Punonjësit janë më të palumtur se në pandemi, pse po ndodh kjo?

Life style

Punonjësit janë më të palumtur se në pandemi, pse po ndodh kjo?

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Punonjësit janë më të palumtur tani se në pikun e pandemisë. Këto janë rezultatet që kanë dalë nga një studimi i ri nga BambooHR, i cili zbuloi se kënaqësia në punë ka pësuar një rënie të vazhdueshme që nga viti 2020 dhe ka marrë një rënie edhe më të madhe këtë vit.

Platforma e softuerit të burimeve njerëzore ka analizuar të dhënat nga afro 60,000 punonjës në mbi 1,600 kompani në të gjithë globin midis janarit 2020 dhe qershorit 2023.

“Punonjësit nuk po përjetojnë ngritje apo ulje – përkundrazi, ata po shprehin një ndjenjë dorëheqjeje apo edhe apatie”, thekson raporti. "Shumica thjesht pranojnë se morali i punës po bie”, thekson tutje raporti.

Derisa është e vërtetë që më shumë kompani i kanë dhënë rëndësinë balancit punë-jetë në vazhdën e pandemisë dhe kanë zbatuar politika - si kohë të zgjatur pushimi, opsioni për të punuar në distancë - për të ndihmuar punëtorët ta arrijnë këtë, megjithatë shumë punonjës shprehen të pikëlluar.

Pse kaq shumë njerëz janë të pakënaqur në punë?

Hulumtimet tregojnë se shkaku më i madh i pakënaqësisë në punë është trajtimi i padrejtë në punë: kompensimi i paqëndrueshëm, mungesa e mbështetjes nga bashkëpunëtorët dhe shefat ose ngarkesat e paarsyeshme të punës, për të përmendur disa shembuj.

“Ankesa më e zakonshme që dëgjoj është humbja e kontrollit”, thotë Srikumar Rao, autori i “Lumturia në punë”, për CNBC Make It. “Pandemia na tregoi, në një nivel shumë të brendshëm, se sa pak kontroll kemi mbi jetën dhe karrierën tonë… është e vështirë të bësh paqe me atë lloj realizmi”, shprehet tutje ai.

Inflacioni, pushimet e shumta nga puna dhe pasiguria mbi politikat e kthimit në zyrë janë të gjitha shqetësuese për punonjësit dhe krijojnë një "ndjenjë të thellë shqetësimi" në vendet e punës, thekson Jenn Lim, CEO e konsulencës organizative "Delivering Happiness".

Në fillim të vitit 2023, afërsisht tre të katërtat e të rriturve thanë se ndjeheshin të shqetësuar për ekonominë, ndërsa gati gjysma ishin të shqetësuar për të pasur ekuilibër të dobët punë-jetë, sipas një sondazhi të Harris Poll/Fast Company që ka përfshirë më shumë se 1000 të rritur.

Një tjetër faktor që shkakton pakënaqësinë e punonjësve është mungesa e kuptimit që njerëzit ndiejnë në pozitat e tyre, thotë Emily Liou, një trajnere e lumturisë në karrierë dhe ish-rekrutere.

"Ka pasur një ndryshim të vërtetë në mënyrën se si njerëzit i shikojnë karrierën e tyre falë pandemisë dhe 'dorëheqjes së madhe’. Unë nuk dëgjoj aq shumë njerëz që thonë 'Dua të fitoj më shumë para' ose 'Dua të ngjit shkallët e korporatës'. Tani, është 'Dua të ndihem më i lidhur me punën time' dhe 'Dua të jem' i emocionuar për atë që po bëj”, shprehet tutje Liou.

Hulumtimi i ri i Gallup tregon se punonjësit që punojnë në distancë ndihen gjithnjë e më të shkëputur nga misioni dhe qëllimi i vendeve të tyre të punës. Mungesa e një misioni dhe qëllimi të përbashkët mund të jetë e dëmshme për lumturinë dhe performancën e përgjithshme të punonjësve.

Sipas psikologut të Wharton, Adam Grant, punonjësit që kuptojnë se puna e tyre ka një ndikim domethënës dhe pozitiv te të tjerët nuk janë thjesht më të lumtur se ata që nuk e kuptojnë; ata janë gjithashtu më produktivë.

Të bësh punonjës të lumtur iu shpërblehet

Përqendrimi në angazhimin dhe kënaqësinë e punonjësve nuk është i rëndësishëm vetëm për shëndetin mendor në vendin e punës – ai gjithashtu mund të ndikojë shumë në imazhin e një kompanie. Gallup zbuloi se bizneset me punëtorë të angazhuar kanë fitime më të larta krahasuar me kompanitë që kanë të angazhuar punëtorë të pakënaqur, ndër përfitimet e tjera.

Në fakt, raporton Gallup, mosangazhimi i punonjësve i kushton botës 8.8 trilion dollarë në produktivitet të humbur, e barabartë me 9% të PBB-së globale.

Por lajmet nuk janë të gjitha të këqija për shefat. Nuk duhet shumë për të motivuar një punonjës të pakënaqur, thotë Lim.

“E gjitha ka të bëjë me krijimin e një mjedisi të përkatësisë, dëgjimit dhe të kuptuarit,” thotë ajo. "Ju nuk keni nevojë të rregulloni problemet e të gjithëve brenda një dite - madje edhe synimi për të pasur një bisedë kuptimplotë ose check-in me njerëzit që menaxhoni, një herë në javë, mund të bëjë një ndryshim të madh”, thekson tutje ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat