Festat po afrojnë. Po sikur të kurseje sadopak për të blerë diçka më shumë?

Life style

Festat po afrojnë. Po sikur të kurseje sadopak për të blerë diçka më shumë?

Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Është vërtet periudha më e bukur e vitit, periudha që na gjen pranë familjeve, të bashkuar për të pritur një vit të ri në jetët tona. Por bashkë me bukurinë dhe lumturinë, e dimë se është dhe koha e shpenzimeve të mëdha. Mbledhja me të afërmit, apo thjesht me familjen, do të thotë edhe shkëmbim dhuratash me ta, pra shpenzime. Veç kësaj, duhet ta pranojmë se edhe ushqimet kushtojnë.

Përballë shpenzimeve të tilla, është e lehtë të stresohemi. Por nuk ka vend për stres. Çdo gjë mund të përballohet me sukses. Është koha kur duhet sadopak të kursejmë, me aq sa mundemi. Gjithmonë pa e tepruar.

Kursimi mund të nisë edhe nga gjërat më të vogla, ato që duken të parëndësishme dhe sikur nuk kanë ndonjë ndikim të madh. Po marr një shembull mjaft të thjeshtë. Nëse do të shmangie një rrugë me urban, do të kurseje 40 lekë në ditë dhe për 25 ditë do të grumbulloje 1000 lekë të reja. Me këto lekë mund të blije një tortë dhe ta hiqje kështu njërin shpenzim. Nëse e sheh si kursim të një dite, me siguri 40 lekë do të duken shumë pak për të blerë diçka. Por përderisa kemi ende më shumë se tri javë për ardhjen e Vitit të Ri, këto lekë mund të shtohen nëse ky kursim bëhet një rutinë.

Nga ana tjetër, mund të kursesh për shembull edhe me kafen. E di që është e vështirë, e di që ndoshta mendon se ai është momenti i vetëm që ti e gëzon sadopak veten përgjatë një dite të lodhshme. Nuk të këshilloj të mos e konsumosh kafen, nëse e konsumon përditë dhe ke krijuar varësi prej saj. Përkundrazi, të këshilloj ta pish në shtëpi. Mos e mendo si diçka të shëmtuar, kafja turke është shumë e mirë. Mendo që me një pako kafe e një pako sheqer mund të shtysh të paktën një javë. Për një javë llogarit se sa do të shpenzoje nëse do ta pije kafen në lokal. Edhe ky është një kursim dhe me to mund të hiqje një nga dhuratat dhe të bëheshe babagjyshi i dikujt në familje.

Ajo që të kërkoj pas këtyre shembujve të thjeshtë, është ta mendosh çdo shpenzim më hollësisht. Nëse ka diçka më të lirë, me të cilën mund ta zëvendësosh, zëvendësoje. Dhe këtë gjë duhet ta bësh parim jo vetëm për festat, por ta bësh rutinë të jetës tënde. Kursimi është vlerë. Lekët mënjanë janë nder në kohëra të vështira dhe më beso, një ditë do të më japësh të drejtë. Me siguri ke qenë në vështirësi dhe ke menduar për shpenzime të kota që ke bërë. Kohën mbrapsht nuk e kthen dot, por mund të marrësh masa që tani, në mënyrë që të sigurosh disa lekë të hequra mënjanë për momente të vështira, kur do të të duhen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat