Kovaçevski për marrëveshjet për bashkëpunim rajonal: Samiti i Procesit të Berlinit ka rëndësi historike

Maqedonia

Kovaçevski për marrëveshjet për bashkëpunim rajonal: Samiti i Procesit të Berlinit ka rëndësi historike

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 18:51
Dimitar Kovaçevski

Samiti i Procesit të Berlinit ka rëndësi të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse liderët e gjashtë vendeve të rajonit do të kthehen me tre marrëveshje të cilat do të kenë ndikim të madh jo vetëm për avancimin e vendeve, por edhe për bashkëpunimin rajonal. Kancelari gjerman, Olaf Sholc, në hapjen e Samitit në Berlin, tha se ardhmëria e përbashkët pa kufij është kyçe për Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se ky proces jo vetëm se do ta çlirojë potencialin e rajonit, por do ta përshpejtojë edhe rrugën e këtyre shteteve drejt BE-së.

“Sot, ju liderët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor po bëni tre hapa shumë të mëdhenj duke nënshkruar këto tre marrëveshje të rëndësishme, marrëveshje këto të cilat do të kontribuojnë që jeta e njerëzve të jetë shumë më e lehtë. Tregu i përbashkët rajonal do ta rrisë ekonominë dhe investimet në rajon. Marrëveshjet do t’u mundësojnë qytetarëve t’i kalojnë kufijtë e tyre vetëm me letërnjoftim. Do të sigurohen se studentët e Sarajevës do t’i përfundojnë studimet e tyre në Beograd ose inxhinierët nga Tirana do ta shfrytëzojnë diplomën e tyre për të marrë ofertë pune në Shkup”, deklaroi Olaf Sholc, kancelar gjerman.

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Lajen, e cila po ashtu mori pjesë në Samit, në profilin e saj në Tuiter shkroi se ndihet e lumtur që i sheh bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe se është koha e duhur për ta thelluar integrimin ekonomik të rajonit.

“Më vjen mirë t’i shoh të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor në Berlin, një javë pas vizitës sime në rajon. Ne jemi këtu për ta thelluar integrimin tonë ekonomik, duke filluar me energji. Pakoja jonë për mbështetje energjetike prej 1 miliard eurove për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë të ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët energjetike”, pohoi Ursula Von Der Lajen, Kryetare e Komisionit Europian.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, gjatë fjalimit të tij në Sesionin për Bashkëpunim Rajonal dhe Tregje të Përbashkëta Rajonale, vlerësoi se Procesi i Berlinit është historik, sepse vjen në kohë të krizës së vazhduar dhe në moment kur duhet të ketë bashkëpunim të përforcuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat