Ke dëgjuar për sindromin e zemrës “së thyer”? A mund të jetë e dëmshme?

Life style

Ke dëgjuar për sindromin e zemrës “së thyer”? A mund të jetë e dëmshme?

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 10:32
Foto ilustrim

A ke dëgjuar ndonjëherë për sindromin e zemrës “së thyer” (Broken heart syndrome)? Ky sindrom duket si një atak kardiak, por nuk është i tillë. Zemra vuan për oksigjen, por jo për shkak të bllokimit kronik nga yndyrat të enëve të gjakut të zemrës, por për shkak të stresit akut, i cili ngushton këto enë. Ky stresor akut mund të jetë fizik ose emocional.

Ndonjëherë sindromi i zemrës së thyer mund të vijë si rezultat i një sëmundjeje të caktuar (tireotoksikozës, ose feokromacitomës), por në shumicën e rasteve vjen si pasojë e stresit emocional. Seksi më i prekur është ai femër me rreth 85%, krahasuar me seksin mashkull (15%). Në botë, hasen rreth 2% e rasteve me atak kardiak si sindrom Takotsubo. Fataliteti është i ulët, vetëm në 1% të rasteve dëmtimet mund të jenë tepër të mëdha, deri në fatale, pasi është sindrom i përkohshëm me rekuperim të shpejtë.

Por çfarë është ky sindrom?

Njihet në gjuhën mjekësore si Takotsubo (nga japonishtja), ose kardiomiopati e stresit. Për fat të mirë është një gjendje e përkohshme dhe e rikthyeshme. Ky sindrom i ngjan një ataku kardiak dhe imiton gjithë shenjat klinike të një infarkti. Pra, dhimbje e fortë gjoksi, shpesh e shoqëruar me mbajtje fryme dhe ndjesi aritmie. Në disa raste mund të haset edhe tensioni i ulët arterial, lodhje trupore, nauze dhe të vjella.

Cili është shkaku?

Siç edhe e përmendëm më sipër, shkaku kryesor është stresi emocional i fuqishëm. Mund të jetë ndarja nga partneri, humbja e vendit të punës, një tragjedi familjare etj. Në raste të rralla, stresi mund të jetë fizik, pra nga probleme me shëndetin fizik, si psh kur personi vuan nga astma bronkiale, hemorragjia cerebrale, i nënshtrohet kirurgjive të ndryshme etj.

Si ndodh sindromi i zemrës së thyer?

Stresi fizik ose emocional bën që në gjak të çlirohen me shumicë adrenalinë dhe noradrenalinë, hormone që çlirohen në gjendje paniku. Këto hormone bëjnë që të ngushtohen enët e gjakut që furnizojnë muskulin e zemrës me gjak. Ngushtimi bëhet aq i madh, saqë enët mund të mbyllen për pak kohë plotësisht dhe ajo pjesë poshtë ngushtimit të përjetojë shenjat e një infarkti. Për fat të mirë, këto shenja janë të rikthyeshme, pasi njësoj siç ngushtohen, enët rihapen në momentin që hormonet ulen në qarkullim dhe rifillon shpërndarja normale e gjakut në zemër. Shenjat e infarktit që mund të duken në fazën akute në një eko zemre, përgjithësisht reduktohen me kohën (koha mesatare në studime të shumta është 2-3 muaj pas ngjarjes kryesore).

Cili është trajtimi?

Trajtimi i këtij sindromi nuk është proces tepër kompleks. Përgjithësisht është simptomatik. Në varësi të simptomave klinike të pacientit, përcaktohet terapia. Duhet pasur parasysh që në disa raste mund të shtohet edhe ndonjë medikament për trajtimin e ankthit, pasi është baza e gjithë këtij sindromi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat