Pranoni realitetin dhe do të jeni më të lumtur!

Life style

Pranoni realitetin dhe do të jeni më të lumtur!

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 16:45
Foto ilustrim

Ditët tona shëmtohen nga pakënaqësitë që nxjerrim, një vazhdimësi e mërzitshme. Çdo ditë e më shumë shtohen zërat që na kumbojnë në vesh aspak për mirë. Njerëzit gjejnë arsye për atë që nuk shkon me jetën e tyre shoqërore, profesionale, jetike. Ata gjejnë dhe fajtorin i cili dihet, medoemos të mbajë fajin mbi vete edhe pse mund të mos e ketë fare hak këtë barrë.

Ka shumë vërejtje, e argumente të panumërta se nuk është e drejtë t’u ndodhë kjo gjë atyre sepse nuk e meritojnë. Shohin në këtë realitet vetëm papërsosmëritë dhe acarohen pse gjërat nuk janë aty ku duhet të jenë sipas tyre. Këtë e ndeshim në ndarjen e ambienteve të përbashkëta me gjithkënd, qoftë me fqinjin në pallat, me kolegët në vendin e punës, mes miqsh të vjetër në një tavolinë kafeje apo edhe më gjerë se kaq. Ka të bëjë me fajësimin e cilësisë së jetës që bëjmë për shkak të rritjes së çmimeve, cilësisë së ushqimeve që konsumojnë, problemet me arsimin, shëndetësinë, drejtësinë e me radhë. Dikush ngre zërin, një tjetër zgjedh të heshtë në pamundësi, dikush tjetër bën indiferentin… Një gjendje vërtetë trishtuese.

Por sa ndikon të parit gjatë të gjithë kohës me sy kritik të realitetit? Sa ndikojnë emocionet negative në bllokimin e jetës? Sa kemi ne në dorë ta ndryshojmë këtë rrjedhë në marrëdhënie me veten dhe të tjerët? Pasiguria, frika dhe ankthi shkaktojnë konfuzion në mendjen tonë. Ato na pengojnë në gjetjen e zgjidhjeve. Penalizimi na shoqëron në jetën sociale dhe profesionale duke na bërë ta shohim realitetin më të errët. Emocionet negative shkatërrojnë aftësinë tonë për të menduar në mënyrë të qartë dhe të arsyeshme. Mendimi se kemi gjithmonë të drejtë, e ndan kohën hipotetike nga realiteti.

Por, në vend që të merremi me mendimet tona negative, a nuk do të ishte më mirë t’i jepnim fuqi për zgjidhje ideve që na shqetësojnë?! Ajo që ndodh rreth nesh është e vërtetë, nuk mund ta mohojmë ekzistencën e saj. Ashtu siç ndodh me ligjet e natyrës, stinët, fenomenet, ashtu vjen dhe jeta tek njeriu. Njëherë e trazuar, një herë e qetë, një herë neutrale e një herë e lumtur. Mendimet janë produkt i kohës, dhe përkojnë me realitetin. Por nëse do t’i shihnim vetëm anën negative gjërave, atëherë cili do të ishte mësimi që do të merrnim? Ne nuk mund t’i bllokojmë mendimet tona, por mund t’i dëgjojmë me vetëdije, pa frikë dhe pa i gjykuar tek e fundit. Prej përplasjes së tyre zhvillojmë zgjidhjet.

Nëse i refuzojmë zërat tanë të vegjël, ata bëhen më të fortë, më të egër dhe më të bezdisshëm njëkohësisht. Sepse nuk kanë ndërmend të ndalojnë asnjëherë. Ndërsa ne do të ndiheshim më të pafuqishëm, të frustruar, të trishtuar, madje do të provonim ankth, gjëmim koke dhe shumë stres. Duke u fokusuar tek problemet, fatkeqësitë apo sëmundjet tona, do të tërhiqnim probleme të tjera! Kur në fakt duhet të bëjmë të kundërtën, t’i frenojmë ato. Shkenca e psikologjisë thotë se nëse doni të ndiheni mirë, nuk keni pse të mendoni për gjëra të këqija apo të trishtueshme dhe duhet të ndaloni së ankuari ose ta bëni sa më pak! Ankesa ju bën të vuani më shumë dhe jo të përmirësoheni.

Pranimi i realitetit do t’ju bëjë më të lumtur. Kjo duke nisur me kontrollin e mendimeve tuaja. Realiteti është ai që është. Ta pranosh atë do të thotë që ju duhet të ndaloni debatin me veten dhe të tjerët. Dhe vetëm kështu jeta bëhet më e lehtë dhe tek e fundit më e jetueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat