Përkujdesuni për macen e rritur

Life style

Përkujdesuni për macen e rritur

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 18:19
Ilustrim

Të pasurit dhe të përkujdesurit ndaj maces së shtëpisë, nuk ka pse të jetë një eksperiencë e stërmundimshme. Përmes pak njohurive, ndjekjes së këshillave të veterinerit tuaj dhe aplikimit të disa përkujdesjeve të veçanta, mund të bëjë që ju të keni një kafshë të shëndetshme për shumë vite.

Megjithëse macja mund të duket sikur vepron në mënyrë të pavarur dhe është e mësuar me kutinë e defekimit, ajo është e varur nga ju. Ju i siguroni ushqimin, ujin, vendin për të qëndruar, shërbimin veterinar, shoqërinë dhe shumë të tjera.

1. Mbajeni macen brenda shtëpisë. Mbajtja e maces gjatë gjithë kohës në shtëpi, është zgjedhja më e mirë për ju, për komunitetin dhe për vetë kafshën.

2. Sterilizoni/ kastroni macen tuaj. Kjo i mban ato të shëndetshme dhe redukton shumë problemet lidhur me sjelljen në kohën e riprodhimit.

3. Jepini maces suaj një dietë të balancuar dhe ujë të freskët. Në konsideratë duhet të merret dhe këshillimi tek veterineri juaj, në varësi të gjendjes shëndetësore të kafshës.

4. Mësojeni macen tuaj të evitojë sjellje të pakëndshme, si gërvishtja e mobilieve ose kërcimet nëpër shtëpi. Trajnimi i tyre kërkon pak durim dhe mirëkuptim.

5. Kriheni macen tuaj shpesh, për ta mbajtur lëkurën e saj të shëndetshme, të butë dhe të shkëlqyeshme. Megjithëse është shumë e rëndësishme për macet qimegjata, krehja duket të jetë e rëndësishme edhe për macet qimeshkurtra, për të hequr sa më shumë qime të rëna. Nuk duhet lënë që macja të lëpijë veten, sepse ato mund të gëlltitin qimet dhe si pasojë të formojnë toptha qimesh në stomak.

6. Përcakto një orë dhe luaj me macen tënde. Megjithëse macet nuk kërkojnë aq shumë lojë sa qentë, edhe ato kanë nevojë për t’u argëtuar me ushtrime, stimulime të cilat forcojnë gjendjen psikike e fizike të maces dhe të lidhjes me pronarin.

7. Bëhuni i drejtë dhe i duruar me macen tuaj. Shumica e problemeve të sjelljes së maces mund të zgjidhen me pak durim. Ju duhet të jeni i arsyeshëm për ato që prisni nga macja juaj.

Krehja

Krehja është një mënyrë e shkëlqyeshme për të kuptuar shëndetin e maces suaj. Gjatë krehjes, ju mund të shikoni zona të skuqura, humbje të papritura të qimeve, kore apo fryrje, të cilat janë sinjale të një problemi shëndetësor. Krehja në mënyrë të rregullt parandalon formimin e topthave me qime në stomakun e maceve.

Krehja duhet të fillojë që kur macja është e vogël, në mënyrë të rregullt, sidomos gjatë pranverës dhe vjeshtës.

Për macet qimegjata, duhet përdorur krëhër metalik, me dhëmbë të gjatë. Krehja duhet të kryhet çdo ditë, në mënyrë të kundërt nga shtrirja e qimeve.

Për macet qimeshkurtra, është e nevojshme një krehje javore, me një furçë të butë prej gome, ose me dorashkë me dhëmbëz të vegjël.

Konkretisht, për macet Siameze është i rekomandueshëm pastrimi me furçë çdo ditë, ndërsa për macet Persiane, përkujdesja përfshin krehjen e përditshme të qimeve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat