A jemi të lirë realisht për të qenë vetvetja?

Life style

A jemi të lirë realisht për të qenë vetvetja?

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 08:20
Foto ilustrim

Ju ula pranë në stol, dhe pyeta: “Pse je këtu?”

Ajo më vështroi me një vështrim të çuditur, dhe tha: “Është një pyetje disi jo diskrete, por gjithsesi do të të përgjigjem. Babai im donte të më bënte një kopje të përsosur të vetvetes, po ashtu edhe xhaxhai im. Nëna ime donte që unë të isha imazhi i nënës së saj ose të motrës sime. Vëllai im insistonte vazhdimisht të isha gruaja “e nënshtruar dhe shtëpiake” dhe më ftonte të ndiqia shembullin.

Gjithashtu, mësuesit e mi, profesori i filozofisë, mësuesi i muzikës dhe profesori i logjikës, ishin të gjithë shumë të vendosur: secili prei tyre nuk donte asgjë tjetër veçse të isha pasqyrimi i tyre…. Prandaj kam këtu. Më duket më e shëndetshme këtu. Këtu mund të jem vetvetja, të paktën.”

Shkruar nga poetja italiane Alda Merini, gjatë kohës kur ishte e shtruar në një institution të shëndetit mendor. 

Çfarë ndodh me një individ, i cili përpiqet të kënaqë kërkesat e familjes dhe të shoqërisë?

Ende shoqëria imponon shembuj apo modele për t’u ndjekur. Nuk janë haptas në mënyrë të dhunshme si dikur, por më të kamufluara, dhe madje më çoroditësë.

Nëse dikur njerëzit e dinin së çfarë donin, dhe shikonin qartë pengesat, tani është më e ndërlikuar, pasi edhe ajo që të ofrohet mund të jetë një pengesë e potencialit real ose humbje e kohës dhe vetvetes.

Shkaqet sociale ndikojnë tek individi, duke e çuar drejt çrregullimeve të ndryshme psikologjike. Kultura që trashëgohet prej familjes ose origjinës, dhe kultura ku rritesh e zhvillohesh ose përballesh  më vonë, mendoj se e bën akoma më komplekse situatën e një individi nëse nuk menaxhohet siç duhet ose terreni nuk është fleksibël.

Por gjithashtu të ndihmon të kuptosh gjendjen emocionale se si ndryshon dhe pse ndryshon në atë mënyrë një individ. Ndaj antropologjia më ka tërhequr gjithmonë, pasi kërkon shkaqet sociale si për fenomenet shoqërore ashtu edhe për ato individuale. Është terreni që duhet kërkuar më shumë drejt gjetjes së përcaktuesve individualë dhe impaktit të pashmangshëm.

E thënë ndryshe, ajo që është “normale” si rol- model në një shoqëri, në një tjetër shoqëri konsiderohet me të drejtë krejtësisht e dëmshme dhe anormale.

Presioni që ndjen individi përpara zgjedhjeve që prezantohen si të duhurat, e vendos atë shpesh në dilemë, por tregon gjithashtu edhe për problemet që pasojnë si pasojë e mendësisë që kemi brendësuar nga kultura jonë.

Edhe Paulo Coelho është dërguar në psikiatri nga prindërit e tij kur ishte i ri, për arsyen e të mos kuptuarit, ndërkohë që brenda tij ishte një talent i madh si shkrimtar.

Kur të imponohen modele apo krahasime të panevojshme, të cilat në thelb kërkojnë thjesht imitimin e tyre, kjo më ngjan me një tavolinë të mbushur plot me ushqime, ku të ndjerit “i detyruar” për t’i provuar të gjitha, sigurisht që nuk të rezulton me diçka të shëndetshme, por në nevojën për detoksifikim…

Faktorë të ndryshëm si: shkaqet sociale, shkaqet ekonomike, koha dhe vendi ku ndodhesh, kultura që trashëgon dhe kultura ku përballesh më pas, ndikojnë realisht në potencialin e një individi dhe në atë që ai bëhet.

Natyrshëm më lind pyetja:

“A jemi të lirë realisht në zgjedhjet tona?”

Bëhet kaq shumë përpjekje që të të bëjnë të ecësh me turmën e të jesh t nënshtruar e të ndjekësh të gjitha mendësitë që të paraqiten madje të të bëjnë të ndihesh i detyruar.

Bëhet kaq shumë përpjekje të jesh një kopje që bindet me sy mbyllur.

Kjo bëhet nëpërmjet paragjykimit, bullizmit ose neglizhencës, injorimit ose përpjekjeve për të ulur tjetrin, ose kritikave që synojnë demoralizimin, ose imponimi i modeleve dhe krahasimet me tjetrin.

Pastaj, në fund, eh në fund, adhurojnë ata që ishin vetvetja. Është kaq shumë kontradiktore.

Secili kërkon të ndjekësh mendimin e tij, edhe pse kjo mund të injorojë qartazi të drejtat e tjetrit.

Askush nuk të pëlqen kur ke vendosur kufij, të cilët bazohen mbi të qenët korrekt.

Të jesh korrekt do të thotë që nuk abuzon me tjetrin në asnjë lloj forme, si verbale, psikologjike po ashtu dhe fizike.

Manipulatorët nuk i pëlqejnë kufijtë, dhe janë njerëz që i thyejnë brutalisht kufijtë të tjerëve duke mos ndier asnjë pendesë në ndërgjegjen e tyre. Madje është paradoksale mënyra se si mund t’ju etiketojnë si diçka që shkon gabim me ju.

Pra, njerëzit që kanë guximin të thyejnë pritshmëritë e të tjerëve do të piketohen si njerëz problematikë, pasi sjellin standarte të tjerë të mendësisë.

Pra është “gabim” kur nuk përshtateni si plastelina, pavarësisht se kjo bie ndesh me të qenët unik si  individ, dhe me kodet etike universale.

Në përpjekje për të qenë “i rregullt” me parregullsitë që ndeshesh, është mënyra më e mirë se si projektohen njerëzit që të humbasin vetveten dhe të jenë thjesht një numër që frymon mes turmës.

Përshtatja si plastelinë me oreksin e çdokujt konsiderohet si normale në botën e tregut që nuk njeh ndjeshmëri njerëzore.

Përfundimet justifikojnë mjetet: Ky parim i diskutueshëm dhe i keqpërdorur shpesh, i lidhur me Makiavelin që sugjeron se suksesi ose përfitimi që merr nga një veprim mund të tejkalojë çdo shqetësim etik, në të cilin dominion paqartësia morale dhe merr rëndësi pragmatizmi dhe përfitimi i dëshiruar.

Mungesa e etikës është mungesë dretjësie që i hap rrugën gjërave të shëmtuara, të cilat justifikohen më pas lehtësisht. Por më e keqja është se i faturohen pasojat të dëmtuarit si një dështim i tij.

Për sa kohë veprimet, reagimet ose zgjedhjet e dikujt, nuk cënojnë aspak të drejtat e tjetrit, atëherë çdo përpjekje që ju detyron të ndiqni një model, në opinionin tim konsiderohet vërtetë brutale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat