APKE: Funksionimi i institucioneve demokratike në Maqedoninë e Veriut është i kënaqshëm

Maqedonia

APKE: Funksionimi i institucioneve demokratike në Maqedoninë e Veriut është i kënaqshëm

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 14:50
Kuvendi i Maqedonisë

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE), në seancën e fundit dimërore, e mbajtur me prani fizike dhe video debat e miratoi raportin e përgjithshëm për monitorimin e angazhimeve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Në pjesën kushtuar Maqedonisë së Veriut, raportuesi Mikael Astrup Jensen thekson se proceset e integrimit evropian të vendit janë ndërprerë sepse Bullgaria po bllokon miratimin e kornizës negociuese, për shkak të përdorimit të gjuhës maqedonase në negociata.

Raporti i fundit i APKE-së për dialogun pos-monitorimit me Maqedoninë e Veriut ishte në tetor të vitit 2019, kur miratoi Rezolutën 2304. Ndërkohë, siç informon raportuesi, i dërguari danez Mikael Astrup Jensen: “Procesi i integrimit evropian të vendit u shënua me një vendim nga BE-ja më 26 mars të vitit 2020 për fillimin e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut (dhe Shqipërinë) – vendim që vendi ka pritur që nga viti2009. Por negociatat nuk mund të fillojnë ende, pasi Bullgaria bllokon vendimin nga Këshilli i Ministrave të BE-së për të miratuar kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Siç shprehet Jensen, “Bullgaria kundërshton përdorimin e gjuhës maqedonase në negociata dhe ka qëndrime divergjente mbi historinë e tyre të përbashkët, pavarësisht nga nënshkrimi i Marrëveshjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut në vitin 2017.”

Në përgjithësi, sipas APKE-së, “funksionimi i institucioneve demokratike” në vendin tonë është i volitshëm. Parlamenti ishte në gjendje të sigurojë dialog politik konstruktiv dhe të kryejë funksionet e tij legjislative. Reformat e iniciuara në vitin 2019 vazhduan, veçanërisht në fushën gjyqësore: ligji i rishikuar i shumëpritur për përndjekje u miratua dhe hyri në fuqi në qershor të vitit 2020.

Megjithëse korrupsioni mbetet endemik, GREKO në tetor të vitit 2020 ka vërejtur se “janë bërë përpjekje të rëndësishme nga autoritetet për të ndryshuar kornizën legjislative” por që “mbetet për t’u parë zbatimi i vazhdueshëm praktik i rregullave të reja”, në veçanti Kodi i ndryshuar i etikës për deputetët.

Është bërë përparim në parandalimin e korrupsionit të gjyqtarëve-porotë. Megjithatë, ministri i Drejtësisë nuk u përjashtua nga përbërja e Këshillit Gjyqësor. GREKO përshëndeti rregullimin e përforcuar të kushteve për zgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), të cilët vazhduan të demonstrojnë qasje proaktive për parandalimin e korrupsionit, hapjen e çështjeve, përfshirë ato që gjenden zyrtarë të lartë nga spektri i plotë politik dhe trajtimi i akuzave për nepotizëm, patronazh dhe ndërhyrje politike në procesin e rekrutimit të sektorit publik.

Sipas APKE, situata e përgjithshme në media mbetet e pandryshuar, veçanërisht në lidhje me çështjet e identifikuara më parë të tilla si qëndrueshmëria financiare e mediave të pavarura, vetë-rregullimi, transparenca e reklamave të mediave nga institucionet shtetërore, partitë politike dhe ndërmarrjet publike dhe pavarësia e një transmetuesi të shërbimit publik.

APKE përsëriti vërejtjet dhe vlerësimet e tij për procesin e fundit zgjedhor në Maqedoni, duke thënë se këto zgjedhje ishin përgjithësisht të organizuara mirë.

Asambleja Panevropiane, në rezolutën e miratuar, i kërkon Maqedonisë së Veriut të “vazhdojë përpjekjet e saj për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, në përputhje me rekomandimet e Grupit të shteteve kundër korrupsionit (GREKO); të iniciojë reformat e nevojshme për të përmirësuar gjendjen e mediave në konsultim me të gjithë aktorët; për të vazhduar zbatimin e Rezolutës 2304 (2019) mbi “Dialogun postmonitorues me Maqedoninë e Veriut” dhe në veçanti për të forcuar qëndrueshmërinë dhe funksionimin e institucioneve demokratike, për të konsoliduar kornizën zgjedhore dhe për të zbatuar politika inkluzive që synojnë sigurimin e të drejtave të pakicave.

Këto çështje do të shqyrtohen më tej nga bashkëraportuesit e APKE-së për Maqedoninë e Veriut Liz Kristofersen (Norvegji, SPC) dhe Zolt Zenger-Zalan (Hungari, EPP / CD), i emëruar bashkëraportues në qershor të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat