullnet Ameti historianit nga Kosova i dha mirënjohjen "Fadil sulejmani" të Universitetit për merita shkencore. Rektori Ameti vlerësoi punën hulumtuese të Buxhovit për ndriçimin e historisë shqiptare si dhe vendin e Maqedonisë në të.