Letra e hapur e një gruaje për bashkëshortin «Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, dua të largohem.»

Life style

Letra e hapur e një gruaje për bashkëshortin «Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, dua të largohem.»

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 22:45
Ilustrim

Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, dua të largohem.
(Do të kthehem përsëri, të premtoj!)

Sepse ka qenë një ditë e vështirë. Një ditë e lodhshme nga ana mendore, fizike, emocionale duke u marrë me fëmijët, me shtëpinë, me punën.

Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, dua të vij në krahët tu dhe të qaj. Sepse ndihem sikur po dështoj. Sikur gjithçka që më rrethon është më shumë nga ç’mund të përballoj unë. Jam e tronditur. Kam nevojë që ti të më thuash se nuk do të dështoj, se jeta është e bukur dhe ia vlen ta jetojmë dhe unë jam nënë shumë e mirë.

Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, dua të qëndroj me ty, në hapësirën time të sigurt për pjesën e mbetur të ditës.
Sepse ndihem sikur kam bërë gjithçka për sot. Nuk jam më në gjendje të ndërroj sërish pelenat e fëmijëve, të plotësoj një kërkesë tjetër, të zihem sërish për një lodër.

Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, kam dëshirë që të provosh gjithçka që kam bërë unë sot.
Dua të nxjerr në pah faktin se ato që duken sikur s’kam bërë asgjë, në fakt janë shumë. Kam larë enët, kam pastruar, kam larë rrobat. Kam nevojë të kuptosh se unë po përpiqem dhe t’i pranosh përpjekjet e mia edhe atëherë kur ngjajnë si të padukshme.

Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, dua të shkoj qetësisht në dhomën time, ndërsa ti sakrifikon dushin dhe gjumin, për të larë enët.
Sepse unë sot nuk kam pasur aspak kohë për veten time. Fare! Të dy fëmijët kishin nevojë për shumë gjëra, më shumë ujë, një bluzë të re sepse e vjetra ishte lagur, një fustan me princeshë tjetër, më shumë ushqime, veshjen e këpucëve etj. Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, dua të futem në dush dhe të qëndroj gjatë atje. Kam nevojë të shijoj ndjesinë e pastërtisë. Sepse sot, si shumë herë të tjera isha e zënë dhe nuk bëra dush. Kujdesi për veten është gjithmonë gjëja e fundit në listën time.

Ndonjëherë, kur ti del nga dera e shtëpisë, dua të ndal çdo zhurmë dhe të rri në qetësi.
Nuk kam dëshirë të bisedoj. Kam dëgjuar gjithë ditën “Mami, mami, mami, më duhet kjo, më duhet ajo”.
Dashuria ime

Ti punon shumë për ne. Je një baba i mahnitshëm. Një njeri i mrekullueshëm. Ti ikën për në punë përpara se ne të zgjohemi nga gjumi. Udhëton 3 orë në ditë për në punë dhe na mungon shumë gjatë ditës. Bën shumë takime dhe truri yt punon në çdo moment. Shqetësohesh për buxhetin tonë, paguan taksat, flak plehërat. Vjen në shtëpi i lodhur.

E di që ke punuar shumë, ashtu si dhe unë, sepse ne jemi një ekip që sakrifikojmë dhe punojmë së bashku. Ti je gjithmonë aty për mua. Ti gjithmonë përpiqesh. Dhe unë gjithashtu. Sepse askush nuk na premtoi se këto që përmenda do të ishin të lehta, por ama ia vlejnë.

Pra, më shumë se gjithçka tjetër, ajo që dua të them kur del nga shtëpia është “Faleminderit”.
Faleminderit për krijimin e kësaj familjeje, kësaj jete, me mua. Faleminderit që me të vërtetë je me mua në çdo moment. Nuk ka asnjë tjetër që do të doja të ndërtoja gjithë këtë që kam, përveçse me ty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat