Isha betuar se nuk doja as burrë, as fëmijë, por tani i kam të dyja

Life style

Isha betuar se nuk doja as burrë, as fëmijë, por tani i kam të dyja

Më: 4 prill 2024 Në ora: 19:40
Ilustrim

Në 37-vitet e mia, vitet kaotike do të thosha, sepse kam ndërruar punë, vend, miq, hobi, të gjitha përveç deklaratës: ‘Nuk do të bëhem kurrë nënë dhe gruaja e dikujt’.

Brenda dy vitesh, nga një takim i rastësishëm me Julius, një pilot gjerman, gjashtë vjet më i ri se unë, u martuam dhe u bëmë me fëmijë. Megjithatë, dua të theksoj se ende nuk kam ndonjë tërheqje për foshnjat e tjera kur i shoh, as për dasmat.

Niveli i martesave në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë. Edhe pjelloria ka rënë për më shumë se gjysmë shekulli.


Pse?

Çfarë kuptimi ka të martohesh kur gati gjysma e martesave përfundojnë në divorc? Gjithashtu, e keni parë se sa e shtrenjtë është të kesh fëmijë këto ditë? Shumica e nënave në punë, pas lindjes së fëmijës e vazhdojnë punën, jo se dëshirojnë ta bëjnë, por se nuk kanë mundësi tjetër.

Më e keqja është se pjesa më e madhe e pagës, shkon për kujdesin ndaj fëmijëve. Kjo gjë më dukej gjithmonë qesharake. Ka ikur koha e familjeve me një burim të ardhurash, hipotekave të menaxhueshme dhe nënave që rrisin fëmijët në fshatra.

Gjithçka shihja, ishin dy prindër që punonin në dy karriera që nuk u interesonin, vetëm për të përballuar tarifat e qirasë dhe çerdheve. Jo, faleminderit!

Ende nuk i kushtoj peshë martesës. Unë me Julius u martuam tre muaj më parë vetëm për arsye burokratike dhe na u desh të riorganizonim në mënyrë drastike strukturën e shtëpisë sonë për ta rritur djalin ashtu siç donim. Ja pra, unë jam një nënë e martuar shumë e lumtur dhe e pranoj që kam gabuar kur thashë se nuk e kam dashur kurrë këtë.

Nuk kam qenë gjithmonë kaq pesimiste. Edhe unë si shumica e vajzave, ëndërroja të kisha një familje. Dikur shkruaja në një bllok se si e doja jetën, e mbushja me fotografi nga katalogët e Bodenit dhe broshurat e Knight Frank: një baba i pashëm me kostum që lexonte gazetën dhe një nënë me një unazë fejese Tiffany, që përkëdhel foshnjat me kordele, dhe një Golden Retriever dhe një mace Birman.

Kjo fantazi e humbi shkëlqimin kur babai im emigroi dhe nëna që rrinte në shtëpi, nisi të punonte dhe mbante familjen. Nga një shtëpi e madhe kaluam në një shtëpi më të vogël. Gjërat u përkeqësuan kur unë dhe im vëlla kaluam trazirat e adoleshencës dhe u përballëm me probleme të shëndetit mendor. Një varg marrëdhëniesh të tmerrshme pasuan në të 20-at e mia dhe kur u bëra 30 vjeçe, isha e bindur se historitë e librave nuk ishin gjë tjetër veçse broçkulla.

Jeta ime mori kthesë kur u diagnostikova me ADHD, të nivelit të lartë, në moshën 31-vjeçare dhe mora mjekim. Në mes të errësirës, arrita të gjeja rrugën time.

Më pas erdhi Julius. Ai nuk ishte tipi im dhe as unë tipi tij. Ish-ët e mi kanë qenë të vrenjtur, flokëzinj dhe të paktën një dekadë më të mëdhenj sesa unë, ndërsa ai ishte solar, sportiv dhe ende s’kishte mbushur 30 vjeç. U takuam në Santorini në momentin më të papërshtatshëm, pikërisht kur kufijtë ishin gati të mbylleshin prej pandemisë. Sidoqoftë, për çfarëdo arsye, funksionoi. Në fund të Covid-it, erdhi djali ynë Jasper, të cilin ne nuk e dinim se e dëshironim derisa u ngjiz, dhe jo sa shumë derisa lindi.

U duk sikur erdhi koha të ktheja kohën te shënimet e fëmijërisë. Pak rëndësi që Julius nuk i pëlqente gazetat dhe unë nuk kisha një unazë Tiffany, por vazhdoja të mos doja të përfundoja në një pallat, duke punuar që të rris fëmijën tim. Edhe pse e doja punën time, vendosa të punoja e pavarur dhe na u desh të lëviznim për të krijuar jetën që donim.

Tani jetojmë në Mauritius, ku mund të përballojmë qiranë e një vile me pishinë dhe kopsht të madh, pastruesen dhe dadon për katër orë gjatë javës. Julius është pilot, ndërsa unë punoj nga shtëpia me kohë të pjesshme. Jemi larg dhe na mungon njëri-tjetri, por sakrificat ia vlejnë.

Dje gatova biskota për Jasper, 19 muajsh tani, në formën e yjeve. Më vonë do të marrim një Golden Retriever.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat