Si të ulet çmimi i energjisë elektrike, Mucunski: Do të propozojmë që të ulet TVSH-ja në 5%

Maqedonia

Si të ulet çmimi i energjisë elektrike, Mucunski: Do të propozojmë që të ulet TVSH-ja në 5%

Më: 27 maj 2021 Në ora: 21:50
Timço Mucunski

Propozim për uljen e TVSH-së së energjisë elektrike prej 18 në 5% për ta lehtësuar tronditjen e paralajmëruar me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, përgatit opozitarja VMRO-DPMNE. Deputeti nga radhët e kësaj partie, Timço Mucunski tha se është e qartë se jo vetëm çmimi i energjisë elektrike por edhe çmimet e energjenseve të tjera do të rriten me çka do të rriten edhe shpenzimet e jetës.

“Ne si parti politike, atë e paralajmëroi edhe lideri i partisë, Mickoski, edhe ne si deputetë të kësaj partie politike në Kuvend, kemi për qëllim që të propozojmë ulje të TVSH-së së energjisë elektrike, që do të thoshte lehtësim për qytetarët dhe kompanitë, përkatësisht kjo do të ishte edhe një mënyrë për ta absorbuar këtë tronditje të cilën fatkeqësisht qeveria jonë, dhe një pjesë e ndërmarrjeve publike të cilat kanë kompetenca në këtë sferë, nuk kishin kapacitet që ta absorbojnë me kohë”, tha Mucunski.

Por, sa do të jetë i gatshëm pushteti të pranojë një zgjidhje të këtillë, me të cilën, sipas përllogaritjeve të VMRO-DPMNE-së, ulja e TVSH-së së energjisë elektrike do t’i reduktojë të ardhurat në buxhet për rreth 100 milionë euro? Një ide të këtillë kishte edhe në tetor të vitit të kaluar, e cila erdhi nga Bashkësia evropiane energjetike. Atëherë kryeministri Zaev tha se ia vlen që të shqyrtohet propozimi i këtillë por theksoi se duhet të bëhen kalkulime se çfarë do të thoshte kjo për stabilitetin ekonomik, resurset financiare të shtetit dhe burimet për ndihmën e ekonomisë së vendit, megjithatë deri më tani nuk ka përgjigje nëse kjo gjë është e pranueshme.

“Në këto kohëra të vështira, Maqedonisë i nevojiten lehtësime tatimore, jo vetëm lehtësime nominale por i duhet ulje faktike e tatimeve. Kjo do të jetë e rëndësishme edhe për qytetarët edhe për kompanitë të cilat mezi po arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet mujore, mes tjerash duhet t’i paguajnë rrogat, dhe kjo shkon gjithnjë e më e vështirë”, shtoi më tej.

Nga qeveria tashmë paralajmërojnë se këtë verë ka mundësi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike që tashmë ngjalli shumë reagime në opinionin publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat