Po aplikon për një vend pune që kërkon letër motivimi? Ja se çfarë duhet të kesh parasysh

Life style

Po aplikon për një vend pune që kërkon letër motivimi? Ja se çfarë duhet të kesh parasysh

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 20:56
Foto ilustrim

Shumica e vendeve të lira të punës kërkojnë një letër motivimi, një letër ku shpreh arsyet se pse po aplikon dhe cilat janë cilësitë që ty të favorizojnë për t’u përzgjedhur në atë vend të lirë. Ndonjëherë është e vështirë të shprehësh çdo gjë në një letër motivimi që maksimumi duhet të jetë sa një fletë normale A4, por duhet të tregohesh sa më i përpiktë dhe të mos zgjatesh në ato çfarë shkruan. Kjo është arsyeja pse i kushtojmë vëmendje një letre të tillë, pasi ndonjëherë bëhet vendimtare në përzgjedhjen e aplikantëve nga ana e punëdhënësve.

1. Letra e motivimit ka format zyrtar.

Është letër formale, ndaj duhet të ruani seriozitetin në atë çfarë shkruani. Letra e motivimit ka një strukturë fikse. Në krye bëni mirë të shkruani pak nga gjeneralitetet tuaja (emër, mbiemër, moshë, email, numër kontakti) dhe në anën tjetër personin apo departamentin, të cilit ia drejtoni letrën tuaj (në shumë raste mund të jenë burimet njerëzore të një kompanie, ndaj bëni mirë të shkruani dhe emailin apo numrin e tyre të kontaktit). Më poshtë, letra fillon me fjalët zyrtare, njësoj sikur të ishte një letër formale.

2. Tregohuni të saktë dhe të shkurtër.

Ndërsa përshkruani veten, eksperiencat e punëve të kaluara, apo arsyet pse ju mendoni se keni prioritet për t’u përzgjedhur në një vend të caktuar pune, tregohuni të saktë dhe shkruani shkurt. Mos u shprehni gjatë, pasi edhe lexuesi, në këtë rast punëdhënësi, lodhet dhe humbni pikë në vlerësimin tuaj. Është mirë të përdorni paksa shaka, pa e tepruar, teksa argumentoni pse ju duhet të zgjidheni në atë vend pune. Kjo e bën leximin e letrës së motivimit edhe më argëtues.

3.Mos e mburrni veten.

Sado që mendoni se keni përparësi në një vend të caktuar pune (mund të keni shumë eksperiencë, të dini mjaft gjuhë të huaja), është e mira që thjesht t’i përmendni. Mos u kapni pas tyre duke dhënë detaje, pasi kuptohet që dëshironi t’i theksoni për të rënë në sy. Në këtë mënyrë ju mundoheni të tregoni se keni prioritet, duke ulur në mënyrë indirekte të tjerët, gjë që nuk është aspak e mirë. Pra, shko përtej një CV-je të thjeshtë, pasi eksperiencat duhen theksuar në CV, jo në letrën e motivimit. Thjeshtësia dallohet edhe në mënyrën e të shkruarit.

4. Kini besim teksa e shkruani letrën e motivimit.

Edhe nëse ndjeni se mund të mos përzgjidheni, pasi mund të ketë aplikantë që ju i njihni me më tepër prioritet nga ju, përsëri tregohuni të sjellshëm deri në fund të letrës së motivimit. Nuk i dihet asnjëherë. Mundet t’ju përzgjedhin ju. Mund t’i dukeni ju më interesantë në intervistën që pason fazën e aplikimit dhe t’ju përzgjedhin, ndaj thjesht për faktin se keni shpenzuar kohë në shkrimin e letrës së motivimit, përfundojeni atë me sukses dhe në mënyrën e duhur.

5. Mbylleni letrën me falenderime të sinqerta.

Sikurse e përmendëm edhe në pikën 1, letra e motivimit ka një strukturë fikse. Fundi i saj duhet të jetë njësoj si i një letre zyrtare, pra të shprehni falenderime, t’i uroni shëndet, apo t’i uroni punë të mbarë personit/ave që do e lexojnë letrën tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat