Të përcjellësh personin që do më shumë në botën tjetër…

Life style

Të përcjellësh personin që do më shumë në botën tjetër…

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 18:23
Foto ilustrim

Ne kishim 52 vjet bashkë, por që kurrë nuk arritëm të kishim fëmijë. Kjo ishte një nga plagët më të mëdha që pikonte përherë gjak në shpirtin e saj. Pavarësisht kësaj, unë e doja po njësoj. Unë e doja për shpirtin e saj të madh. Ajo nuk i bënte keq askujt, por ishte aty për të ndihmuar çdo person në vështirësi. Nëse kalonim në rrugët e kryeqytetit dhe shihnim dikë të lypte, ajo do të ndalej dhe do t’i jepte ndonjë monedhë. I thoja shpesh se ata edhe mashtronin për të përfituar nga bujaria e kalimtarëve, por ma mbyllte gojën duke më thënë se do hante një vakt më pak gjatë ditës së nesërme, vetëm për t’i ndihmuar ata në nevojë.

Kështu ishte jeta ime me të, një jetë e mbushur me mirësi, lumturi dhe dashuri. Ndoshta ndonjëherë në rininë tonë e ndjenim mungesën e një fëmije, kur shihnim çiftet e tjerë me fëmijët e tyre në duar, por me kalimin e kohës u bindëm se diçka e tillë nuk do të ndodhte dhe u mësuam me atë realitet.

Vitet kaluan pa kuptuar. Nuk ka gjë më të sigurt se kjo. Koha me një person që do, kalon shumë shpejt. Duket sikur avullon. Shumë shpejt të dy e gjetëm veten të thinjur, plot rrudha dhe pa dhëmbë në gojë. Por sado të ndryshosh, sado të ndryshojë personi tjetër, një njeri që e ke dashur vërtet, ke për ta dashur gjithmonë. Unë e doja njësoj si në momentin që u dashurova me të dhe i shpreha ndjenjat e mia në moshën 24 vjeçare. Po aq e doja edhe dy vjet më parë, kur atë e kishte mundur sëmundja dhe nuk kishte më shpëtim.

Lajmi i hidhur erdhi pra, dy vjet më parë. Ajo vuante nga sëmundja e Alzhaimerit. Ishte një sëmundje që dita-ditës e dëmtonte kujtesën dhe personi që e vuante, dita-ditës harronte më shumë fakte nga jeta e tij. Nëse të diagnostikoheshe në moshën 60-vjeçare me një sëmundje të tillë, mundësia për të jetuar ishte diku tek tetë vjet, mbi moshën 70 vjeçare si bashkëshortja ime, ishte shumë herë më e ulët. Këtë më tha edhe mjeku që më mori në zyrën e tij, pas vizitës në spital. Unë e kisha vënë re që ajo harronte shpesh, por më së shumti fajësoja moshën për këtë gjë. Një mëngjes ajo as që më njohu dhe m’u desh ta bindja të shkonim në spital. Aty mora lajmin e hidhur…

Në dy vjetët e fundit rutina ime ishte e njëjtë. Duhet të zgjohesha, të përgatisja mëngjesin dhe t’i prezantoja asaj veten time, se si ishim njohur dhe se sa shumë duheshim. Pas diçkaje të tillë, i shihja një buzëqeshje në fytyrë dhe fillonte të hante. Kjo më jepte jetë. Ajo ndoshta më kishte harruar si pasojë e sëmundjes, por kurrsesi nuk mund ta harronte se sa ishim dashur ne!

Në çdo mbrëmje i lexoja romanet e saj të preferuar. Duhej që çdo ditë t’i bëja përmbledhje të ngjarjeve të shkuara që ajo të kuptonte disi. Ishte një situatë e vështirë edhe për mua. Unë e doja, por edhe i trembesha faktit se ndonjë ditë ajo mund të zgjohej dhe të bënte diçka kundër meje, duke më menduar si një person të huaj.

E kështu kaluan edhe ditët e këtyre dy vjetëve. Në muajin e fundit, në prill, ajo as që u çua nga shtrati. Nuk fliste fare. Edhe të ngrënin e ndërpreu. Unë mendoja se sa e çuditshme ishte jeta. Disa vite më parë ne ishim të rinj, të dashuruar çmendurisht me njëri- tjetrin, kurse tani ishim plakur dhe jeta tallej me ne. Atë e kishte rrënuar në një gjendje që as njihte të tjerët dhe as të tjerët e njihnin atë.

Por të paktën, ajo ekzistonte. E vetmja gjë që nuk kam dashur në jetë, është të largohen nga jeta personat e mi të dashur përpara meje. Kjo do të thoshte të mbylleshin arkivolet e tyre përpara syve të mi dhe mos t’i shihja më kurrë në jetë. Dhe kjo gjë ndodhi me atë që unë doja më shumë. E pashë për herë të fundit, ashtu të rrënuar nga jeta, me sytë të mbyllur e pa marrë frymë. Pashë të mbyllnin arkivolin e ta transportonim për në varreza. Ishin minutat më të dhimbshme për mua. Edhe rënia e tensionit nuk më bëri të mos ndieja dhimbje të tmerrshme në ato momente.

Gjithë jeta, gjithë kujtimet, gjithçka që kishte të bënte me ne, u mbyll në atë ditë të lagësht maji. Tani unë e kujtoj, por nuk është njësoj. Në një çift, kujtimet dhe dashuria duhen mbajtur, ashtu, nga të dy personat. Kur njëra pjesë e zemrës thyhet, pjesa tjetër përpiqet vetëm të përballojë dhimbjen, ndonjëherë në kurriz edhe të harresës së kujtimeve…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat